Pas shitjes hija e Berishës dhe Taçit

Pas shitjes hija e Berishës dhe Taçit
TIRANË - Pozicionimi i Erinda Ballancës në këshillin e ri mbikëqyrës të kompanisë së re ARMO është një manovër, e bërë nga Rezart Taçi – apo nga dikush tjetër - për të shpëtuar nga situata e vështirë financiare, në të cilën ndodhet.

Kjo ishte avokatja e bankës nga Azerbajxhani, që hodhi në gjyq Rezart Taçin, pasi i nuk kthente një kredi të marrë prej saj, para se të blinte aksionet e ARMO-s, me vlerën 75 milionë euro. Ballanca është e njohur si e afërt me të bijtë e kryeministrit në ikje, Argita dhe Shkëlzen Berisha, me të cilët është kolege.

Në gjyqin, e zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, që drejtohej nga një tjetër “mik i familjes” Berisha, Ilir Çeliku, u vendos menjëherë masa e sekuestros mbi pasuritë e Taçit dhe të ARMO-s, masë që pastaj u pezullua dhe atij iu dha mundësia edhe një herë që të punonte e të shlyente detyrimet.

Rezart Taçi ka tentuar të manovrojë, duke thirrur përfaqësuesen e Berishës në ARMO, për të marrë nga ai OK dhe për të krijuar një urë me të afërmit e kryeministrit në ikje, duke i afruar ata në kompaninë më të lakmuar të naftës në Shqipëri. Edhe Erinda Ismailaj, tjetër prurje në këshillin mbikëqyrës, është një avokate, që ka punuar me Ballancën.

Ndërkohë, Fation Veizaj, që merr çelësat në duar, është një bashkëpunëtor i vjetër i Taçit, me të cilin ka kohë që zhvillon biznes, me të ardhura të konsiderueshme. Kështu, Taçi është përpjekur sërish të ruajë një farë pozicioni në kompani, por nuk dihet ende se a ka mbetur në lojë, apo është spostuar nga Berishët, amerikanët, azerët ose ndonjë bankë e fuqishme, që ka paguar për të.

Skema drejtuese e ARMO-s, pas kësaj lëvizjeje, mund të përkthehet kështu: njerëzit e Taçit, përfaqësuesi i METE-s aktuale, përfaqësuesi i Azerbajxhanit, përfaqësueset e Berishës, përfaqësues të amerikanëve që deri tani kanë bashkëpunuar me Berishën (Podesta, etj), përfaqësues të kompanisë të Teksasit, do të komandojnë kompaninë e vetme të rafinimit të naftës bruto në vend. Ndërkohë, shteti do të vazhdojë të mbajë vetëm 15 për qind të aksioneve, ndonëse më parë ka tentuar t’i shesë edhe ato, por është tërhequr. 85 për qind do t’i ketë Anika Mercuria Refinery Association Oil, ku administrator është Fation Veizaj, i njejti person që do të drejtojë edhe ARMO-n, kompaninë-mëmë.

Qeveria e re që do të krijohet do të gjendej kështu përpara një fakti të kryer, të kalimit të pronësisë dhe ajo mund të ndryshojë vetëm përfaqësuesin e saj në këshillin mbikëqyrës. Por në fakt heshtja e saj, ndonëse mund t’i ketë ditur më parë nga të gjithë veprimet që po kryheshin, le të kuptohet se është e prirur të mbajë një qendim neutral.

Kjo, nisur nga interesi i madh që përbën mundësia e pagesës së detyrimeve financiare nga pronarët e rinj, për borxhet që ARMO ka krijuar tek shteti. Fjala është për 70 milionë euro, që do të ishin një shifër e konsiderueshme për buxhetin, në ditë të hallit.

Por, ajo që e komplikon situatën është prania e dukshme e njerëzve të Berishës ndër drejtuesit e rinj të ARMO-s. Në këto kushte, Edi Rama dhe ministri i tij i Energjetikës e ai i Financave duhet të mendohen mirë se çfarë drejtimi do të marrë kjo kompani jetike për ekonominë e vendit në rast se ajo bie në duar të tjera nga ato të biznesit normal, për të mbetur në duar të politikës së vjetër, që e përdor biznesin në kushte jonormale.

Ajo që bie në sy, është fakti që deri tani asnjë kompani me emër nga bota nuk po hyn në industrinë e vendit. Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm me krijimin e standardeve të tjera, politike dhe ekonomike, ndryshe nga më parë, për të cilët janë të interesuar të gjithë.   

KUSH DO TE JETE DREJTUESI I RI I KOMPANISE ARMO
Fation Veizaj, i sapoemëruar si administrator i ri i ARMO-s, është pranishëm në 12 kompani të tjerë, të regjistruara në QKR. Në këto kompani përfshihen HYDROALBANIA, që merret me ndërtimin e hidrocentraleve dhe impianteve të tjera për prodhimin e energjisë elektrike; TERNOVA CHROME RESOURCES, që merret me zbulimin, kërkimin, shfrytëzimin, përpunimin e tregtimin e mineraleve të ndryshme;  RDA PETROL, me veprimtari në fushën e tregtimit me shumicë të naftës dhe vajrave minerale të papërpunuar; GLOBAL HYDRO POWER, që ka si objekt ndërrtimin e hidrocentraleve dhe impianteve të tjera për prodhimin e energjisë elektrike; KALTERSIA E JONIT, shërbime të pilotinës në porte, kryesisht në portin e Vlorës; RDA 11, tregtim me pakicë të karburanteve, gazit, lubrifikanteve dhe të gjitha nënprodukteve të naftës; MINERALUNIT, zbulimin, kërkimin, shfrytëzimin, përpunimin e tregtimin e mineraleve të ndryshme; ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL pjesëmarrja në shoqërinë ARMO sh.a. Import Eksport i karburanteve dhe nënprodukteve të tyre, përpunimi i naftës dhe nënprodukteve të tyre, shitje me pakicë të karburanteve të të gjitha llojeve; First Broker, ushtrimin e aktivitetit të brokerit në sigurime; F & H 08, tregti me pakicë të karburanteve dhe produkteve të naftës e gazit, si dhe BINDI INSURANCE BROKER, ushtrimin e aktivitetit si ndërmjetës në fushën e sigurimeve dhe risigurimeve.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.09.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit