Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, e cila parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në turma ku ushtrohet dhunë, duke qenë në dijeni të saj.

Prezantimi vjen një ditë pas protestës së të shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private. Sipas kryeministrit Rama, një pjesë e pjesëmarrësve në protestë, të cilët ishin veshur me bluza të bardha, kishin ardhur si mercenarë nga Spanja, për të nxitur e ushtruar dhunë në Shqipëri.

Rama akuzoi Partinë Demokratike se ishte vënë në krye të dhunës së ushtruar gjatë protestës, ndërsa pretendoi se selia e saj ishte përdorur si strehim dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse.

“Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku PD doli nga prapavija në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik dhe në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe katër burimet e kësaj flame antidemokratike”, tha Rama.

Një nga masat e prezantuara është dëmshpërblimi i bizneseve të prekura nga dhuna. Përmes një akti normativ, bizneset e vogla do të dëmshpërblehen në masën 100% të dëmit, ndërsa bizneset e mëdha në masën 70%.

Kryeministri tha se ligji për riparimin e dëmeve, është hartuar sipas parimit “Kush thyen, paguan”, duke theksuar se përgjegjësia financiare për dëmet e shkaktuara do të bjerë mbi autorët dhe jo mbi taksapaguesit.

Rama tha se me vendim të Këshillit të Ministrave do të krijohet regjistri i posaçëm elektronik i personave të referuar për vepra penale kundër shtetit apo kundër sigurisë dhe rendit publik.

Përmes këtij regjistri, sipas Ramës, këtyre personave do u refuzohet dalja jashtë Shqipërisë, derisa të ‘mbarojnë punë’ me drejtësinë në vendin tonë.

“Me VKM krijohet regjistri i posaçëm elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit. Ky regjistër administrohet nga Policia dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre shtetasve. Do u refuzohet dalja nga vendi personave që synojnë t’i shmangen veprave penale. Do njoftohen edhe autoritetet e huaja për rrezikshmërinë që ai paraqet. Përfshi edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren. Të jetë i bindur çdo person, qoftë si ata me bluza të bardha dhe me maska që kishin ardhur dje si mercenarë për të ushtruar dhunë, dhe që tregonin muskujt para Ministrisë së Arsimit, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të riyrë i qetë në Europë, pa mbaruar punë me drejtësinë këtu në Tiranë”, tha mes të tjerash Rama.

Sipas masave të prezantuara, kush qëndron në një turmë duke e ditur se përreth po ushtrohet dhunë dhe po shkatërrohet prona, mund të gjobitet deri në 500 mijë lekë. Nga kjo masë përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët.

Për të miturit, përgjegjësia për pagesën e gjobave dhe mbulimin e dëmeve do t'u kalojë prindërve ose kujdestarëve.

Rama theksoi se ligji do të zbatohet për të gjitha tubimet, përfshirë edhe grumbullimet sportive ku shkaktohen dëme materiale në pronën publike apo private. Sipas tij, askush nuk do të ndëshkohet vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, ndërsa masat do të varen nga sjellja e secilit person.

Kryeministri tha gjithashtu se ligji nuk kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes.

Lajmi në përditësim…

Kliko këtu për të lexuar fjalën e plotë të Kryeministrit

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:36
'Duan ta kthejnë Shqipërinë pas”, Rama për protestat e dhunshme: Kanë 0 shanse t'ia dalin, jemi pranë anëtarësimit në BE

1792923436_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama akuzoi organizatorët e protestave se po nxisin, paguajnë dhe orkestrojnë persona për të ushtruar dhunë në qendër të Tiranës. Sipas tij, qëllimi nuk është një Shqipëri më e mirë, por kthimi i vendit pas, në një kohë kur, siç u shpreh ai, Shqipëria është pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Këtë herë nuk do t’ia dalin. Zhurmën e kanë të madhe, shanset zero”, deklaroi Rama, duke theksuar se personat që djegin dhe shkatërrojnë nuk përfaqësojnë as shumicën dhe as pakicën e shqiptarëve.

