‘Pas shumë lutjesh, ai i tregoi se, kryetari i Degës së Brendshme, i kishte kërkuar që të spiunonte dy shokët e tij të ngushtë…’/ Dëshmia e rrallë e, ish-të burgosurit politik

‘Pas shumë lutjesh, ai i tregoi se, kryetari i Degës së Brendshme, i kishte kërkuar që të spiunonte dy shokët e tij të ngushtë…’/ Dëshmia e rrallë e, ish-të burgosurit politik

Memorie.al / Robert Krasta e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.

– Agron, nuk të shoh mirë sot, – i tha Lumtua, kur u shtrinë në shtrat, – Çfarë të mundon? Fytyra e jote nuk është si herët e tjera. Folmë. Mos më fshih asgjë.

– Lumto, ty nuk të fsheh gjë. Do të të shpjegoj gjithçka.

Jetën time, ose më mirë jetën tonë, e ka mbuluar një mjegull e errët. Një hije e zezë po sillet rrotull nesh. Ajo po përpiqet të na shpërfytyrojë. Si të veproj? Dua mendimin tënd.

– E çfarë hije mund të mbulojë një kryeinxhinier si ti, apo një drejtoreshë si unë? A nuk jemi familje dëshmori? Përse u vra babai yt? A nuk u vra për këto ditë që ne gëzojmë sot?

– Po, e dashur, po. Por nuk qenka çdo gjë ashtu si mendon ti.

– Për besë, mos më mundo më tepër, më thuaj çfarë ka ndodhur?

– Takova kryetarin e Degës. Më kërkoi të bashkëpunoja për survejimin e Stefanit dhe Gjergjit. Me pak fjalë të shndërrohem në një spiun ordiner.

– Të survejosh Stefanin dhe Gjergjin? Po çfarë kanë me ta?

Ata janë njerëz të shkëlqyer. Ti më ke thënë se, edhe me detyrën janë shumë të rregullt.

– Sipas kryetarit, qenkan me përbërje të keqe politike dhe paskan filluar të pëshpërisin poshtë e lart, kundër pushtetit popullor.

– Po ti që je shokë i ngushtë me ta, a ke dëgjuar ndonjë pëshpërimë të tillë?

– Asnjëherë.

– Po atëherë, kur nuk kanë biseduar me ty që të kanë shokë të ngushtë, me cilin do të guxonin të bisedonin?

– Nuk e di. Kam një turbullirë në kokë. Të them të drejtën nuk e kuptoj këtë politikën që po ndjek vendi ynë. Të gjithë shikohen si armiq. Po mbushen njëzet e nëntë vjet nga mbarimi i Luftës dhe akoma flitet për patriotë dhe armiq. Me të gjithë shtetet e botës jemi prishur, a thua se vetëm ne paskemi patur të drejtë. Më duket vetja si, një manekin që e komandojnë të tjerët. Ndërsa unë dua të jem i pavarur. Dua të kem mendimin tim dhe ta shpreh atë lirshëm, pa patur frikë se mos më dëgjon kush.

Qëndroi në heshtje për disa minuta, sikur do të mendohej se çfarë të thoshte. Turbullira që kishte në kokë ia ngatërronte mendimet. Fjalët e kryetarit të Degës ia kishin prishur qetësinë e deri atëhershme.

– Shiko se çfarë shkruan filozofi Izajah Berlin në librin e tij “Idetë filozofike të shekullit të njëzet”, botuar pesë vjet më pare. Këtë libër ma solli Beni, që punon në ambasadën tonë atje.

U ngrit, shkoi tek etazheri dhe pasi mori librin, filloi ta lexojë:

“Dëshira ime si njeri është që jeta ime dhe vendimet e mia të varen vetëm nga unë. Dëshiroj të urdhërohem vetëm nga vullneti im dhe askujt tjetër. Dëshiroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjshme. Dëshiroj të jem dikushi dhe jo askushi. Të jem veprues, të marrë vendime dhe jo të vendosin të tjerët, për mua. Të drejtojë vetveten dhe jo të jem nën veprimin e fuqive të jashtme natyrore apo njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në gjendjen e skllavit që, nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qenie njerëzore”.

