Pas rënies së regjimit, 2 të huaj në
veri, në gjurmët e Kanunit/ FOTO

Pas rënies së regjimit, 2 të huaj në<br />veri, në gjurmët e Kanunit/ FOTO
“Bukë kripë dhe zemër”...Një ekspozitë e hapur në Tiranën e vitit 1993, do të tërhiqte vëmendjen e gjerë të publikut shqiptar e të huaj. Për herë të parë pas izolimit 45 vjeçar komunist, në malet e Shqipërisë së veriut një fotoreporter dhe një antropologe italiane zbulonin dhe fiksonin me aparatin fotografik, portrete njerëzish, rite fetare, zakone dhe rregulla jetese që lidheshin me Kanunin e Lekë Dukagjinit... Fotot e kësaj ekspozite të rrallë, e konceptuar si një udhëtim në të kaluarën e Shqipërisë u ekspozuan në korrik 1993 në Muzeut Historik Kombëtar.

Fotoreporteri Franz Gustincich dhe antropologia Emmanuela C. Del Re, përmes kësaj ekzpozitë ilustronin një itinerar mbi malet e pakalueshme të Veriut të Shqipërisë, gjatë të cilit kishin gjetur gjurmë të gjalla, të Kanunit të Lek Dukagjinit.

Një pjesë e mirë e fotografive të kësaj ekspozite, u publikuan në atë kohë edhe në faqet e fundit të “Gazeta shqiptare”, e sapohapur në Tiranë si degë e “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

Fotot shoqëroheshin të gjitha me një tekst shpjegues mbi historinë që përçonin. Ndërsa dy autorët e ekspozitës  Emmanuela C. Del Re dhe Franz Gustincich e shoqëruan ekspozitën edhe me prezantimin e një videoje që ilustronte kërkimet antropologjike të kryera në malet e Shqipërisë  me titullin “Malet, Qiriu dhe Shën Maria: rilindja e një feste fetare shqiptare”.

Nga fotot e kësaj ekspozite marrë nga publikimet e Gazeta Shqiptare, korrik 1993 do të sjellim sot 10 foto të zgjedhura bashke me 10 historitë e seicilës prej tyre.

foto 
Foto 2
“Kryq dhe gjysmëhënë: historia e një populli të fesë katolike nën sundimin turk”. Është titulli i kësaj fotografie të Franc Gustincich, e paraqitur në ekspozitën “Bukë, kripë dhe zemër”. Është një nga fotografitë e shumta të bëra nga fotoreporteri gjatë një studimi mbi ligjet e maleve, të kryer së bashku me antropologen Emmanuela C. Del Re. Kryqi dhe gjysmëhëna, që varen në qafën e kësaj gruaje të fshatit Bricë, janë simbolet e dy feve që arrijnë të bashkëjetojnë paqësisht, pavarësisht nga rrjedha historike e ngjarjeve.
 
foto 
Foto 3
Ka zona në Shqipëri, në të cilat kultura katolike ka ditur t’i rezistojë për shumë shekuj presioneve islamike të ushtruara nga sundimi otoman. Një nga këto zona është ajo e quajtur Nikaj-Mërturi, që merr emrin nga fisi që jeton në të, dhe gjendet në malet e Veriut. Por megjithatë, turqit e kanë sunduar njëlloj këtë popull, me taksa të rënda dhe me shërbimin e detyruar ushtarak duke lënë shenja të thella – dhe nëse jo, në fenë e tyre – sigurisht në kostumet. Vajza e paraqitur në këtë fotografi, të bërë nga Franz Gistincich, javë më parë, pikërisht në zonën e Nikaj-Mërturit, përbën një provë fare të qartë të asaj që përmendëm më lart: veshja është tipike e stilit turk, ashtu siç janë të stilit turk mjaft prej objekteve në përdorim të përditshëm dhe gjithashtu edhe simbolet – si për shembull gjysmëhëna – që sidomos të moshuarit vazhdojnë të mbajnë, nganjëherë edhe përkrah kryqit.
 
