Dje u mbushën 65 vite nga dita e lindjes së Diego Armando Maradonës, legjendës së pavdekshme argjentinase që për shumë tifozë mbetet “Zoti i Futbollit”. Organizime të ndryshme u bënë për të në Napoli dhe Argjentinë, ndërsa të shumtë janë ata që ende kujtojnë kohën kur Diego mrekullonte në fushë, paçka se është ndarë nga jeta pesë vite më parë.
I lindur më 30 tetor 1960, Maradona është një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori dhe një simbol i gjallë i pasionit, talentit dhe rebelimit në sportin më të dashur të planetit.
Në Argjentinë, Maradona është më shumë se një futbollist. Emri i tij përmendet me adhurim jo vetëm në stadiume, por edhe në kulturë, art e përditshmëri. Ai frymëzoi miliona fëmijë të nisnin të luanin futboll dhe u admirua jo vetëm nga sportistët, por edhe nga aktorë, këngëtarë, biznesmenë e madje edhe figura të botës së krimit.
Një nga historitë më të pabesueshme që lidhen me jetën e tij është miqësia me bosin famëkeq kolumbian të drogës, Pablo Escobar. Në vitin 1991, Escobar ndërtoi burgun e tij privat, të quajtur “La Catedral”, që në realitet ishte një kompleks luksoz me fushë futbolli, pishinë dhe ambiente festive.
Sipas dëshmive, Escobar shpesh merrte në “La Catedral” yjet më të njohur të Amerikës së Jugut për t’u argëtuar me ndeshje futbolli. Ndër ta, ishte edhe Diego Maradona, i cili ka treguar vetë për përvojën e tij të çuditshme në një intervistë të rrallë.
“Më çuan në një vend të rrethuar nga mijëra roje. Mendova se isha arrestuar. Por brenda ishte si një hotel me pesë yje”, kujtonte Maradona.
“Më thanë: ‘Diego, ky është El Patron.’ Nuk kisha asnjë ide kush ishte. Më tha se e donte lojën time dhe se identifikohej me mua, sepse të dy kishim filluar nga poshtë.”
Maradona rrëfeu se luajtën një ndeshje miqësore së bashku me Rene Higuitën dhe më pas pati një festë madhështore “me vajzat më të bukura që kishte parë ndonjëherë në burg”.
“Të nesërmen, Escobar më pagoi dhe më tha lamtumirë. Ishte diçka që nuk do ta harroj kurrë”, tregonte Maradona.
Sot, 65 vjet pas lindjes së tij, bota kujton Maradonën jo vetëm si një lojtar të jashtëzakonshëm, por si një njeri që përfaqësonte të gjitha emocionet njerëzore, gjenialitetin, pasionin, rebelimin dhe dashurinë e pakushtëzuar për futbollin.
Komente