"Kjo është përgjigja jonë ligjore ndaj dhunës dhe anarkisë urbane të ushqyer nga duar të mbrapshta dhe një turmë dhunuesiosh që mund ta shohë e gjithë Shqipëria se kush i sjell në qendër të Tiranës duke i nxitur, paguar e orkestruar jo për një Shqipëri më të mirë por për ta kthyer mbrapsht kur jemi më pranë pikëmbërritjes e kur flamuri i Ismail Qemalit është ngritur më lart se kurrë. Por këtë herë nuk do tia dalin. Ai që thyen, djeg, shkatërron qendrën e Tiranës dhe përmes ekraneve të korruptuara terrorizon Shqipërinë nuk është populli, as shumica as pakica e popullit. Për shumicën që me ka dhënë mandatin dhe pakicën që smë ka votuar por pret më shumë drejtësi në shpërndarjen të ardhurave do flas në ditët e para të javës me risitë e buxhetit 2027 që të jetë e qartë se nuk do jenë zotime të rastet por vendime konkrete. Durim dhe Kurajo. Duhet ta kalonim këtë se jo të gjithë e duan paqen dhe suksesin e Shqipërisë. Është përpjekja e fundit përpara se ne ta vulosim faqen e fundit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zhurmën e kanë të madhe, shanset 0. Mos harroni asnjëherë, më keni votuar apo jo, unë3 nuk e kam tradhëtuar asnjëherë misionin që më ka dhënë besën shumica e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe sdo ta tradhëtoj kurrë besimin e asnjë shqiptari që e do Shqipërinë më të mirë dhe flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut në rradhë me shtetet e BE-së"

Ora 11:31
'Kush kërkon dorëheqjen time, gabon nëse mendon se mund të ma imponojë me dhunë', Rama: Jam gati të dëgjoj këdo ballë për ballë

1792923164_edirama.JPG

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kushdo ka të drejtë të kërkojë largimin e tij dhe të protestojë kundër qeverisë, por theksoi dorëheqja nuk mund t'i imponohet përmes dhunës. 

"Të dashur miq, kjo paketë nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe. Nuk ka asnjë pikë apo nen që bie ndesh me lirinë dhe të drejtat e qytetarëve të Shqipërisë. Në frymën e saj ka një të vërtetë shumë të thjeshtë: liria e secilit mbaron aty ku fillon liria e të tjerëve dhe të drejtat e gjithkujt ndalen aty ku cënohen të drejtat e të tjerëve. Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim, jo sot po dje, është në lirinë dhe të drejtën e tij ta mendojë, propagandojë apo kthejë në protestë këtë dëshirë. Këtu është detyra ime dhe e qeverisë që të garantojë  se protesta e kujtdo që do një qeveri tjetër të zhvillohet pa asnjë trysni. Unë jam i gatshëm të dëgjoj këdo që do më parashtrojë kundërshtimin e tij ballë për ballë dme kërkesat që mendon se qeveria duhet të marrë parasysh. Kush kërkon dorëheqjen time, gabon duke menduar se mund tëq imponohet me dhunë apo me ccdo formë tjetër. Përtej këtij kufiri unë kam detyrë të mbroj vendin dhe njerëzit nga  cdo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë mbrapa ndërsa shteti ka për detyrë ti tregojë vendin çdokujt që ngre dorën kundër pronës publike e private që kërcënon rendin dhe sigurinë" tha Rama

Ora 11:28
‘Mercenarë nga Spanja në protestën e djeshme’- Rama prezanton 6 instrumentat e paketës ligjore kundër dhunës: Kush shkatërron bizneset, do të paguajë dëmin!

1792922845_edirama.JPG

Kryeministri Edi Rama ka publikuar paketën e re ligjore, kundër protestave të dhunshme që po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë.

Rama prezantoi 6 instrumentat, që sipas tij i japin një goditje dhunës së shkaktuar nga ata që duan të marrin peng popullin shqiptar dhe Qeverinë.

Ndër masat e bëra publike nga Rama, parashikohet dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara gjatë protestave të dhunshme, detyrimi i shkatërruesve për të paguar për dëmet e shkaktuara, krijimi i një regjistri me emrat e personave që ushtrojnë dhunë, një kod etike për mësuesit e arsimit parauniversitar, ndryshime në kodin penal dhe në ligjin për tubimet, si dhe sanksione për protestuesit që pengojnë jetën normale të qytetarëve.

Rama tha gjithashtu se gjatë protestës së zhvilluar dje në Tiranë, një grup protestuesish të veshur me bluza të bardha kishin ardhur nga Spanja si mercenarë, me qëllim për të nxitur e ushtruar dhunë.

“Pas një pune intensive në bashkëpunim me partnerët europianë, bazuar në jurisprudencën e gjykatës europiane, në koordinim me partnerët italianë e francezë, duke u mbështetur në ekperiencën e tyre kundër kësaj flame anti-demokratike, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane. Kjo paketë parashikon që protesta qytetare mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari. Përgjegjësia është gjithmonë vetiake. Paketa përbëhet nga 6 instrumenta që plotësojnë njëri-tjetrin.

Akti për dëmshpërblimin e biznesit të vogël vjen si një mbështetje financiare, ku shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve për bizneset e vogla, në 70% të dëmeve për bizneset e mëdha. Ata që u përfshinë në ato akte, do të paguajnë secili pjesën e vetë të gjobës. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit, dëmshpërblimi do kalojë te prindërit.

