Këtë të martë nis rigjykimi për vdekjen e legjendës së futbollit Diego Maradona, i cili vdiq në moshën 60-vjeçare prej sëmundjes së zemrës.
Gjyqi i parë që nisi në maj 2025 u ndërpre pasi një nga tre gjyqtarët e çështjes dyshohet se lejoi xhirime të paautorizuara në sallën e gjyqit për një dokumentar.
Ekipi mjekësor i Maradonës akuzohet se nuk ka ofruar kujdesin e duhur dhe shtatë persona do të gjykohen për vrasje me dashje. Ata i mohojnë akuzat. Nëse shpallen fajtorë, përballen me nga 8 deri në 25 vite burg.
Legjenda e futbollit ishte në fazë rikuperimi në shtëpinë e tij në Tigre, në provincën e Buenos Aires, pas një operacioni të suksesshëm për një mpiksje gjaku në tru që i kishte ndodhur atë muaj.
Hetuesit e klasifikuan çështjen si vrasje nga pakujdesia, një krim i ngjashëm me vrasjen e paqëllimshme, pasi thanë se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm për seriozitetin e gjendjes shëndetësore të Maradonës, por nuk morën masat e nevojshme për ta shpëtuar.
Mosfunksionimi i zemrës bëri që ai të pësonte edemë pulmonare akute, kur lëngu grumbullohet në mushkëri, siç konfirmoi autopsia paraprake.
Një panel ekspertësh mjekësorë, i kërkuar nga prokurorët për të hetuar ekipin mjekësor të Maradonës, tha se trajtimi që ai mori në shtëpi ishte “i mangët dhe i pakujdesshëm”. Sipas rezultateve, futbollisti “do të kishte pasur një shans më të mirë mbijetese” me trajtim të duhur në një institucion mjekësor të përshtatshëm.
Shtatë personat që do të gjykohen janë këshilltari i tij mjekësor, Leopoldo Luque, dhe psikiatren e tij Agustina Cosachov. Ish-infermierja e tij, Dahiana Gisela Madrid, do të përballet me një gjyq të veçantë.
Rreth 100 persona pritet të dëshmojnë përpara një trupi të ri gjyqtarësh në një gjykatë në San Isidro, përfshirë vajzat e Maradonës. Gjyqi pritet të zgjasë deri në korrik.
Kur futbollisti vdiq më 25 nëntor 2020, atëherë presidenti i Argjentinës Alberto Fernandez shpalli tri ditë zie kombëtare.
“Faleminderit që ke ekzistuar, Diego. Do të na mungosh gjithë jetën,” tha ai.
Maradona e nisi karrierën te Argentinos Juniors. Më pas përfaqësoi Argjentinën në katër Kupa Bote, duke shënuar 34 gola, përfshirë golin famëkeq “Dora e Zotit” kundër Anglisë në vitin 1986.
Gjatë gjysmës së dytë të karrierës së tij, ai pati probleme me varësinë ndaj kokainës. U pezullua për 15 muaj pasi rezultoi pozitiv në vitin 1991.
Ai u tërhoq nga futbolli profesionist në vitin 1997, në ditëlindjen e tij të 37-të, gjatë periudhës së tij të dytë te gjiganti argjentinas Boca Juniors.
Maradona u emërua trajner i ekipit kombëtar në vitin 2008 dhe u largua pas Kupës së Botës 2010, ku skuadra e tij u mund nga Gjermania në çerekfinale.
Më pas ai drejtoi ekipe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Meksikë dhe ishte në krye të klubit argjentinas Gimnasia y Esgrima në momentin e vdekjes së tij.
Komente