– Agron, zgjohu nga ëndrrat, – foli Lumturia. – Zbrit në tokë. Ato që po thua ti, ekzistojnë vetëm në përralla. Mos e torturo veten, me fantazira të tilla.

– Dëgjo Lumto! Kam nevojë të flas, por përveçse me ty, nuk guxoj me asnjë tjetër. As me Stefanin dhe Gjergjin. Dua të jem dikushi, por shoh se koha në të cilin jetojmë, nuk të lejon. Ajo kërkon që të gjithë qytetarët të jenë askushi. Jam intelektual. Kam personalitetin tim, dinjitetin tim. Sot kërkojnë të më zhveshin nga të gjitha këto. Si t’ia bëjë?

– E kush kërkoka të të zhveshi nga personaliteti yt?

– Çerberët, (në mitologjinë greke, qen me tre koka, që ruan portat e ferrit), djajtë e kohës tonë. Ata nuk na lejojnë të jetojmë. Nuk mund të pranojë që të spiunojë shokët e mi, më të mirë, vetëm e vetëm sepse, ata paskan fatin e keq të rrjedhin nga një familje që paska patur mendime të kundërta, me udhëheqësit e sotëm.

– Mjaft Agron, se më tmerrove! Përse i kujton sot këto gjëra të tmerrshme? Të keqen Lumtua, t’u bëfsha kurban, mos i bisedo me asnjë, se do na ndodhë ndonjë hata.

– Mos u tremb Lumto! I kam aq mend për ta kuptuar këtë, por t’i thashë se, nuk mund të duroja dot, pa i shfaqur ndjenjat e mia.

Nuk folën më. Mbyllën dritën, por asnjërin nuk e zinte gjumi. Secili mendonte me vete se, çfarë do të ndodhte në të ardhmen. Edhe Lumtua, edhe Agroni, po mendonin se cilën rrugë duhej të ndiqnin, për të përballuar atë hije të frikshme, që po u afrohej. Gjumi kishte fluturuar nga sytë e tyre.

– Lumto, mund të më bësh një çaj kamomil?

Agroni ndezi abazhurin dhe u ngrit ndenjur në shtrat.

– Mirë u kujtove, edhe unë kam nevojë të pi një çaj të tillë,

– tha Lumtua, duke u ngritur. – Ndoshta ai na qetëson.

I pinë çajet pa folur. Mendja e secilit prej tyre, kishte fluturuar larg, në botën e padukshme të ankthit, që ia bluante shpirtin dhimbshëm. Por zgjidhje, nuk i jepnin dot. Së fundi Lumtua foli:

– Dëgjo Agron, mblidhe mendjen! Çdo gjë do të shkojë më së miri. E pse duhet të trembemi? Familje e luftës jemi. Arsimin e duhur e kemi. Në punë jemi model. Atëhere pse duhet të sjellim ndër mend gjëra që, as nuk duhet t’i përfytyrojmë?! Do të shohësh se çdo gjë, do të shkojë si sahat. Eja të flemë tani se, nesër do të shkojmë në punë që me mëngjes.

– Mirë thua grua, ke të drejtë.

U shtrinë dhe pasi kaloi një farë kohe, i zuri gjumi, por krimbi i ankthit, nuk rreshti së brejturi shpirtrat e tyre edhe në atë gjysmë gjumë të plagosur.

– Babi, shiko si notoj, a nuk jam kampione? – thërriste Irida, duke qeshur me të madhe.

– Po, bija e babit, ti je kampione e vërtetë. Eja Lumto, se çupa do të kërcejë nga trampolina.

Të dy bashkonin duart, Irida hipte në to dhe kërcente në det duke thërritur:

– A e bëra mirë?

– Po, shumë mirë.

– Ta bëjmë dhe një herë tjetër.

