Pas kthimit nga SHBA ku ka marrë pjesë në Asamblenë të OKB-së, Kryeministri Edi Rama do të vizitojë të hënën Kosovën, së bashku me një pjesë të kabinetit të ri qeveritar, pas fteses së bërë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në letër urimin e dërguar për formimin e qeverisë së re.

7 ditë më parë Albin Kurti e uroi Ramën me rastin e zgjedhjes për herë të tretë kryeministër i Shqipërisë. Në një letër urimi dërguar Ramës për krijimin e qeverisë së re, Kurti nuk heziton ta ftojë atë të vizitojë Kosovën.

Kësaj ftese Rama iu përgjigj menjëherë pozitivisht, duke konfirmuar praninë e tij në Kosovë menjëherë pasi të kthehet nga Asmableja e OKB. Në një mendje të dy liderat janë treguar sa i përket zhvillimit të një mbledhje të përbashkët të të dy qeverie sa më shpejt. 

Në letrën e tij, Kurti shkruan se ky mandat i tretë i Ramës, është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte që priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Kurti tregohet i gatshëm për të bashkëpunuar për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimit tregtar.

Marrëdhëniet Kurti-Rama nuk kanë qenë asnjëherë të lehta, ku tensionet nuk kanë munguar për çështje të ndryshme, por pavarësisht këtyre duket se nuk mungojnë përpjekjet për të gjetur gjuhën e përbashkët. Forcimi i marrëdhënieve me Kosovën është edhe pjesë e programit të qeverisë 'Rama 3'.