MIRDITË - Shkon në 26 numri i kamionëve të bllokuar në dy ditë nga policia. Përveç 19 kamionëve të ndaluar dje paradite, tre kamionë ngarkuar me krom janë bllokuar mbrëmë rreth orës 23:00 në segmentin Rrëshen-Rubik në rrugën e kombit dhe 4 kamionë të ngarkuar me lëndë drusore, gjatë kontrollit të ushtruar sot në aksin rrugor Rrëshen – Milot.

Sipas të dhënave nga policia, 3 kamionët e ngarkuar me krom vinin nga Bulqiza dhe u ndaluan për shkak se transportuesit kishin mangësi në dokumentacion. Policia ka shoqëruar drejtuesit e mjeteve dhe po merren në pyetje.

Nga veprimet e para hetimore të kryera rezulton se për materialin e ngarkuar me krom dhe lëndë drusore nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe materiali shoqërohej me faturë të thjeshtë shoqërimi, ku nuk është shënuar sasia e mallit dhe as vlera e tij. Minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethin e Kukësit dhe Tropojës.
 
Materialet e çështjes do t’i kalojne Prokurorisë për veprën penale “Fshehje të ardhurave”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Prerje e Paligjshme e pyjeve”.
 
Ende nuk dihet se cilës kompani kromi i përket ngarkesa e bllokuar. Bllokimi është në vijim të aksionit treditor, të zhvilluar nga blutë e Lezhës për bllokimin e ngarkesave me krom, që nuk janë të shoqëruara me dokumentacionin e nevojshëm.

Redaksia online
(ac/mag/shqiptarja.com)