TIRANË - Adriatik Lapaj doli sërish mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë pas la ambientet e Spitalit të Traumës, ku mori ndihmën dhe trajtimin e nevojshëm mjekësor për shkak se u godit në kokë nga ngrohësja që përdorte prej afro 1 muaji, gjatë aksionit të policisë për heqjen e materialeve dhe sendeve që kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” kishte mbledhur para godinës qeveritare për të zgjatur protestën e tij.
Lapaj bëri thirrje që qytetarët të bashkohen dhe të protestojnë kundër kryeministrit Edi Rama deri në rrëzimin e qeverisë.
“Rama e ka vendosur precedentin e çadrës nuk e kam vendosur unë. Këtij i duket Republika si pronë private. Ramës po themi që ka vjedhur republikën bashkë me kolegët. Nuk e them unë e thotë gjykata. Një muaj rresht është thyer ndonjë lule këtu nga ne, ndonjë xham, po kur bëjmë proteste ne nuk duhet të lejohemi… Unë mendoj që në këtë vend ka shumë për të protestuar…Kauza është që këta nuk mund të na tallin. Nuk mund të na vjedhin dhe të na dalin në mbrëmje gala dhe ndërkohë problemi janë ata që reagojnë…”, tha ai.
Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” solli në fjalën e tij edhe akuzat penale që rëndojnë ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Unë jam kam fajin Belinda Ballukut që 53 mln i çon në drejtim të paditur. Unë ia kam fajin këtyre për 400 mln eurot e inceneratorëve dhe plehrat ngelen rrugëve. Unë ditën që nuk i them këto nuk rri më në jetë publike…Dhe madje as në Shqipëri…Unë po merrem me Edi Ramën si kryeministër, me Edi Ramën që ka marrë në mbrojtje Belinda Ballukun. Jo Ballukun si zonjë si grua si nënë, por si ministre dhe zv/kryeministre që është kapur në abuzim. Me Belindën si njeri nuk ka problem, problemin e kam me funksionarin e shtetin… Unë këtu do rri le të më procedojnë…”, tha Lapaj.
Përplasja e dhunshme mes policisë dhe Lapajt, së bashku me aktivistët pjesë e qëndresës së tij dhe mbështetësve të “Shqipëria Bëhet” në orët e vota të natës përballë kryeministrisë, përfundoi me 4 persona të arrestuar, 9 nën hetim dhe 5 të tjerë të dërguar për mjekim tek spitali i Traumës, mes tyre 2 efektivë dhe vetë avokati.
Lidhur me këtë situatë një reagim zyrtar ka ardhur dhe nga Ministria e Drejtësisë ku u bë me dije se 5 persona u dëmtuan, 2 protestues, 2 efektivë dhe Lapaj.
Ndërhyrja e policisë erdhi si qëllim për të prishur tendën e ngritur me plasmas në trotuarin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku protestuesit kalojnë netët që prej datës 8 dhjetor të motivuar nga qëllimi për të rrëzuar qeverinë aktuale.
Adriatik Lapaj i vetëm më 8 dhjetor, vendosi të qëndronte pa lëvizur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” poshtë zyrës së Ramës e më pas atij iu bashkuan mbështetës së partisë së tij si dhe aktivistë.
Komente











