Pas PD, edhe LSI kundër shortit
për KED:Procedura antiligjore

Pas PD, edhe LSI kundër shortit<br />për KED:Procedura antiligjore<br>
Menjëherë pas Partisë Demokratike, edhe LSI ka dalë zyrtarisht kundër shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili, i është drejtuar me një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, teksa i sqaron se LSI nuk mund të bëhet pjesë e këtij procesi, që sipas tij, po zhvillohet me procedura aspak ligjore.

Letra e plotë e Petrit Vasilit:

I nderuar Zoti Kryetar,

Në përgjigje të shkresës suaj nr.2927/15 prot, datë 23.11.2017, “Lidhur me organizimin e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”,  grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e vlerësuar me seriozitet dhe përgjegjshmëri fazën më të rëndëishme atë të implementimit të reformës në sistemin e drejtësisë, përtej çdo qasje politike, si dhe pasi e diskutoi këtë çështje duke bërë njëkohësisht një vlerësim ligjor dhe konstitucional të procesit, arrin në konkluzionin unanim se procesi që ju po zhvilloni, bazohet në argumenta dhe fakte që nuk gjejnë aspak mbështetje ligjore dhe kushtetuese.

Në këtë mënyrë, grupi parlamentar i LSI, nuk mund të bëhet pjesë e procesi përzgjedhës të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili po zhvillohet me procedura aspak ligjore dhe bazuar në kritere të cilat janë në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr.115/2016 “për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”. Për këtë arsye, ju kërkojmë ndërprejen e procesit të hedhjes së shortit dhe ndërmarrjen e nismave me qëllim thirrjen e konferencës së kryetarve me qëllim që Kuvendi, të iniciojë një proces serioz të kapërcimit të situatës së krijuar dhe frenimin e çdo iniciative të këtij lloji që do të prodhojë me pa më të voglin dyshim pasoja të rënda për vëndin, duke cënuar besimin e publikut tek reforma në drejtësi.

Në lidhje me këtë bindje të krijuar, grupi parlamentar i LSI, parashtron argumentat e mëposhtëm ligjor; Së pari, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Ky organ kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Krijimi i këtij organi parashikohet në kushtetutë dhe konkretisht në nenin 149/d, të saj ku veç të tjerash citohet se: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) përbëhet nga 9 anëtarë, të përzgjedhur me short nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtar nga gjykatat e apelit, dy prokurorë nga gjykatat e apelit, një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj.

Në shkresën tuaj, ju i jeni referuar vetëm pikës 3, të nenit 149/d, por kushtetuta nuk lexohet dhe as zbatohet në mënyrë të fragmentarizuar, por në tërësinë e saj, për gjithë nenin, ku mund të vecojmë pikën 5, të po këtij neni, ku citohet se: “Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj”.

Pra në kushtet aktuale, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve që shoqërojnë atë, do të duhet që kuvendi në procesin përzgjedhës për herë të dytë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duhet të zbatojë jo vetëm kriteret e pikës 3, të nenit 149/d të kushtetutës, por në këtë proces kaq delikat dhe të rëndësishëm, do të duhet që të aplikohen kriteret solide kualifikuese të parashikuara në ligjin specifik.

Së dyti, në nenin 221, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, përcaktohen qartë kushtet, kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për në KED, por dhe organet kompetente që kanë për detyrë të verifikojnë dhe të propozojnë listat e kandidaturave. Konkretisht në këtë dispozitë parashikohet se :

Neni 221

Kushtet dhe kriteret për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit dhe procedurat e përzgjedhjes

1. Mund të përfshihen në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm ata magjistratë dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, në momentin e organizimit të shortit, plotësojnë kushtet e mëposhtme:

a) në kohën e hedhjes së shortit magjistrati e ka ushtruar funksionin për të paktën 10 vjet dhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese për të paktën 1 vit;

b) nuk ka një masë disiplinore në fuqi;

c) nuk ka filluar një procedim disiplinor para kandidimit;

ç) magjistrati ka përfunduar ciklin e plotë katër ose pesëvjeçar të studimeve në drejtësi;

d) magjistrati ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës;

dh) magjistrati është vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe profesional;

e) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

ë) magjistrati ose gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk është dënuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave.

2. Kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti.

3. Jo më vonë se data 15 nëntor e çdo viti kalendarik, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë verifikojnë nëse kandidatët për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi plotësojnë kushtet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, dhe i paraqesin Presidentit të Republikës dhe Kuvendit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet.

4. Lista me kandidatët që i plotësojnë kushtet dhe lista me kandidatët që nuk plotësojnë kushtet bëhen publike në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.