Kështu vazhdonin gjithë ditën, në mes të gazit të vogëlushes që kishte një kënaqësi, pranë prindërve të saj. Ata e shikonin me adhurim. Ajo ndiente një krenari të madhe. I ati ishte kryeinxhinier, ndërsa e ëma, drejtore shkolle. Këto i jepnin një ndjenjë epërsie, mbi shoqet e tjera. Ishte pikërisht kjo ndjenjë që e ekzaltonte më tepër.

Mbasi u lodhën duke notuar, dolën në rërë dhe u shtrinë nën hijen e çadrës. Në drekë, u kthyen në shtëpi, ku nënë Gjyla, kishte përgatitur një drekë të shijshme.

– Gjyshe, – i tha vajza me pastërtinë e zemrës së saj, – pse nuk erdhe të më shikoje? Isha një kampione e vërtetë.

– Ti je kampionia e nënës, moj bijë, – i tha gjyshja.

Irida ishte vajza e vetme e familjes Canaj. Agroni me Lumturinë, ishin njohur rastësisht në Tiranë, në parkun “Rinia”. Ai sapo kishte mbaruar studimet dhe priste emërimin. Ajo vazhdonte universitetin e Tiranës, në fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Matematikë-Fizikë. Ishte në vitin e parë. U takuan rastësisht në park. Ajo diçka po kërkonte. Ai e pa dhe e pyeti:

– Ju ka humbur gjë?

– Unaza që më kishte dhuruar mami.

– E pse mërziteni, iu dhuroj unë një më të mirë.

Atë fjalë e tha pa vetëdije. As ai nuk e di se si i shpëtoi nga goja. Ajo u skuq pak dhe, duke e vështruar me dyshim, i tha:

– Faleminderit, po më mjafton ajo që më ka dhuruar mami.

U ulën të dy për ta kërkuar. Më në fund ai e gjeti prapa një kaçubeje dhe thirri:

– E gjeta, e gjeta!

– Faleminderit, jeni shumë i sjellshëm!

– Mund të njihemi? Agron Canaj.

– Lumturi Begonja.

– Shkojmë të hamë ndonjë akullore?

– Me kënaqësi, por do të paguaj unë. Mua më takon.

– Unë e thashë i pari ndaj më takon mua.

Qeshën të dy dhe u futën në një bar që ishte aty pranë. Ndenjtën më shumë se dy orë. Këtu dialogu u përqendrua në shijet e tyre estetike, për çudi, biseda nuk kishte të mbaruar. Kur u ndanë ai i tha:

– Kam dëshirë t’iu takoj përsëri.

– Të dielën e ardhshme, në orën dhjetë, në të njëjtin vend.

Ai nuk u nis për në qytetin e tij. Një forcë e pakuptueshme e tërhiqte të qëndronte ende atje. Takoheshin dhe bisedonin me orë të tëra. Edhe ajo ndjente që ky i ri, i pashëm dhe i sjellshëm e tërhiqte. Një ndjenjë e çuditshme, kishte filluar të lindte në zemrën e saj. Pas katër javësh, Agroni mori urdhrin e emërimit në Ndërmarrjen Elektrike të qytetit të tij. Duhej të nisej pa tjetër dhe të paraqitej në punë. Para ndarjes i tha:

– Lumto, ju dua! A do të bashkoni fatin tuaj me timin?

Ajo vetëm buzëqeshi dhe sytë e saj i thanë më shumë se “po“.

Aty nën hijen e plepave të parkut, shkëmbyen të puthurën e parë. Të nesërmen ai u nis për në qytetin e tij. Ajo e përcolli në stacionin e trenit.

– Mos më harroni! – i tha ai në çastin e ndarjes.

– Vetëm vdekja do të na ndajë! –  desh t’i thoshte, por nuk foli. Dora e saj u shkri me dorën e tij.

