Përplasja mes protestuesve të “Shqipëria Bëhet” dhe policisë para Kryeministrisë ka kaluar tashmë në hetim penal.

Policia e Tiranës thotë se ka nisur procedim penal për Adriatik Lapajn dhe dy anëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje, pas tensioneve të krijuara gjatë protestës së zhvilluar dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas policisë, Lapaj, dhe dy personat me inicialet E. H. dhe A. B. dyshohen për “pushtim të tokës”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “prishje të qetësisë publike”. Veç të tjerash ë

Në të njëjtën ngjarje është proceduar edhe shtetasi M. P., pasi dyshohet se nuk iu bind urdhrave të punonjësve të policisë gjatë ndërhyrjes.

Protesta e së dielës para Kryeministrisë u shoqërua me tensione dhe përplasje me efektivët, ndërsa mbështetës të lëvizjes së Lapajt vijojnë prej javësh të qëndrojnë në zonë në formë proteste.

Që në 8 dhjetor të vitit të shkuar Adriatik Lapaj, qëndron tek  bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, poshtë zyrës së kryeministrit, ndërsa policia nuk i ka lejuar të vendosin çadra dhe sende të tjera, me pretekstin e bllokimit të lëvizjes së njerëzve në trotuar. 

Njoftimi i plotë i policisë 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. H. dhe A. B., për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si dhe për shtetasin M. P., pasi nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë në detyrë"