DREJTËSIA/ Pas Ken Dhimës, drejt shkarkimit edhe gruaja e tij gjyqtare, nuk justifikon 550 mijë USD asete! Historia dhe ‘bëmat’ e çiftit 

Ish-gjyqtar Ken Dhima

TIRANË- Në 29 korrik të 2021, Komisioni i Vetingut shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Ken Dhima, për cenim të besimit të publikut si dhe për mosjustifikim të një pasurie me vlerë mbi 600 mijë USD, duke përfshirë disa shtëpi, dyqane, makina, llogari bankare etj. Të njëjtin fat rrezikon që të ketë edhe bashkëshortja e tij, Klorinda Çela, gjyqtare në Tiranë. Komisioni i Vetingut caktoi datën 25 tetor 2021 për zhvillimin e seancës dëgjimore me gjyqtaren Çela, e cila nuk u paraqit. Duke e konsideruar mungesën e prezencës si të pajustifikuar, trupa gjykuese lexoi konkluzionet e verifikimit të gjyqtares vetëm për kriterin e pasurisë. 

Sipas dosjes, gjyqtarja e Tiranës Klorinda Çela nuk justifikonte një pjesë të burimeve financiare për blerjen e një apartamenti në Tiranë, me sipërfaqe 114 m2, në vitin 2015, me vlerë 74 mijë euro. Sipas trupit gjykues, gjyqtarja nuk justifikon edhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 44 m2 në Tiranë, të cilën e ka shitur në vitin 2017 për 100 mijë euro. Gjyqtarja e ka deklaruar njësinë si dhuratë nga prindërit në vitin 2012, por sipas KPK-ja ata nuk kishin mundësi financiare për ta blerë. 

Sipas dosjes, gjyqtarja Klorinda Çela nuk justifikon me burime të ligjshme një njësi shërbimi me sipërfaqe 188 m2 në Tiranë, blerë në vitin 2015 për 246 mijë euro. Gjyqtarja Çela dhe bashkëshorti i saj Ken Dhima nuk justifikojnë as blerjen e dy garazheve në Tiranë, me vlerë 90 mijë euro. Sipas dosjes, Gjyqtarja Çela dhe Ken Dhima kanë fshehur një apartament me sipërfaqe 190 m2 në Shëngjin. 

Komisioni i Vetingut, ka ngritur dyshime të forta edhe për fshehjen e një dyqani me sipërfaqe 124 m2 në Tiranë, me vlerë 220 mijë euro. Komisioni ka ngritur dyshime të forta edhe për një kontratë tjetër me vlerë 150 mijë euro për porositjen e një njësie shërbimi në Tiranë. Gjithsesi, Komisioni i Vetingut arriti në konkluzionin se gjyqtarja Klorinda Çela nuk justifikon një pasuri me vlerë 550 mijë USD. 

Vendimi për gjyqtaren Klorinda Çela do të merret ditën e nesërme. Nisur nga konstatimet, KPK-ja pritet të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Tiranës. 

Çifti i gjyqtarëve Ken Dhima dhe Klorinda Çela rezultojnë se janë ‘mbuluar’ me para nga nga biznesmeni Ahmet Muça, ish-pronar i universitetit “Kristal”, i arrestuar në vitin 2018, për “falsifikim diplomash”. 

Në vitin 2008, Ahmet Muça i ka paguar pushimet gjyqtarit Ken Dhima në Turqi dhe Egjipt, me 3 800 euro. Në vijim, Ahmet Muça ka sponsorizua botimin e librit në 20 mijë euro. Në vitin 2009, biznesmeni Muça i ka paguar Ken Dhimës një tjetër udhëtim në shumën 2 500 euro si dhe një operacion jashtë shtetit në vlerën 8 mijë euro. Në vitin 2010, Ahmet Muça i ka dhuruar gjyqtarit të Vlorës 10 mijë euro. Në vitin 2011, Ahmet Muça i ka bërë një tjetër dhuratë gjyqtarit Ken Dhima, duke i dhuruar 15 mijë euro.

Në vitin 2008, Muça i ka dhuruar Ken Dhimës 20 mijë euro tashmë në cilësinë e pedagogut të Kristal. Në 2013, i ka dhënë edhe 5 mijë euro si shpërblim. Në vitin 2016, i jep si shpërblim gjyqtarit Ken Dhima edhe 20 mijë euro të tjera, ndërsa ka sponsorizuar për kurimin e bashkëshortes së Ken Dhimës në Austri. Në vitin 2017, Ahmet Muça i ka dhënë gjyqtarit Ken Dhima në formë dhurimi dhe shpërblimi shumat 10,000 euro, 15,000 euro dhe 5,000 euro. 

I kallëzuar për fshehje pasurie
Ken Dhima është kallëzuar në Prokurori në vitin 2014 për fshehje dhe mashtrim me pasurinë, bashkë me bashkëshorten e tij Klorinda Çela, e cila është gjithashtu gjyqtare dhe është në proces verifikimi. Në atë kohë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të shkarkimin e gjyqtarit nga Drejtësia. Por, KLD-ja me në krye Bujar Nishanin refuzoi kërkesën, duke e shpëtuar kështu gjyqtarin. Më pas dosja e pasurisë së Ken Dhimës është mbyllur nga prokuroria. Rezultatet e hetimit nga Vetingu tregoi se kjo dosje është mbyllur në mënyrë të dyshimtë.

KLD-ja e shpëtoi dy herë 
Në maj të vitit 2018, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë sërish shkarkimin e Ken Dhimës nga detyra për shkelje që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Por, KLD-ja, këtë herë me në krye Ilir Metën, refuzoi shkarkimin e tij nga detyra. Në mbledhjen e përballjes në KLD, Ken Dhima shpërtheu duke e konsideruar reformën në drejtësi si vepër të George Soros, ndërsa Vetingun si Sorosian.

Përplasjet në gjykatë 
Në mars të këtij viti, gjyqtari Ken Dhima është përplasur fizikisht me gjyqtarin Bevis Shehaj në korridoret e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Shkak i përplasjes është bërë një vendim i gjyqtarit Shehaj, i cili në dhjetor të vitit 2020, kishte vendosur të pranonte një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Dhima nga gjykimi i një çështje, e cila ka të bëjë me një konflikt pronësie në një pallat të ri në Lushnje.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Varianti i ri Omicron dhe dimri, a duhen ashpërsuar masat anti-Covid?



×

Lajmi i fundit

John

Rusia kërkon garanci për moszgjerimin e NATO-s në lindje