Treni u nis dhe ai në dritare i dërgonte të puthurat. Pasi u diplomua ajo, u martuan. E emëruan drejtore në shkollën e mesme të qytetit. Pas një viti u lindi vajza, Irida. Lindja ishte e vështirë. Një komplikacion bëri që ndërhyrja e mjekëve të ishte vendimtare. Fëmija lindi i shëndetshëm dhe nëna shpëtoi për mrekulli. Por mjekët i këshilluan që të mos tentonin të lindnin fëmijë të tjerë, se paraqiste rrezik për jetën e nënës. Kështu që Irida, mbeti fëmija i vetëm i këtij çifti të ri

Mbrëmja po zbriste në qytet. Një fllad i lehtë fëshfërinte, duke freskuar mjedisin e përvëluar nga vapa e ditës së kaluar nën rrezet e nxehta të diellit. Agroni dhe Lumturia, qëndronin në verandën e kabinës, duke soditur perëndimin e diellit që, në atë moment po humbiste në anën tjetër të detit. Ishte me të vërtetë një pamje romantike.

Disa metra më poshtë në rërë, Irida bisedonte me një moshataren e saj, që e kishte njohur aty në plazh. I tregonin njëra-tjetrës ëndrrat e tyre. Nënë Gjyla, ishte ulur në një karrige tjetër dhe po lexonte një libër.

– Mama, çfarë libri po lexon? – e pyeti Agroni.

Ajo nuk foli, por i tregoi kopertinën. Ai lexoi: “Intrigë dhe dashuri”.

– Të qenka kujtuar rinia sonte? – e ngacmoi Agroni.

E ëma ishte martuar sapo, kishte mbaruar shkollën ‘Normale’. Ishte një vajzë shumë e bukur, bukuri që binte në sy edhe tani që kishte hyrë në moshën e pleqërisë. Dy vjet pas martesës, kishte lindur Skënderi dhe mbas dy vitesh të tjerë, ai. Babai tyre ishte intelektual me mendime përparimtare.

Gjylon e trajtonte me dinjitet. Ajo ishte punësuar si mësuese në një shkollë të qytetit. Ai ushtarak i shquar. Kishte mbaruar studimet në Itali. Gjatë kohës së Mbretërisë, kishte shërbyer në Ushtrinë Kombëtare. Pushtimin e Shqipërisë e, kishte pritur me dhimbje. Ishte ndër të parët që u hodh në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar. Ishte komandant batalioni. Në çdo betejë, në ballë të saj. Kështu ishte edhe atë ditë të zezë, kur ra dëshmor.

Agroni nuk e ngacmoi më tej. Nuk donte t’i lëndonte më tepër plagën e humbjes së të shoqit, me të cilin kishte kaluar një jetë për t’u patur zili dhe prej të cilit ishte ndarë, në moshën tridhjetetetë vjeçare. Por kujtimet e kishin pushtuar tashmë mendjen e nënë Gjylos. Ajo vazhdonte të fliste:

– A e mban mend Sabriun, djalin e gjitonit tonë? U vranë të dy në një ditë pranë e pranë. Para se të jepte frymën e fundit, yt atë ia la amanet shokut të tij, Syrjaut, që të dy kufomat, t’i sillnin në familje dhe t’i varrosnin përkrah njëri- tjetrit, ashtu siç kishin luftuar dhe Syrjau e mbajti premtimin që, i kishte dhënë tyt eti.

Afroi karrigen pranë asaj të të birit dhe, duke ulur zërin, tha me ngadalë;

– Syrjau nuk ishte në çetën e tij. Ai bënte pjesë në atë të nacionalistëve. Në atë kohë, nuk ishte hapur akoma vëllavrasja dhe të dy palët, luftonin së bashku. Ndonjëherë yt atë vinte në shtëpi, për një natë, fshehurazi nga fashistët. Në këto net më fliste edhe për nacionalistët. Kishte respekt për ta. Në mënyrë të veçantë, për komandantin e tyre. Edhe ai kishte studiuar në Itali, në akademinë ushtarake. Por më vonë këto marrëdhënie u përmbysën dhe shqiptarët filluan të vrasin njëri-tjetrin. Yt atë, nuk ishte më dhe më mirë që nuk i pa me sytë e tij këto gjëra se, me siguri, nuk do të ishte i një mendimi me veprime të tilla.