foto
Foto 4
Quhet Lek, është kryetar familjeje në Lekbibaj, fshat në veri të vendit. Është ai, njëri nga protagonistët e studimit të kryer nga fotoreporteri Franz Gustincich dhe nga antropologia Emmanuela C. Del Re, në malet shqiptare për të verifikuar origjinën, zanafillën e Kanunit të lashtë të Lek Dukagjinit. Leka ka qenë një protagonist aktiv i këtij studimi për dy arsye: sepse ka mikpritur dy studiuesit italianë dhe e dyta sepse ka demonstruar – në mënyrë konkrete – rolin që kryen një kryetar familjeje në një sistem shoqëror që bazohet edhe sot e kësaj dite mbi rregulla mjaft antike. Kryetari i familjes në fakt është qendra e fisit, që praktikisht është një bashkësi: kjo e fundit është përbërë nga të gjithë ata që rrjedhin nga i njëjti paraardhës nga gjaku i babait. Struktura e fisit bazohet mbi familjen e zgjeruar, familjen e madhe patriarkale në brendësi të së cilës kryetari i familjes ka fuqi absolute mbi të gjithë anëtarët. Sipas Kanunit, individët që marrin pjesë në familje nuk mund të kenë personalitet civil, juridik dhe shoqëror pa ndërmjetësinë e kryetarit të familjes.
 
 foto
Foto 5
Një pamje e familjes shqiptare, brenda një shtëpie tradicionale, në veri të Shqipërisë; kësaj here vjen nga fshati Vuksanaj, ndër male. Në këto zona të vendit, ku respektohen akoma shumë rregulla të Kanunit të vjetër të Lek Dukagjinit, të moshuar, të rinj, gra e fëmijë, jetojnë të gjithë së bashku në shtëpinë e madhe. Të drejtat, por sidomos detyrat, janë të ndara rreptësisht. Zakonisht gratë dhe burrat kanë detyra shoqërore të veçanta: privilegjet kryesore i përkasin burrave, të cilët kanë rolin e të parit të shtëpisë, simbol ky i pushtetit absolut. Ndërsa pozicioni i gruas është më i përulur, edhe pse mbi të mbështetet e gjithë jeta e familjes.
 
 
foto
Foto 6
Një grua e moshuar mjel lopën në fshatin Lekbibaj, në veri të Shqipërisë. Sistemi i jetesës në malet shqiptare është i bazuar në ekonominë bujqësore-blegtorale, dhe rritja e kafshëve merr një rol thelbësor. Që në kohë të lashta, kafshët çoheshin deri në kullotat e Maqedonisë, por më vonë, me bashkimin e saj me ish-Jugosllavinë, kjo traditë u braktis. Edhe sipas Kanunit, rritja e kafshëve ka një rëndësi të madhe, dhe ligji i vjetër i Lek Dukagjinit i dedikon mjaft nene kësaj teme. Kafshët përfaqësojnë pasurinë e individëve të ndryshëm, dhe mjaft pagesa edhe sot e kësaj dite bëhen nëpërmjet shkëmbimit me kafshë. Për kafshët duhet të kujdeset gruaja, duke respektuar, edhe në këtë drejtim, rregulla të një tradite mjaft antike.
 
foto
Foto 7
Tre persona diskutojnë me disa lekë në dorë. Për çfarë bëjnë pazar? Për një ngarkesë mallrash? Për një kope bagëtish? Jo, bëjnë pazar për një grua, ose më mirë të themi, të një nuseje. Fotografia e bërë dimrin e kaluar nga fotoreporteri Franz Gustincich në fshatin Salcë (në veri të Shqipërisë), vë në dukje në mënyrë të qartë zakonin që respektohet akoma në popullsinë e maleve. Pazari bëhet midis babait të djalit dhe babait të vajzës, në praninë e një ndërmjetësi, menjëherë pas ceremonisë së fejesës që konsiderohet më e rëndësishme se martesa. Familja e djalit do t’i paguajë familjes së vajzës, nuses së ardhshme, një shumë parash ose një numër kafshësh: kjo shumë do t’i japë burrit dhe familjes së tij çdo të drejtë mbi vajzën. Kjo është një nga traditat e Lek Dukagjinit – që edhe pse është shumë atike – në disa zona në pjesën veriore të Shqipërisë respektohet akoma
 
