SHËNGJIN- Ndërsa një ditë më parë Eurodeputetja Doris Pack është nderuar me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”nga Presidenti Nishani sot ajo ka marrë titullin "Mirënjohja e Qytetit" nga Komuna e Shëngjinit.
 
Ky vlerësim i referohet kontributit që eurodeputetja ka dhënë në proceset integruese të Shqipërisë si dhe mbështetjen e treguar ndaj vendit tonë.
 
Kreu i komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj e ka cilësuar këtë ditë një ngjarje të veçantë për qytetin e vogël të Shëngjinit, pasi ky vlerësim është vetëm një shenjë mirënjohje për mbështetjen e pakursyer të zonjës Pack për çështjet e shqiptarëve.
 
Duke falënderuar Komunën e Shëngjinit për vlerësimin që i bëhet, eurodeputetja Doris Pack u shpreh se Shqipëria mund t’ia dalë shumë shpejt në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
 
“Shëngjini ishte një qytet i panjohur, por në të ardhmen unë do të jem këtu, pasi ky qytet meriton të jetë pjesë e Europës. Qasja e Shqipërisë drejt bashkimit europian është mjaft e mirë, dhe ndonëse si ne çdo vend tjetër asgjë nuk është perfekte, por shqiptarët do dinë t’ia dalin. Deputetët e Parlamentit Europian kanë qenë tejet të angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë ne rrugën e saj, një mbështetje që u është dhënë dhe do tu jepet në vazhdimësi edhe nga gjermania e kancelarja Merkel.”- tha Eurodeputetja Doris Pack.
 
Eurodeputetja Doris Pack ka bërë edhe një shëtitje në bulevardin e qytetit të Shëngjinit, duke parë nga afër vlerat e këtij qyteti bregdetar në veri të vendit tonë.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)