Pasi nxori një psherëtimë që i doli nga thellësia e shpirtit të saj, vazhdoi:

– Pas çlirimit, erdhën shokët e Partisë dhe më kërkuan që ta hiqja trupin e babait nga vendi ku ishte, pasi nuk mund të rrinin pranë e pranë një partizan, me një nacionalist. Unë kisha amanetin e tij dhe nuk pranova. Megjithatë ata hoqën kufomën e Sabriut dhe sot e kësaj dite, nuk e di ku e vendosën. Familjarët e të ndjerit, nuk patën kurajën të kërkonin kufomën e tij. Mua, nuk ma harruan këtë veprim. Kur u ndërtuan varrezat e dëshmorëve, tët atë, nuk e vendosën atje.

U ngrita dhe shkova në Tiranë tek shoku Enver. Nuk donin të më linin ta takoja. Por unë këmbëngula. E kisha vendosur. Është një histori më vete mënyra se si arrita të takohem me të. E pashë një ditë që po shkonte në këmbë për në zyrën e tij. I dola përpara. Rojet u munduan të më ndalonin. Ai i pa dhe thirri:

“Lejoheni”!

Ata u tërhoqën dhe unë e takova. I’u prezantova. E kishte njohur tim shoq. I tregova gjithçka. Më dëgjoi me vëmendje dhe urdhëroi që, trupi i tij të vendosej në Varrezat e Dëshmorëve. Kështu u bë.

Heshti. Asnjë nuk po fliste. Mënyra se si ajo e tregoi i preku të dy. Nënë Gjyla e kuptoi efektin që kishin bërë fjalët e saj dhe e penduar tha:

– Edhe unë budallaqja, ku e gjeta sonte të tregoj këtë histori? Hajde tani na bëni ndonjë muhabet tjetër, se këtu kemi ardhur për t’u dëfryer dhe jo për të treguar dokrra të tilla.

Në atë kohë po kalonin aty Besniku me Mirën, dy komshinjtë e kabinës pranë.

– Mirëmbrëma – thanë ata.

– Mirëmbrëma, urdhëroni të pimë diçka dhe të bisedojmë.

– Me kënaqësi.

U ulën në dy karriget që u serviri Lumtua. Nuk vonoi shumë dhe tavolina u mbush me gatime të ndryshme që ajo i përgatiti shpejt e shpejt. Agroni mori një shishe verë dhe duke e vendosur mbi tavolinë tha:

– Është verë Narte, trevjeçare.

Biseda kalonte sa nga njëra temë në tjetrën. Ai ishte saldator, ndërsa ajo elektriciste, por ishin të dy mjaft të përgatitur. Kishin dijeni të sakta, për shumë tema që nuk i përkisnin nivelit të arsimimit të tyre. Mundoheshin të mos mbeteshin prapa miqve të tyre intelektual. Me siguri, duhej të kishin lexuar shumë libra.

– Po fëmijët ku i keni? – pyeti Lumtua

Nuk mori përgjigje. Një heshtje pasoi fjalët e saj. Ajo u skuq se, iu duk që kishte gabuar në atë pyetje. Po ku ta dinte se çfarë mund të kishte ndodhur? Kishin apo nuk kishin fëmijë? Më në fund

Besniku foli:

– Edhe ne si juve, kemi vetëm një vajzë.

Përsëri heshtje. Dukej sikur ajo pyetje kishte prishur harmoninë e bisedës së deri atëhershme. Dukej sikur një diçka e padukshme, një hije e zezë, kishte dalë para tyre, për të penguar bisedën e lirë. Ndërkohë, ishin gati në mbarimin e shishes së dytë të verës dhe natyrisht ajo, kishte bërë efektin e saj. Pas një heshtje disi të gjatë, Besniku e theu atë:

– Më falni për këto që do u them. Ndoshta do të kishte qenë më mire, të mos kishim ardhur sonte këtu.

