Turqia po reagon fort pas dy sulmeve të përgjakshme në shkolla: 162 persona janë arrestuar për postime në rrjete sociale që lavdëronin autorët dhe nxisnin dhunë, ndërsa mbi 1100 llogari janë bllokuar.

Masat vijnë menjëherë pas dy ngjarjeve të rënda që tronditën vendin brenda pak ditësh.

Në Kahramanmaras, një 14-vjeçar hapi zjarr në një shkollë, duke vrarë 8 nxënës dhe një mësues, ndërsa 13 të tjerë mbetën të plagosur, disa në gjendje kritike. Edhe vetë autori humbi jetën gjatë sulmit. Sipas hetimeve, ai e kishte planifikuar paraprakisht ngjarjen dhe kishte referenca ndaj Elliot Rodger.

Një ditë më parë, një tjetër sulm ndodhi në një shkollë në juglindje të vendit, ku një ish-nxënës qëlloi pa dallim, duke lënë 16 të plagosur përpara se të vriste veten.

Pas këtyre ngjarjeve, autoritetet turke kanë ndërhyrë edhe në hapësirën online. Ministri i Drejtësisë Akın Gürlek bëri me dije se të ndaluarit akuzohen për shpërndarje videosh nga sulmet, përhapje paniku, nxitje dhune dhe dezinformim.

Po ashtu, 67 persona të tjerë janë ndaluar pasi dyshohet se kanë publikuar mesazhe që paralajmëronin sulme të reja në shkolla.

Ndërkohë, vendi është në zi. Qindra qytetarë janë mbledhur për funeralet e viktimave, ndërsa familjarët kërkojnë masa më të forta sigurie në shkolla për të shmangur tragjedi të tjera.


Lajmi kryesor:

‘Shoku im u plagos!’/ Shkon në 9 numri i viktimave nga sulmi tragjik me armë në Turqi, 6 prej të lënduarve në gjendje kritike për jetën