Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është takuar sot me Papa Leone XIV në Romë në kuadër të turit të tij evropian për të diskutuar ruajtjen e territorit sovran dhe të ardhmen e fondeve të destinuara për në Kiev. Pas takimit, që zgjati gjysmë ore, presidenti ukrainas dhe Ati i Shenjtë përshëndetën nga ballkoni Villa Barberini gazetarët dhe fotografët pa komentuar bisedën e tyre. 

Në orën 15:00, ai pritet të takohet edhe me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Në një postim në rrjete sociale, pas takimit me Papën, Zelensky tha se e kishte ftuar që të vizitonte Ukrainën. Sipas tij, vizita e Atit të Shenjtë do të tregonte një mbështetje të madhe për popullin që ndodhet në luftë. 

"E ftova Papën të vizitojë Ukrainën. Ky do të jetë një sinjal i fortë mbështetjeje për popullin tonë. Ukraina e vlerëson shumë gjithë mbështetjen e Papa Leone XIV dhe Selisë së Shenjtë", tha ai.

Ndërkohë nga SHBA, Donald Trump vijon të japë sinjale se sipas tij problemi qëndron tek evropianët për ngecjen në negociata. Presidenti amerikan sheh te aleatët e vet pengesën për paqen, në vend të personit që ka urdhëruar agresionin dhe pushtimin e paligjshëm të vendit fqinj.  Ai shpërndau një Truth Social një artikull të Neë York Post me titullin: “Evropianët e pafuqishëm nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të zemërohen që Trump me të drejtë i përjashton nga marrëveshja me Ukrainën”.

Teksti argumenton se bllokimi i marrëveshjes nga Kontinenti i Vjetër është një "dhuratë" për Putinin. "Të rriturit negociuan këtë propozim për Ukrainën duke i injoruar evropianët. Sigurisht që evropianët ndihen të përulur; SHBA dhe Rusia po formësojnë të ardhmen e Evropës pa i konsultuar. Por nëse sillesh si fëmijë, do të trajtohesh si i tillë”, thotë artikulli i shpërndarë nga Trump. 

Lideri i Shtëpisë së Bardhë e shënjestroi Evropën edhe në një intervistë për Politico, duke e cilësuar si një grup kombesh "në proces kalbjeje" të udhëhequra nga njerëz të dobët. 

"Mendoj se janë të dobët. Por mendoj gjithashtu se ata duan të jenë shumë politikisht korrektë. Mendoj se ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë", u shpreh Trump.

Shënjestroi gjithashtu edhe Kievin, teksa tha se po përdor luftën për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve.

“Mendoj se është një moment i rëndësishëm për të mbajtur zgjedhje. Ata po përdorin luftën për të shmangur zgjedhjet, por mendoj se populli ukrainas duhet ta ketë këtë zgjedhje. Dhe ndoshta Zelensky do të fitonte. Nuk e di kush do të fitonte. Por ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë. Ata flasin për demokracinë, por arrin në një pikë ku nuk është më demokraci."

Më herët, Zelensky tha për gazetarët se propozimet për paqe po finalizohen dhe do t'i dërgohen Shteteve të Bashkuara sot. Udhëheqësi ukrainas shtoi se plani fillestar i paqes prej 28 pikash i Trump, i kritikuar për favorizimin e Rusisë, është reduktuar në 20 pika.

Një ditë më parë Zelensky zhvilloi në Londër një raund bisedimesh të rëndësishme me kryeministrin britanik Keir Starmer, homologun francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, për të diskutuar versionin e planit të paqes, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:40
BE i përgjigjet Trump: Jemi krenarë dhe mirënjohës për udhëheqësit tanë

1762962667_flamuriibe.jpg

"Do të përmbahem nga komentimi mbi këto deklarata, përveçse për të konfirmuar se jemi shumë krenarë dhe mirënjohës që kemi udhëheqës të shkëlqyer, duke filluar me udhëheqësen e këtij institucioni, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Jemi vërtet krenarë për ata që na udhëheqin në adresimin e shumë sfidave me të cilat përballet bota." 

Kështu deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian Paula Pinho, e pyetur në konferencën e përditshme për shtyp në lidhje me sulmet e Trump se BE-ja është një grup kombesh në rënie të udhëhequra nga njerëz të dobët. 

"Ndjenja e miliona evropianëve është e qartë: ne jemi krenarë për udhëheqësit tanë. Ne kemi shumë udhëheqës të tjerë në krye të 27 Shteteve Anëtare që janë pjesë e këtij projekti evropian, këtij projekti paqeje dhe që po e udhëheqin Unionin me vendosmëri përballë të gjitha vështirësive që po përjetojmë, brenda dhe përtej fqinjësisë sonë. Në vitet e fundit, jemi përballur me një numër të madh sfidash: nga lufta që përfshin fqinjin tonë, Ukrainën, deri te kriza energjitike që e ndjemë kaq fort dhe të cilën arritëm ta kapërcejmë së bashku.", shtoi ajo. 
 

