Gati gjashtë vjet pas vdekjes së Diego Armando Maradonës (25 nëntor 2020), po dalin në dritë detaje të reja në gjyqin ku janë të pandehur shtatë mjekë, infermierë dhe ekip mjekësor që kujdesej për legjendën argjentinase. Procesi po zhvillohet në San Isidro, në zonën metropolitane të Buenos Airesit.
Prokuroria pretendon se neglizhenca dhe mungesa e kujdesit të duhur mjekësor mund të kenë ndikuar në vdekjen e ish-futbollistit. Një nga dëshmitë më të rëndësishme ishte ajo e masazhatorit Nicolas Taffarel, i cili përshkroi gjendjen fizike dhe psikologjike të Maradonës në javët e fundit para vdekjes.
Dëshmia e masazhatorit - Para gjykatësve, Taffarel tregoi se Maradona "nuk ngrihej nga shtrati, nuk donte të hante dhe nuk pranonte të lahej."
Ai shpjegoi se kishte shprehur disa herë shqetësimet e tij ndaj stafit mjekësor, duke kërkuar që Maradona të monitorohej më nga afër dhe të vizitohej çdo ditë, gjë që sipas tij provohet edhe nga një mesazh zanor i paraqitur gjatë seancës gjyqësore.
Gjendja po përkeqësohej - Gjatë dëshmisë, Taffarel tha se kishte raportuar vazhdimisht për përkeqësimin e gjendjes së Maradonës, por nuk pa asnjë reagim të duhur.
"I njoftova për problemet që po vëreja tek ai, por nuk pashë as veprime konkrete dhe as një zgjidhje të shpejtë", deklaroi ai mes emocioneve.
Ai shtoi se Maradona ishte shumë i enjtur, veçanërisht në këmbë.
"Mjekët më thoshin të mos shqetësohesha, se gjithçka do të kalonte. Kur je i shqetësuar, u beson atyre dhe mendon se gjithçka do të zgjidhet. Por kjo nuk ndodhi", vijoi ai.
Takimi i fundit dhe refuzimi i matés - Masazhatori kujtoi edhe takimin e fundit me Maradonën, më 24 nëntor 2020, një ditë para vdekjes së tij.
Ai i propozoi të kalonin pak kohë së bashku duke pirë një maté (pija tradicionale argjentinase), por Maradona nuk pranoi.
"Më tha: 'Nuk dua asgjë, Taffita, mjaft kështu'. Unë e pyeta: 'Çfarë do të thuash me "mjaft kështu"?' Ai m'u përgjigj: 'Asgjë... mjaft kështu'."
Shprehja në spanjisht "ya está" është interpretuar në mënyra të ndryshme: si "mjafton kaq", "është në rregull kështu" ose edhe "gjithçka ka marrë fund".
Vdekja dhe dyshimet mbi kohën e saj - Koha e vdekjes së Maradonës është një nga çështjet kryesore të procesit. Sipas ekspertizave mjeko-ligjore, ai kishte kaluar disa orë në agoni përpara se të ndërronte jetë, edhe pse ekspertët nuk bien dakord për kohëzgjatjen e saktë.
Shtatë të pandehurit, të cilët rrezikojnë deri në 25 vjet burg, mohojnë çdo përgjegjësi. Shumica prej tyre pretendojnë se kanë vepruar vetëm brenda kompetencave të tyre dhe se roli i tyre nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me shkaqet e vdekjes së Maradonës.
Gjatë gjyqit u publikuan edhe biseda nga grupi në aplikacionin e komunikimit të rojave të sigurisë, ku pas vdekjes së Maradonës ata shkruanin se "mjekët ishin në panik" dhe se "do të përfundonin në burg".
Procesi pritet të zgjasë ende, pasi çështja vazhdon të nxjerrë në pah detaje të reja. Vetëm përmes këtij gjykimi do të jetë e mundur të rindërtohet plotësisht se çfarë ndodhi në ditët e fundit të jetës së Diego Armando Maradonës.









Komente
Komento