Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe shumë klubeve të tjera, Dani Alves është pas hekurave në Spanjë për sulm seksual. 39-vjeçari është akuzuar nga një e re se në mbrëmjen e 28 dhjetorit 2022 ka abuzuar seksualisht me të në një klub të Barcelonës. Prej tre ditësh mbrojtësi është pas hekurave, ndërsa ka ndryshuar tre herë versionin e ngjarjeve dhe ka pranuar thuajse gjithçka pas pamjeve filmike.
Në dëshminë e parë, Alves tha se nuk e njihte vajzën në fjalë, teksa ndryshoi versionin e ngjarjeve kur u ndalua nga policia dhe iu bë e qartë se kishte dëshmitarë. Pasi i është bërë e qartë se ka pamje filmike të ambienteve të brendshme të clubit, me kamerat e sigurisë që kanë regjistruar gjithçka edhe në zonën VIP, ai ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën në fjalë, por se gjithçka kishte qenë me miratimin e të dy palëve.
Gazeta katalanase “El Periodico” ka zbuluar se pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë që Alvesh dhe vajza që e denoncoi kanë qëndruar për 15 minuta në “dhomën” e cila në fakt rezulton të jetë një nga tualetet. Një situatë që komplikon gjithçka për futbollistin dhe ka bërë që familja e tij t’i ndryshojë avokate, pasi mendon se e ka këshilluar gabim në këtë çështje. Raportohet se Dani Alves është gati që të ndryshojë përsëri versionin e tij të ngjarjeve, në një histori që ka gjithnjë e më pak mundësi që të zgjidhet me fund të lumtur për futbollistin e njohur.