Ligji zbatohet për të gjitha grumbullimet. Askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar. Ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes. Kush zgjedh të qëndrojë në një grup duke e ditur që përreth tij po thyhet dhe po shkatërrohet, do të përgjigjet përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme. Gjoba do të shkojë deri në 500 mijë lekë të reja.

Ndryshimet për ligjin për tubimet. Ligji për tubimet është i vitit 2001. Ai nuk parashikon asgjë për mjetet dixhitale. Ndryshimet i japin policisë kapacitete parandaluese për vende publike dhe më të ndjeshme, aftësi reaguese për fenomenin e thirrjes për dhunë në rrjetet sociale. Konkretisht perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme. Kur identifikon një thirrje për dhunë në rrjetet sociale, Policia i dërgon një njoftim menjëherë për fshirjen e njoftimit. Nëse nuk fshihet, Policia vepron përmes ndjejes penale.

Identifikimi i personave të maskuar. Sot në ligjin ekzistues prania e personave të maskuar në protestë është e ndaluar. Por ne do ta përfshijmë këtë në kodin penal.

Sanksione të parashikuara. Nuk ndodh askund në asnjë vend të BE që një grup njerëzish të ushtrojë arbitrarisht lirinë e protestës, duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet, duke u penguar punën dhe shkollën. Pjesëmarrja në një tubim pa leje, mos-dëgjimi i thirrjeve për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 mijë lekë të reja.

Me VKM krijohet regjistri i posaçëm elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit. Ky regjistër administrohet nga Policia dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre shtetasve. Do u refuzohet dalja nga vendi personave që synojnë t’i shmangen veprave penale. Do njoftohen edhe autoritetet e huaja për rrezikshmërinë që ai paraqet. Përfshi edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren. Të jetë i bindur çdo person, qoftë si ata me bluza të bardha dhe me maska që kishin ardhur dje si mercenarë për të ushtruar dhunë, dhe që tregonin muskujt para Ministrisë së Arsimit, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë i qetë në Europë, pa mbaruar punë me drejtësinë këtu në Tiranë.

Kodi i etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Asnjë mësues nuk mundet t’i çojë fëmijët në protesta të paligjshme, duke përdorur autoritetin e tij. Kush e bën do pezullohet apo përjashtohet.

Ndryshimet në kodin penal, ndjekin praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Këto dispozita ndëshkojnë dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen. Ato e përjashtojnë shprehimisht protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë. Kush kapet me armë apo sende të tjera të paligjshme dënohet deri në 2 vite burg. Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve dënohet më rëndë sesa aktualisht. Dënimi më i rëndë shkon kur thirrja u drejtohet fëmijëve.

Fshehja e fytyrës, gjobë deri 6 muaj burg (kur në protest ka dhunë). Nuk ndëshkohet kush e zbulon fytyrën sapo dëgjon urdhrin e policisë. Shkatërrimi i pronës (dënim dyfish kur prek shkolla, etj). Goditje ndaj policëve apo qytetarëve, rritje me 1/3 e dënimit kur është i maskuar. Nxitja për dhunë në rrjetet sociale, plackitje, etj. Dënimi më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve, ose kur pas saj ndodh dhuna. Kanosja online, dënim më i gjerë.

Kush publikon të dhëna që ekspozojnë persona ndaj sulmeve, bëhet objekt i kodit penal. Përdorimi i AI kur i shkaktojnë dëm personit bëhet vepër penale (jo satira etj). Kanosja ndaj funksionarëve dhe familjeve të tye, personave publikë dhe familjeve të tyre, janë vepra penale. Mbrohen edhe nga kanosja online por me dënim më të ashpër”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 11:15
Rama prezanton ndryshimet për tubimet: Policia mund t’i kufizojë deri në 72 orë, gjoba deri në 100 mijë lekë për mosbindje dhe ndëshkime për personat e maskuar

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndryshimet e reja për tubimet, të cilat parashikojnë vendosjen e perimetrave të sigurisë rreth objekteve të ndjeshme dhe mundësinë që policia të kufizojë tubimet deri në 72 orë pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të kultit.

Për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale, fillimisht do të kërkohet fshirja e postimit, ndërsa në rast refuzimi policia mund të nisë procedimin penal sipas veprave ekzistuese. Ndryshimet parashikojnë edhe trajtimin si vepër penale të fshehjes së identitetit gjatë tubimeve, sipas modelit francez.

Për mosbindje ndaj policisë parashikohen gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, ndërsa për bllokimin e qarkullimit gjoba do të jetë 5 mijë lekë për çdo pjesëmarrës.