5. Kandidatët e përjashtuar njoftohen me shkrim, individualisht dhe në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit. Ata mund të ankohen brenda 5 ditëve nga data e njoftimit në Gjykatën Administrative të Apelit.

6. Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda 7 ditëve nga data e depozitimit të ankimit. Vendimi i saj është përfundimtar dhe i formës së prerë.

7. Presidenti i Republikës, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik. Përveç anëtarëve të parashikuar në pikën 1, të nenit 220, të këtij ligji, Presidenti i Republikës zgjedh edhe një anëtar zëvendësues nga secili institucion në të njëjtin short.

8. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të përzgjedhë anëtarët e Këshillit deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit, në prani të Avokatit të Popullit, i përzgjedh ata brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik.

9.Presidenti i Republikës, miraton rregulla të mëtejshme për zhvillimin e procedurës së shortit, të cilat, në çdo rast, duhet t’u përmbahen parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit të procesit.

10. Rezultatet e shortit dhe përmbledhja e procesverbalit të procesit të shortit bëhen menjëherë publike në faqen zyrtare të internetit të Presidentit të Republikës.

11. Avokati i Popullit bën menjëherë publik në faqen zyrtare të institucionit raportin e monitorimit të procesit të shortit.

Referuar këtij neni, i cili është i vetmi parashikim ligjor që rregullon mënyrën se si propozohen dhe vlerësohen kandidaturat, lind pyetja: Cili është institucioni që ka përcjellë kandidaturat për të marrë pjesë në shortin për zgjedhjen e KED-së, pasi sic dihet përvec Gjykatës Kushtetuese, qoftë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokuorisë, janë institucionet të reja që duhet, por që nuk janë krijuar ende ?!.

Referuar shkresës suaj, ju i jeni referuar nenit 284, të ligjit nr.115/2016, duke lënë kështu të nënkuptohet se kandidaturat mund t’i jenë kërkuar apo mund të jenë përcjellë nga institucionet e Prokurorit të Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së dhe Gjykatës së Lartë,.

Nëse kjo gjë është e vërtetë, atëherë lind pyetja tjetër ; Se mbi cfarë baze ligjore i është kërkuar këtyre institucioneve të përcjellin kandidaturat e tyre, pasi në asnjë paragraf të ligjit apo të vet dispozitës së nenit 284, nuk citohet se për cdo vit këto institucione duhet ta kryejnë këtë funksion ?!. 

Nëse dicka e tillë ka ndodhur kjo do të thotë se jemi përpara një përpjekje tepër të rafinuar për të intimiduar institucionet aktuale, për të kapur institucionet e reja të sistemit të ri të drejtësisë, pasi nuk mundet kurrësesi që të ndërtosh një institucion të ri, bazuar në dispozita ligjore të skaduara, pasi cdo produkt që do të prodhohej prej këtij procesi do të ishte helmues për sistemin e drejtësisë dhe qytetarët e vëndit.

Për qartësinë e të gjithëve dhe publikut, vlen të theksojmë se  vendi aktualisht ndodhet në një vakum të plotë institucional në sistemin e drejtësisë, pasi dy organet kryesore që do të qeverisin sistemin e së drejtës qoftë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë i Prokurorisë nuk janë krijuar. Gjithashtu sa iu takon zgjedhjes së KED-së, nuk ekziston asnjë dispozitë tjetër në ligjin nr.115/2016, që të përcaktojë se kush nga institucionet aktuale i merr kompetencat e tyre për të propozuar kandidatë për në KED.

Në këtë situatë, e vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga Kuvendi, por jo për tu intepretuar ligji nga Kryetari i Kuvendit, por për tu investuar menjëherë për të plotësuar çdo vakum ligjor dhe për të krijuar mekanizmin e përshtatshëm për një proces transparent dhe kushtetues.

Dispozita të cilës ju i referoheni, pra neni 284 i ligjit nr.115/2016, ka hyrë në fuqi në mes të muajit dhjetor 2016 dhe sipas parashikimeve, këto dispozita do të realizonin zgjedhjen e Këshillit të Përkohshëm të Emërimit në Drejtësi, edhe në kushtet kur afatet kushtetuese të parashikuara nga neni 179, pika 11 ishin kapërcyer. Pra Kuvendi vitin e kaluar me ligjin nr.115/2016, dhe me dispozitën e nenit 284, krijoj mekanizmin për të zgjedhur një KED të përkohshme, gjë e cila u zgjodh më datë 27 janar 2017, por në asnjë paragraf të këtij neni, nuk permendet fakti se deri në momentin e krijimit të KLGJ dhe KLP, do të vazhdojë të përdoren këto dispozita.

