Legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona tani do të ketë një markë të vetën. Pesë trashëgimtarët e ‘Pibe de Oro’, i cili ndërroi jetë në vitin 2020, kanë nënshkruar një marrëveshje me sipërmarrësin suedezo-iranian Ash Pournouri dhe kompaninë e tij Electa Global, për të tregtuar produkte nën emrin 'Maradona'.
Sipas marrëveshjes, fillimisht veshje, këpucë dhe aksesorë të nivelit të lartë do të dizenjohen për tregun evropian. Kompania do të menaxhojë të gjitha aspektet e dizajnit, prodhimit, marketingut dhe shitjes me pakicë, duke punuar ngushtë me familjen e Maradonës.
“Nuk ka shumë produkte zyrtare të Maradonës”, tha Pournouri për AFP-në, duke theksuar se kjo marrëveshje afatgjatë synon të ruajë integritetin dhe trashëgiminë e legjendës.
Numri 10 legjendar i Argjentinës ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, por ndryshe nga disa yje të futbollit si Cristiano Ronaldo apo Kylian Mbappe, Maradona nuk kishte ndërtuar kurrë një markë personale gjatë jetës.
“Kjo është pjesërisht për shkak të faktit se gjatë jetës së tij dhe pas vdekjes, familja nuk donte që askush të shfrytëzonte emrin e tij”, shtoi Pournouri, duke theksuar se u desh kohë për të fituar besimin e tyre.
Trashëgimtarët shprehen se kjo markë nuk ka të bëjë vetëm me produktet, por me ruajtjen e shpirtit të Diegos; pasionin, energjinë dhe dashurinë për njerëzit.
“Emri i babait tonë do të thotë shumë për miliona njerëz në mbarë botën,” thanë ata.
Komente





