Pas Gardës e Shqiponjave, drejt
shkrirjes dhe Antikrimi ekonomik

Pas Gardës e Shqiponjave, drejt<br />shkrirjes dhe Antikrimi ekonomik
TIRANE- Në vazhdën e reformimit të forcave policore të vendit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka planifikuar shkrirjen e Antikrimit Ekonomik, si një strukturë më vete brenda Policisë, për të kaluar kompetencat e saj në gjithë departamentet e tjerë
 
Pas njoftimit se do të shkrijë Gardën e Republikës, duke kaluar detyrat që ajo kryente deri tani në struktura të tjera brenda Policisë së Shtetit, si dhe njoftimit tjetër për ndryshimin e strukturës së njësive të lëvizshme “Shqiponjat”, ministri Saimir Tahiri, sipas burimeve të brendshme nga dikasteri i tij, ka vendosur që të urdhërojë shkrirjen e sektorit të Antikrimit Ekonomik, si një strukturë e veçantë brenda uniformave blu.

Ideja për një gjë të tillë duket se ka lindur gjatë ditëve të fundit, kur është parë që, brenda kësaj strukture, janë zbuluar drejtues dhe oficerë që, në vend që të luftonin krimin në fushën ekonomike, në fakt ishin të implikuar në aktivitete të lojrave të fatit, etj, në mënyra të ndryshme, por gjithnjë fshehurazi. Ky vendim sidomos është marrë pas rasteve të zbuluara se punonjës me rëndësi në rradhët e Antikrimit kanë dekonspiruar aksionet e Policisë, duke përdorur kode të caktuara për të lajmëruar pronarët e kazinove dhe bingove të paligjshme për afrimin e kontrolleve të befasishme, me përdorimin e kodeve të caktuara, që nuk u kanë shpëtuar agjentëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Në rast të zbatimit të një vendimi të tillë, që do të kërkonte një shqyrtim edhe të rregullave ligjore e nënligjore në fuqi, kompetencat e Antikrimit Ekomik do të shkriheshin në të gjitha strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, pa u përqendruar në pak duar, siç ka qenë organizuar deri tani. Organizimi i vjetër ka lindur mundësinë që vetëm pak persona të kontrollonin gjithë trafiqet në fushën ekonomike, ku ka patur edhe informacione për bashkëpunim të personave të caktuar të veshur me pushtet për të kontrolluar këto trafiqe me ata që i organizonin ato, për qëllime përfitimi të paligjshëm.

Policia e Shtetit, sipas konceptimit aktual që po zbatohet tashmë, është në rrugën e shkrirjes së kompetencave me shumë forca të tjera të shtetit për të goditur çdo veprim antiligjor. Kështu, Policia, pa pritur që të marrë “leje” nga Inspektoriatet qendrore apo vendore të Ndërtimit, ka ndërmarrë aksione, deri tani jo në shkallë aq të gjerë sa në rastin e lojrave t ëfatit, kundër ndërtimeve pa leje, që janë kthyer në një gangrenë të vërtetë për gjithë ekonominë e vendit dhe janë një sfidë e vërtetë për shtetin ligjor.

Më parë, Policia përdorej si ndihmëse për veprime të tilla goditëse, por duket se tani gjithshka do të ndryshojë, duke i krijuar asaj mundësinë që të ndërhyjë direkt në kontrollin e veprimeve dhe objekteve të paligjshme, duke kryer direkt bllokimin e tyre të menjëhershëm, në pritje që struktura të tjera më të specializuara si Tatimet, Doganat apo zyrat urbanistike, hipotekore, etj të thonë fjalën e tyre për të proceduar ligjërisht.

Shkrirja e Antikrimit Ekonomik konsiderohet nga ana e ekspertëve në fushën e ekonomisë si një mundësi më e madhe për të goditur informalitetin. Më parë, punonjësit e Policisë në departamentet e tjerë nuk mund të ndërhynin për një veprim të paligjshëm që konstatonin në sektorin në fjalë, por në këtë mënyrë, Policia do të jetë e aftë, të paktën sipas opinionit të drejtuesve aktualë të Policisë, që të ndërhyjë në çdo rast që të konstatojë shkelje të legjislacionit. Kjo ka vlerë edhe në rastin e shkrirjes së Policisë Ttugore si departament i veçantë.      
 Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë sot në Kosovë