foto
Foto 8
Ja një moment krenarie të jashtëzakonshme për një grua të maleve shqiptare: të tregojë gërshetin akoma të paprerë. Ajo që tjetërkund mund të duket shembull i kotë mburrjeje (ndoshta qesharake për moshën e gruas), këtu merr vlera të mëdha shoqërore. Fotografia është bërë nga Franz Gustincich në fshatin Salcë. Sipas Kanunit të Lek Dukagjinit, gruaja nuk ka të drejta shoqërore, ajo kalon nga duart e të atit në ato të shoqit, i cili e “blen” dhe, kështu, ka çdo të drejtë mbi të. Mund edhe ta vrasë, por vetëm në rast se shkel besnikërinë bashkëshortore ose nëse tradhton mikun. Pikërisht për këtë, në momentin e pagesës së çmimit të nuses, të afërmit e saj i japin të shoqit një fishek si garanci se ata marrin përgjegjësinë për sjelljen e saj. Ndër zakonet që respektohen akoma, është edhe ai i ndëshkimit të gruas së shthurur. Gruas së përdalë i shoqi i pret gërshetin ose i pret një tufë lesh nga rripi.
 
foto
Foto 9
Një nuse e re me vajzën e saj të vogël. Fotografia është marrë në fshatin verior Salcë, një nga vendet ku ende ndihet shumë e fuqishme tradita e Kanunit të Lek Dukagjinit. Sipas tij, i gjithë pushteti është në duart e burrave të fisit, të cilët vendosi për gjithçka. Gratë janë të destinuara të bëjnë punët më të rënda për të mbajtur familjet, tradicionalisht me shumë anëtarë. Janë pikërisht gratë ato, të cilat kryejnë të gjitha punët, duke përfshirë edhe ato bujqësore e blegtorale. Një detyrë e vështirë e cila ndoshta ka ardhur nga fakti se burrave të këtyre anëve u është dashur të luftojnë shumë kundër armiqve të shumtë, por edhe për motive hakmarrjeje. Një shpjegim që mund të qëndrojë vetëm pjesërisht:

edhe ky nuk mund ta përligjë gjendjen ende të nënshtruar të gruas në këto anë. Gjithnjë të heshtura, si kur mbushin ujë në burimin e fshatit, kur ushqejnë fëmijët, apo kur qëndisin veshjet me motivet shumëngjyrëshe qindravjeçare, ato janë të famshme për trimërinë e tyre. Karakteristikat njerëzore të këtyre grave luftarake, por edhe të nënshtruara ndaj burrave të tyre, janë përcaktuar në një masë të madhe nga ambienti në të cilin jetojnë, me malet e larta e të thepisura dhe me legjendat e këngët e trimërisë me të cilat janë rritur. Jo pa qëllim, shprehja me të cilën u pëlqen të quhen më tepër, është “burrëreshë”. Këtë ndjenjë karakteristike krenarie, vetëpërmbajtjeje e serioziteti shpreh shikimi i gruas së re nga Salca.
 
foto
Foto 10   
Por nuk është kaq e thjeshtë të pranohet gjendja grua-bashkëshorte për vajzën, në festën e fejesës të së cilës mora pjesë. Një natë para ceremonisë së vërtetë erdhën miqtë nga larg. Vajzat kishin ardhur nga ana tjetër e malit me këpucë të lehta dhe me taka, kurse unë nuk do të guxoja kurrë të lëvizja pa këpucët e mia të dimrit. Fustane të holla bënin të ditur se organizohej një festë e madhe. Miqtë vazhdonin të vinin. Ngjarja u festua me këngë dhe të shtëna pushke, sipas Kanunit. Në kuzhinë gratë përgatisnin darkën dhe motrat e të fejuarit e shoqet rrethonin të fejuarën me vëmendje. Ajo shumë e bukur. Fejesa u vendos nga dy familjet, por vajza më thotë se e ka parë disa herë të fejuarin, nuk kanë folur por e pëlqen. Të nesërmen zhvillohet ceremonia e vërtetë: në praninë e të gjithëve, motra e të fejuarit nxjerr dy valixhe të mëdha me dhurata për nusen: një furçë dhëmbësh, një sapun, një karficë, një palë këpucë, një copë për të qepur, një krehër ... Momenti më i rëndësishëm është ai kur i fejuari vë në dorën e nuses unazën dhe orën. 


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Alibeaj në Report Tv: S’ka bashkëpunim me Berishën, PD një organizëm privat për të luftuar drejtësinë! Qeveria teknike? Lojë, i shiti Ramës zgjedhjet

Alibeaj në Report Tv: S’ka bashkëpunim me Berishën, PD një organizëm privat për të luftuar drejtësinë! Qeveria teknike? Lojë, i shiti Ramës zgjedhjet