Pas goditjeve të 'të mëdhenjve' të karburanteve, aksioni anti-informalitet me sytë nga kompanitë konsumatore

TIRANE - Zëvendëskryeministri Erjon Braçe paralajmëroi një fazë të re të aksionit anti-informalitet. Pas kontrolleve në tregun e karburanteve, edhe të prodhuesve të mëdhenj, në sitë do të vihen të gjithë ata konsumatorë të mëdhenj që në kompanitë e tyre kanë depozita nafte përtej kapaciteteve dhe të palicencuara.

Në një komunikim për mediat, Braçe i dha kohë të nisin të gjitha procedurat në institucionet përgjegjëse për tu certifikuar, ndërkohë që tha se hetimit të organeve fiskale, nuk do t'i shpëtojnë as inspektorët që mund të kenë bërë një sy qorr përballë paligjshmërive.

"Prej javësh jemi fokusuar shumë fort në tregun e karburanteve. Jemi ndalur tek importuesit e mëdhenj, tek depozitat e tyre, tek gjendja e magazinave të tyre doganore. Jemi ndalur në mënyrë të qartë dhe tek prodhuesit e mëdhenj të karburanteve në këtë vend. Tani do ndalemi pa diskutim edhe tek konsumatorët e mëdhenj të karburanteve në vend. Janë ata që zënë gati 40% - 45% të tregut të karburanteve dhe të konsumit të karburanteve në Shqipëri. Do doja t’i bëja një thirrje gjithsecilit prej tyre, veçanërisht dy kategorive të rëndësishme; Së pari, atyre që janë konsumatorë të mëdhenj dhe që zotërojnë depozita në ambientet e kompanive të tyre dhe që i përdorin pastaj për furnizimin e mjeteve të tyre, bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të ndërtimit, bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të ndërtimit të rrugëve, bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe të transportit të materialeve të ndërtimit. Ashtu siç bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të distribucionit, pra, të ofrimit të shërbimeve, veçanërisht në tregti. Bëhet fjalë për kompanitë e mëdha jo vetëm të distribucionit, por dhe të prodhimit, veçanërisht kompanitë që prodhojnë në krahun tjetër produkte të ndryshme në këtë vend, të cilat zotërojnë depozita brenda ambienteve të tyre e që për fat të keq, sot që flasim janë depozita të pacertifikuara nga autoritetet ligjore. Janë të pacertifikaura për kapacitete e tyre dhe në disa raste, kur operojnë dhe me instrumente të tjerë siç janë pompat, janë edhe në kushtet e mos certifikimit të këtyre instrumenteve e mbi të gjitha, edhe në kushtet e mosfiskalizimit të tyre.

Që nga dita e sotme, deri në fund të muajit shtator, secili prej tyre ka kohën e mjaftueshme t’i drejtohet organeve shtetërore, përfshirë metrologjinë ligjore dhe institucione të tjera, për të certifikuar kapacitetet e depozitave të tyre sa më parë që të jetë mundur me qëllim që të gjithë autoritetet shtetërore të kenë dijeninë e qartë për kapacitetet dhe konsumin e tyre të karburantit. Përtej kësaj kategorie ka dhe një kategori tjetër që nga gjithë hetimet e organeve fiskale sjell në vëmendje pikërisht faktin që nuk kanë depozita pranë kompanive të tyre, mbi të gjitha nuk konsumojnë naftë, por disponojnë apo janë pjesë e operacioneve, në letra, të tregtimit të karburanteve. Natyrisht që secili prej tyre do të jetë pjesë e hetimit të organeve tona fiskale edhe bashkë me ta, për këtë paligjshmëri që po e hasim ditë për ditë, pa më të voglin diskutim do të mbajnë përgjegjësi dhe gjithë inspektorët e organeve fiskale, që i kanë lejuar apo kanë certifikuar këtë paligjshmëri", - tha zëvendëskryeministri Erjon Brace.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fredi: 27/08/2019 17:45

    Goditjet e të mëdhenjve? A pa ndonjëri ndonjë goditje gjëkundi? A hyri ndonjë i madh në burg? Për cilët të mëdhenj të karburanteve e keni fjalën?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë