Muzeu EtnografikDurrës ka rihapur dyert për vizitorët pas një rikonstruksioni të plotë, i realizuar pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019.

Ky investim ka rikthyer në funksion një nga hapësirat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Drejtoresha e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, Alketa Tragaj, theksoi se muzeu është rijetëzuar plotësisht, duke ofruar kushte moderne për vizitorët dhe duke vënë më shumë në pah vlerat historike dhe kulturore.

"Sot hapet Muzeu i Qytetit të Durrësit për qytetarët dhe turistët që kanë pasur kuriozitet të madh për të vizituar këtë shtëpi karakteristike 2 katëshe të Shqipërisë së Mesmeq ë është ndërtuar në shekullin e 19. Muzeu etnografik vjen me një rijetëzim ku në 2019 kanë qenë të ekspozuara vetëm 4 dhoma, ndërsa sot kemi 7 dhoma dhe një sallë shumë të madhe në katin e parë, ku janë të ekspozuar 125 vepra italiane të dhuruara në nder të artistit të madh Ibrahim Kodra. Së bashku me Kryetaren e Bashkisë Emirjana Sako kemi menduar që shumë shpejt të hapet një muze edhe për Ibrahim Kodrën” tha Alketa Tragaj drejtoreshë e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe hapësirave kushtuar figurës së shquar të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, aktorit të madh Aleksandër Moisiu.

Në katin e dytë të muzeut janë vendosur kostume popullore të Shqipërisë së Mesme, si dhe objekte që pasqyrojnë traditat dhe jetën e përditshme të zonës ndër vite.

"Pavioni është i ndarë në dy dhoma për aktorin Aleksandër Moisiu. Është dhoma e Etnografisë ku janë të përfshira të gjitha kostumet e Shqipërisë së Mesme, është Oda, është Dhoma e Artizanëve dhe Dhoma e Tehzgjasë ku në fokus do të jetë piktura e Agim Zajmit që titullohet ‘tjerrësja’ ku do të shihni edhe disa punime të dhuruara për muzeun” tha ajo

Rikonstruksioni i godinës është realizuar në kuadër të projektit EU4Culture, një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian, që synon restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.