Ora 14:38
Trump tha se janë të dobët, këshilltari i Putinit: Presidenti i SHBA po thotë të vërtetën për evropianët

1764661175_kirilldmitriev.jpg

Donald Trump po thotë të vërtetën për udhëheqësit evropianë. Kështu deklaroi Kirill Dmitriev, këshilltari presidencial rus për investimet e huaja dhe negociatori me Shtetet e Bashkuara, në një postim në rrjetin social X në lidhje me intervistën e presidentit amerikan me Politico. 

Dmitriev citon konkretisht disa nga deklaratat e Trump, duke përfshirë: "Mendoj se ata janë të dobët, por gjithashtu mendoj se ata duan të jenë politikisht korrektë... Evropa nuk di çfarë të bëjë". 

Në intervistë, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se për Ukrainën, evropianët "flasin, por nuk prodhojnë (rezultate) dhe lufta thjesht vazhdon".

Ora 13:39
Bisedimet për Ukrainën, Trump: Zelensky e pranon situatën, ai po humbet

1765175375_volodymyrzelenskydonaldtrump.JPG

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po i kërkon Volodymyr Zelenskyt të pranojë situatën dhe faktin se Ukraina po e humbet luftën. Në një intervistë me Politico, kur u pyet për mundësinë që Zelensky ta refuzojë marrëveshjen e paqes, Trump deklaroi se presidenti ukrainas "duhet të ndërmarrë hapa dhe të fillojë të pranojë gjërat" sepse ai po e humb konfliktin. 

"Ata humbën territor shumë kohë para se unë të vija këtu. Ata humbën një brez të tërë bregdetar, një brez të madh bregdetar. Kam qenë këtu 10 muaj, por nëse kthehesh 10 muaj prapa dhe shikon, ata e humbën të gjithë atë brez. Tani është një brez më i madh, një brez më i gjerë. Por ata humbën shumë territor, dhe territor të mirë gjithashtu. Sigurisht që nuk mund ta quash fitore", përfundoi ai.

Ora 12:51
Trump sulmon Kievin: Po përdor luftën për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve

1765281842_trump.webp

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka sulmuar homologun ukrainas Volodymyr Zelensky duke thënë se po përdor luftën për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve.

Në një sfidë të re ndaj Zelenskyt, i cili duket i dobësuar politikisht në Ukrainë për shkak të një skandali korrupsioni, Trump përsëriti thirrjen e tij që Ukraina të mbajë zgjedhje të reja. Në një intervistë për Politico, lideri i Shtëpisë së Bardhë tha:

“Mendoj se është një moment i rëndësishëm për të mbajtur zgjedhje. Ata po përdorin luftën për të shmangur zgjedhjet, por mendoj se populli ukrainas duhet ta ketë këtë zgjedhje. Dhe ndoshta Zelensky do të fitonte. Nuk e di kush do të fitonte. Por ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë. Ata flasin për demokracinë, por arrin në një pikë ku nuk është më demokraci."

Ora 12:49
Zelensky pas takimit me Papa Leone XIV: E ftova Atin e Shenjtë që të vizitojë Ukrainën

1765281004_volodymyrzelenskypapaleonii14.jpeg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se e ka ftuar Papa Leone XIV që të vizitojë vendin e tij. Pas takimit me Atin e Shenjtë, Zelensky shkroi në rrjete sociale se vizita e tij do të shënonte një mbështetje të fortë për popullin në luftë. 

"E ftova Papën të vizitojë Ukrainën. Ky do të jetë një sinjal i fortë mbështetjeje për popullin tonë. Ukraina e vlerëson shumë gjithë mbështetjen e Papës Leo XIV dhe Selisë së Shenjtë, ndihmën e vazhdueshme humanitare dhe gatishmërinë për të zgjeruar praninë e misioneve humanitare.

E informova Papën për punën diplomatike me Shtetet e Bashkuara për të arritur paqen. Diskutuam përpjekjet e mëtejshme dhe ndërmjetësimin e Vatikanit për kthimin e fëmijëve tanë, të rrëmbyer nga Rusia", u shpreh ai. 

Ora 09:04
Negociatat për Ukrainën, Trump: Evropianët janë të dobët

1762963590_trump.JPG

Nga SHBA Donald Trump vijon të japë sinjale se sipas tij problemi qëndron tek evropianët për ngecjen në negociata. Presidenti amerikan sheh te aleatët e vet pengesën për paqen, në vend të personit që ka urdhëruar agresionin dhe pushtimin e paligjshëm të vendit fqinj. 

Konfirmimi erdhi pasdite, kur Trump shpërndau në Truth një artikull të New York Post me titullin: “Evropianët e pafuqishëm nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të zemërohen që Trump me të drejtë i përjashton nga marrëveshja me Ukrainën”. Teksti argumenton se bllokimi i marrëveshjes nga Kontinenti i Vjetër është “një dhuratë për Putinin.

Të rriturit negociuan këtë propozim për Ukrainën duke i injoruar evropianët. Sigurisht që evropianët ndihen të përulur; SHBA dhe Rusia po formësojnë të ardhmen e Evropës pa i konsultuar. Por nëse sillesh si fëmijë, do të trajtohesh si i tillë”, thotë artikulli i shpërndarë nga Trump.