Hungaria nuk do të largohet nga Gjykata Penale Ndwrkombwtare (ICC). Parlamenti hungarez votoi të mërkurën për të qëndruar pjesë e tribunalit, duke përmbysur vendimin e marrë vitin e kaluar nga qeveria e mëparshme e Viktor Orbán për t’u tërhequr nga gjykata globale që merret me krime lufte dhe gjenocid.

Vendimi i ri u propozua nga kryeministri aktual Peter Magyar, i cili paraqiti në parlament një projektligj ku thuhej se “për ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut është thelbësore që autorët e krimeve më të rënda ndërkombëtare të mbajnë përgjegjësi përpara një forumi gjyqësor ndërkombëtar”. Në dokument shtohej gjithashtu se pjesëmarrja e Hungarisë në Statutin e Romës duhet të vazhdojë.

Projektligji kaloi kryesisht sipas vijës partiake. 133 deputetë nga partia në pushtet Tisza votuan pro, 37 kundër dhe pesë abstenuan.

Qeveria e Orbán kishte njoftuar vitin e kaluar largimin nga ICC menjëherë pas vizitës në Budapest të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Vizita shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare, pasi ndaj Netanyahut ekzistonte një urdhër arresti nga ICC për akuza që lidhen me krime lufte në konfliktin në Gaza. Pavarësisht kësaj, autoritetet hungareze nuk ndërmorën asnjë veprim për ndalimin e tij.

ICC dhe organizata të tjera ndërkombëtare kritikuan ashpër qeverinë Orbán për moszbatimin e detyrimeve ligjore si shtet anëtar. Vetë Orbán e kishte sulmuar gjykatën, duke e quajtur një “gjykatë politike”. Më pas, ICC deklaroi se Hungaria kishte dështuar të përmbushte detyrimin për arrestimin e Netanyahut. Një panel gjyqtarësh theksoi se “mosarrestimi i të dyshuarve minon seriozisht aftësinë e gjykatës për të përmbushur mandatin e saj”.

Tërheqja e Hungarisë ishte parashikuar të hynte në fuqi më 2 qershor. Nëse kjo do të ndodhte, Hungaria do të bëhej vendi i tretë që largohej nga ICC pas Filipineve dhe Burundit, si edhe i vetmi shtet i Bashkimit Europian jashtë gjykatës.

Hungaria është një nga vendet themeluese të ICC-së dhe vetë Orbán kishte firmosur Statutin e Romës në vitin 1999, traktatin që krijoi gjykatën ndërkombëtare. Ndërkohë, Asambleja e Shteteve Palë e ICC-së përshëndeti vendimin e ri të Budapestit, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për drejtësinë ndërkombëtare.