DURRËS- Pas shumë vitesh emigracion në Shtetet e Bashkuara, Adrian Sinani është kthyer në qytetin e tij të lindjes për të realizuar një projekt që e kishte menduar prej kohësh. Specialisti i muzeumeve ka ngritur në Lagjen 14 të Durrësit muzeun "Vitet e Fundit të Komunizmit", rezultat i nje pune tre vjecare, ne grumbullimin e relikeve. Muzeu është tashmë i hapur dhe synon t'u ofrojë vizitorëve një rrugëtim në disa nga periudhat më të rëndësishme të historise.
Nis me Monarkisë, vijon me Luftën Nacionalçlirimtare, instalimin e diktaturës komuniste dhe rrëzimin e saj në fillim të viteve '90. Çdo pavion pasqyron atmosferën dhe ngjarjet e kohës përmes objekteve autentike.
“Për tre vite kam kërkuar në Shqipëri, Itali, Zvicër dhe vende të tjera për të mbledhur këto relike", tregon ai për Report TV.
Mes relikeve të ekspozuara ndodhen armë të Luftës së Dytë Botërore, një motorçikletë gjermane, një biçikletë bersalierësh italianë, uniforma ushtarake, shaptilografë, makina shkrimi dhe dhjetëra objekte të tjera që hedhin dritë mbi periudhën e luftës dhe vitet që pasuan.
"Motorçikletën gjermane e kam gjetur në një fshat, të hedhur pranë një gardhi. Biçikletën e kam gjetur në Zvicër”, tha më tej.
Një pavion i veçantë i kushtohet periudhës së diktaturës komuniste. Aty është rikrijuar një dhomë hetuesie, ku zhvilloheshin seancat e marrjes në pyetje të kundërshtarëve të regjimit, ndërsa ekspozohen edhe materiale të tjera të asaj kohe.
Për Adrian Sinanin, muzeu nuk është vetëm një koleksion objektesh, por një mënyrë për të ruajtur kujtesën historike dhe për t'ua përcjellë brezave të rinj. Pas tre vitesh kërkimesh dhe restaurimi të relikeve të mbledhura në Shqipëri dhe jashtë saj, muzeu ka hapur dyert për vizitorët shqiptarë dhe të huaj, duke shtuar një tjetër destinacion kulturor në Durrës.
Komente









