Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte mbërriti në Varshavë, një ditë pasi raketa ruse ranë në juglindje të Polonisë. Ai premtoi se aleanca “do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak”.

Rutte e cilësoi incidentin, si “një ngjarje të rrezikshme, pa dyshim të lidhur me luftën e tmerrshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

“Polonia është një aleate e fortë. Ju keni forca të armatosura të shkëlqyera dhe tani duhet të përcaktojmë me saktësi se çfarë ka ndodhur”, shtoi Rutte. Ai tha se që prej ditës së djeshme ka qenë në kontakt si me kryeministrin Donald Tusk, ashtu edhe me presidentin Karol Nawrocki, mes të cilëve marrëdhëniet politike janë shumë të tensionuara.

“Komandanti i forcave të NATO-s në Europë do të bëjë gjithçka që mundet për të identifikuar me saktësi pikat e dobëta të sistemit tonë të parandalimit dhe të mbrojtjes, në mënyrë që të bëhen ndryshimet e nevojshme”, deklaroi Rutte para gazetarëve polakë.

Shkelja e hapësirës ajrore polake nga mjete fluturuese ruse do të shqyrtohet të hënën në Bruksel, në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut, organit kryesor politik vendimmarrës të NATO-s. Një zyrtar i aleancës i tha të shtunën agjencisë AFP se bëhet fjalë për “konsultime rutinë mes aleatëve”.


Lajmi kryesor:

Tensione në detin Baltik, anija ruse goditet nga dronët! Zelensky: Trump do samit paqeje deri në Krishtlindje, jemi gati