Gupi iranian Homeland Justice ka njoftuar se ka kryer një sulm kibernetik ndaj Postës Shqiptare.
Përmes një postimi në faqen e tyre në Telegram, Homeland Justice ka shkruar se ky sulm është kryer për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm me muxhahedinët (opozitën iraniane), një pjesë e të cilëve ndodhen në kampin në Manëz të Durrësit.
Teksa paralajmërojnë për sulme më shkatërruese, Homeland Justice shkruan se SHBA dhe Izraeli kanë kontrollin e plotë të Postës shqiptare, duke i shndërruar zyrtarët e saj në skllevër dhe shërbëtorë.
Përmes një kërkimi të thjeshtë nga Report Tv, faqja zyrtare në web e Postës Shqiptare rezulton të shfaqë problematika dhe të mos jetë plotësisht e aksesueshme për qytetarët.
Më herët, Posta Elektronike e Kuvendit të Shqipërisë ra pre e një sulmi kibernetik, pas të cilit qëndron një grup iranian i quajtur “Homeland Justice”. Departamenti i Drejtësisë në SHBA njoftoi pak ditë më parë se kishte bllokuar 4 domain-e që i përkasin grupeve të hakerave iranianë, të përdorura për të sulmuar infrastrukturat e shteteve armike me Iranin, shpërndarjen e të dhënave të vjedhura dhe nxitje të dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit iranian.
Mes këtyre faqeve ishte dhe ajo e Homeland Justice dhe Karma Below, një grup hakerash që ka kryer disa sulme kibernetike drejt infrastrukturës shtetërore shqiptare.
Po ashtu kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro rezolutën e PS për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa i kërkoi qeverisë të shpallë grup terrorist, Gardën Revolucionare dhe Hezbollaun.
Njoftimi i “Homeland Justice”:
Infrastruktura e Postës Shqiptare u sulmua nga Duart e Fuqishme të Drejtësisë së Atdheut
Posta Shqiptare u sulmua nga Patriotët e Drejtësisë së Atdheut për shkak të bashkëpunimit të saj të vazhdueshëm dhe të vazhdueshëm me terroristët e Muxhahedinëve dhe lehtësimit të rrugës së të këqijave dhe akteve terroriste të këtij grupi.
Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare, të cilët ua kanë dhënë autoritetin e tyre të plotë pedofilëve të Regjimit Epstein dhe nuk kanë asnjë liri veprimi dhe pavarësi të tyre, janë shndërruar në shërbëtorë dhe skllevër të papaguar të terroristëve të Kampit Ashraf 3 për disa muaj.
Meqenëse ekzistenca e këtyre terroristëve nuk ka sjellë gjë tjetër veçse fatkeqësi dhe vuajtje për popullin fisnik të Shqipërisë, Drejtësia e Atdheut e konsideroi detyrën e saj të ndërmarrë veprime kundër këtij institucioni të korruptuar në qeveri.
Veprimet tona të ardhshme do të jenë më të vështira, më shkatërruese dhe më të kushtueshme....
Lajm në përditësim...
Komente