Pra  në këto kushte, rezulton se ky proces po zhvillohet bazuar në një dispozitë që ka skaduar, sepse ajo është dispozitë tranzitore dhe ka zgjidhur fazën fillestare të hyrjes në fuqi të ligjit dhe rregullonte një proces të përkohshëm për një KED të përkohshme të cilës i përfundon mandati në 31 dhjetor 2017.

Ndoshta për këdo nga shqiptarët, nuk është e thjeshtë të kuptohet një devijim kaq i hollë juridik, me pasojë kaq të madhe për shoqërinë në tërësi, por e thënë me fjalë të thjeshta sot, në kushtet që jemi, nuk ka një dispozitë në ligj, që është e zbatueshme për të zgjedhur një KED. Pra cdo proces po zhvillohet jashtë ligjit, dhe në kundërshtim me kushtetutën.

Së treti, e vetmja dispozitë në fuqi që mund të zbatohej në këtë proces dhe aktualisht, është neni 221 i ligji nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, por që realisht paraqet një ngërc sepse nuk janë krijuar institucionet e KLGJ dhe KLP dhe nuk ka një parashikim se kush institucion do të ushtrojë kompetencat e tyre për këtë cështje për të propozuar kandidatë për në KED. Kjo situatë e moskrijimit të institucioneve nuk mund të legjitimojë aspak Kryetarin e Kuvendit të nxjerrë urdhëra me qëllim krijimin e një modeli udhëzues se si kjo çështje do të duhet të realizohet.

Në këtë mënyrë lihet qartësisht të kuptohet se maxhoranca po përpiqet të kapë institucionin e KED-së, në mënyrë që nëpërmjet tij, të përzgjedhë më vonë, Kryeinpektorin e Lartë të Drejtësisë dhe anëtarët e Gjyaktës Kushtetues, pra  në praktikë të uzurpojë gjithë sistemin.

Kjo do të sillte fundin e reformës dhe humbjen përfundimtare të besimit të publikut tek qëllimi për të cilën u ndërmorr ajo. Nuk mund të mos arrijmë në këtë konkluzion kur mazhoranca përpiqet që me të njëjtën mënyrë të zgjedhë një Prokuror të Përgjithshëm, edhe ky i  Përkohshëm, me shumicë parlamentare të thjeshtë, pasi kjo metodë tashmë evidente, është e dalë boje, tërësisht e kuptueshme për gjithë publikun dhe në thelb antikushtetuese.

I nderuar Kryetar,

Si një person me eksperiencë në jetën politike të vendit, Ju bëjmë thirrje që ta vlerësoni me kujdes këtë shqetësim, pasi procesi që ju po zhvilloni është tërësisht i pavlefshëm ligjërisht, dhe shumëfish antikushtetues, pasi pa u lodhur në përsëritje ky proces;

Bazohet në kandidatura që janë siguruar nga institucione që ligji nuk ja njeh të drejtën për ti përzgjedhur, dhe askush përvec ligjit nuk mund tjua ngarkojë këtë detyrë; Ky proces po ndërtohet bazuar në Urdhëra dhe vullnetin e Kryetarit të Kuvendit, ndërkohë që kushtetuta dikton se kriteret përcaktohen në ligj;

Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore dhe kushtetuese që zgjidh situatën e krijuar në mungesë të institucioneve të KLGJ dhe KLP; Kriteret kualifikuese të kandidatëve që pretendohet të marrin pjesë në short për zgjedhjen e KED-së, nuk janë kriteret që kërkon ligji nr.115/2016, neni 221.

Kandidatëve që nuk përfshihen në listën për short u është mohuar faktikisht e drejta për tu  ankuar; Për këto arsye e shumë të tjera, i gjithë procesi jo vetëm që është një proces “nul” dhe antikushtetues, por e gjithë veprimtaria e kujtdo në lidhje me të, është e dënueshme moralisht nga populli, por dhe ligjërisht nga Kodi Penal.

Në përfundim, ju deklarojmë se grupi ynë parlamentar nuk do të jetë i pranishëm dhe as do të legjitimojë këtë farsë, por do të jetë gjithëmonë i gatshëm, për të mbrojtur kushtetutën dhe për të dhënë mbështetjen e nevojshme për të siguruar krijimin sa më shpejt të institucioneve të reja, si dhe për të realizuar ndërhyrjet e nevojhshme në kuadrin ligjor me qëllim kthimin në shtratin kushtetues të të gjithë procesit të implementimit të reformës së miratuar për sistemin e drejtësisë.

KRYETARI I GRUPIT PARLAMENTAR I LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM/PETRIT VASILI

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital