Ndërkohë prej ditësh është në vëmendje lista e '124 kriminelëve' që disponohet nga Policia e Shtetit. Por cili është krimineli midis atij që vjedh shtetin dhe atij që vjedh jetën?
Cilët janë kriminelët e vërtetë? Cili është krimineli më i keq? Kë të mallkojmë e kë të dënojmë më shumë? Të gjithë e kemi përgjigjen. Krimi më i rëndë është vjedhja. Ai që të vjedh-mundësinë për të mësuar të vërtetën, mundësinë për të qenë i lumtur, mundësinë për të qenë i pasur, mundësinë për të jetuar; Ai që të gënjen, ai që të mashtron, ai që të godet pas shpine, ai që ta merr jetën me një thikë në zemër...ai është krimineli midis nesh. Dhe ai duhet ndëshkuar.
E ndoshta një ditë, pas dënimit, do gëzojë një mundësi të dytë e do bëhet edhe Ai njëri nga ne. Por, sa vlen për kriminelin një mundësi e dytë, kur viktima e tij i ka mbyllur punët me këtë botë përgjithmonë?! Sa vlen për kriminelin jeta e pas 20 viteve burg, kur ai vetë ndëshkoi dikë me vetëm 20 vite jetë?!Për një nga ligjnjohësit më të mirë, z. Lushaj,vepra penale nuk duhet të mbetet vetëm si e tillë, por duhet nxitur reagimi i shoqërisë. “Mbrojtja e jetës dhe integritetit fizik të njeriut është synuar në të gjitha periudhat e zhvillimit shoqëror, por sot, në kohë bashkëkohore ekziston mendimi unik se jeta dhe integriteti fizik i njeriut paraqet vlerë të atillë për ruajtjen e se cilës nuk ekziston vetëm interes individual por interes i përgjithshëm i përbashkët i shoqërisë njerëzore.
Në bazë të kësaj është e domosdoshme që në çdo sulm ndaj jetës së njeriut të kërkohet reagimi i shoqërisë, i cili, përveç tjerash të realizohet me aplikimin e sanksioneve me të renda. Prandaj mund të konkludohet se ndaj kriminalitetit, si dukuri shoqërore negative, nuk ka qenë dhe aktualisht nuk është imune asnjë shoqëri, pa marrë parasysh rregullimin shoqëror të saj”, shkruan Hazir Lushaj, shefi kosovar i Vlerësimit Gjyqësor. Konkretisht në rastin e Marvit cilësohet "Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim" parashikuar nga nenet 76 dhe 25 të Kodit Penal, e dënuar maksimalisht deri në 20 vjet.
Por jashtë kontekstit ligjor, jashtë burokracive dhe letrave e brenda trupave njerëzore, brenda shpirtit të një nëne, të një babe, të 4 katër djemve 20 e ca vjeçarë që vranë, therën, ngulën thikën 8 herë. 8 HERË. O zot! Ç’ndodh brenda tyre?! Unë nuk e di sa profesional është ky shkrim;deri më tani ajo qe bën një gazetar i mirë është të paraqesë faktet, të analizojë, të argumentojë, por të qëndrojë i ftohtë e të mos përfshihet emocionalisht. Por kjo më duket se nuk ka ndonjë vlerë të shtuar, të paktën në rastin e Marvit.
Marvi, unë sot shkrova për ty. Dhe nuk i lashë mënjanë emocionet e mia. As frikërat e mia. Përmenda pak ligjin, por pastaj ndërrova shteg, sepse ligji nuk do të të kthejë në jetë. As emocionet e mia, për fat të keq. Por, dua që emocionet e ndjesitë të na bashkojnë neve që kemi mbetur këtu, mbi tokë.
Të shkunden prindërit shqiptarë e të mos i trajtojnë fëmijët e tyre si bagëti- mjaft ti ushqejmë e boll është- të shkunden prindërit shqiptarë e të mos i trajtojnë fëmijët e tyre si princërit e princeshat e një mbretërie të rremë, sepse një ditë, me shumë
gjasa, fëmijët e tyre do përfundojnë si vrasësit e tu Marvi
dy.b/shqiptarja.com