– Besnik! – foli Mira për t’i tërhequr vëmendjen.

– Mira më fal, por dua të jem i sinqertë me miqtë e rinj.

Gjithmonë kam qenë i sinqertë në marrëdhëniet me të tjerët dhe këtë natyrë nuk mund ta ndryshoj tani. Ndaj, o miq, dua t’iu them të vërtetën. Nuk e di nëse kjo e vërtetë do të ndikojë në marrëdhëniet tona. Nuk e di nëse bëmë mirë që erdhëm sonte këtu.

Heshti për disa çaste. Edhe të tjerët nuk flisnin. Prisnin të dëgjonin se çfarë do të thoshte. Kush ishte ajo e fshehtë që ai do të tregonte? Askush nuk mund ta merte me mend, se cila ishte arsyeja e shprehur në ato fjalë.

– Me siguri ju rridhni nga një familje me prejardhje të Luftës, – vazhdoi Besniku, ndaj ju kanë emëruar kryeinxhinier. Prandaj dua t’iu tregoj edhe unë, prejardhjen tonë. Nuk duam të jemi persona anonim që, kërkojnë të fshihen pas të tjerëve. E pra ne, i përkasim asaj që sot quhet shtresa e përmbysur. Unë rrjedh nga një familje e pasur tregtare, apo borgjeze siç e quajnë sot. Im gjysh, ka marrë pjesë në disa beteja të zhvilluara prej nacionalistëve, së bashku me ato të Frontit Nacionalçlirimtar. Pastaj erdhi ndarja.

Bashkëluftëtarët papritur, u kthyen në armiq me njëri-tjetrin.

U pushkatua në vitin 1945. Edhe im atë do kishte patur të njëjtin fat, por mundi të arratiset dhe mbylli sytë në dhe të huaj. Unë mbeta vetëm me nënën. Nuk dua të rrëfej jetën time se ajo, nuk mund të përshkruhet. Munda të mësoj mjeshtrin e saldatorit me të cilën jetoj. U martova me një vajzë po të shtresës time. Ajo e ka akoma të atin në burg. Lindëm vetëm një vajzë, ashtu si ju.

Ajo u rrit, u bë grua. Dashuroi një djalë. Ai ishte biri i vetëm i një funksionari të lartë. Një gjë e tillë na bëri që të mos e shihnim me sy të mirë këtë lidhje. I druheshim ndonjë të papriture. Por vajza këmbënguli. I ati i djalit, e ndaloi të birin të takonte vajzën. Por ata nuk u ndanë. Djali e kishte vendosur. Në fund babai, u detyrua të pranonte. Këtë e pagoi me uljen nga detyra. Por vuri një kusht, vajza nuk duhej të takohej më me ne. Kushti ishte shumë i rëndë, por u detyruam ta pranojmë.

Vajza kishte mbetur shtatzënë. U martuan dhe që nga ajo ditë pothuajse nuk shihemi më. Kontakti i vetëm është ndonjë letër apo takim fshehurazi. Ka lindur djalë, por ne e njohim fare pak. Tani pyes veten: Përse të trajtohemi në këtë mënyrë? Nuk e di nëse mund të kemi faj ne për ato që kanë menduar apo bërë prindërit tanë. Mos vallë ata morën mendimin tonë që, ishim akoma fëmijë? Dua edhe unë të studioj, por nuk më lejojnë. Dua të punoj i shpenguar, por përsëri nuk më lejojnë. Dua të jetoj i lirë, por edhe të jetoj nuk më lejojnë. Këtë logjikë nuk arrij ta kuptoj. Përse? Përse? Përse? Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

'Lufta është e vështirë, por ju jeni më të forta' Tetori rozë, Luiza Xhuvani mesazh për gratë në përballjen kundër kancerit të gjirit

'Lufta është e vështirë, por ju jeni më të forta' Tetori rozë, Luiza Xhuvani mesazh për gratë në përballjen kundër kancerit të gjirit