Pas skandalit të mashtrimeve me mikrokreditet, Banka e Shqipërisë rregullore të re: Institucionet financiare që humbasin licencën kalojnë në likuidim

Pas skandalit të mashtrimeve me mikrokreditet, Banka e Shqipërisë rregullore të re: Institucionet financiare që humbasin licencën kalojnë në likuidim

Pas mashtrimit të qytetarëve me mikrokreditë e kompanive MCA dhe Final, që solli edhe revokimin e licencave të tyre, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke ndryshuar rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare Jobanka”.

Banka thotë se kjo rregullore bëhet për mbrojtjen e qytetarëve, si dhe ndryshimet synojnë të plotësojnë më tej bazën rregullative për subjektet financiare jobanka, kryesisht për rastet pas revokimit të licencës, por jo vetëm, që lidhen dhe shoqërojnë gamën e gjerë të proceseve gjatë likuidimit të portofoleve të tyre të kredive.

Në këto ndryshime është specifikuar që pas revokimit të licencës, subjekti financiar jo bankë fillon procesin e likuidimit të portofolit të kredive të krijuar nga aktiviteti i tij. 

“Banka e Shqipërisë, në rast të revokimit të licencës së subjektit financiar jobankë sipas përcaktimeve të kësaj rregullore, fillon menjëherë procesin e likuidimit të portofolit të kredive të krijuar nga ushtrimi i veprimtarisë financiare në bazë të licencës. Likuidimi sipas pikës i të këtij neni, nuk zbatohet në rastet kur subjektit financiar jobankë i është revokuar licenca me kërkesën e tij dhe nuk ka portofol kredish në bilancin e vet, ose për arsye se nuk ka ushtruar aktivitetin për të cilin është licencuar, ose aktiviteti i tij është në një masë të tillë, sipas përcaktimeve të Bankës së Shqipërisë, që nuk përbën rrezik për të drejtat e kredimarrësve”, thuhet në nenin 21/1 të rregullores së re. 

Ndryshe nga rregullorja e mëparshme, në rregulloren e re janë përcaktuar edhe funksionet e likuidatorit, i cili do të merret me likuidimet e kredive të kompanive të cilave ju është revokuar licenca, siç është rasti i MCA e Final.

“Banka e Shqipërisë, bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë për emërimin e likuidatorit nga lista e administratorëve të falimentimit, ose persona të tjerë të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenet 112 dhe 113 të Ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në nenin 22/2 të rregullores së re. 

Menjëherë pas caktimit të likuidatorit, i cili duhet të ketë minimumi 5 vite punë në drejtim të institucioneve financiare ose bankë, si dhe të përmbush kriteret ligjore të përcaktuara në ligjin për bankat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të ngrejë grupin e punës, i cili në bashkëpunim me Departamentin Mbikëqyrës kanë si detyrë kryesore të mbështesin likuidatorin në procesin e likuidimit.

Likuidatori sipas rregullores së re do të raportojë pranë bankës qendrore për ecurinë e procesit të likuidimit do të autorizojë përditësime të kredimarrëve në Regjistrin e Kredive, si dhe ka të drejtë të marri në administrim portofolin e kredive të subjektit financiar jobankë dhe nëse portofoli shitet duhet të jetë përmes ankandit. 

Po ashtu në nenin 21/7 janë caktuar pikat e planit të likuidimit.
1. Likuidimi i portofolit të kredive të krijuar në bazë të licencës së dhënë nga Banka e Shqipërisë bëhet në përputhje me planin e likuidimit. 
2. Plani i likuidimit hartohet duke mbajtur në konsideratë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit sipas legjislacionit në fuqi. 3. Plani i likuidimit hartohet nga likuidatori brenda afatit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. 
4. Plani i likuidimit depozitohet për miratim në Bankën e Shqipërisë. Departamenti i Mbikëqyrjes mund të paraqesë komente dhe vërejtje për planin e likuidimit, brenda 10 ditëve nga data e depozitimit të tij në Bankën e Shqipërisë.
Muajin e kaluar Banka e Shqipërisë ju hoqi licencat kompanive Micro Credit Albania dhe Final pasi akuzohen se në bashkëpunim me përmbarues gjyqësorë kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të ri financimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme.
Janë afro 3500 kontrata kredish, që janë blerë të gjitha si hua të këqija pranë sektorit bankar nga MCA dhe Final, të cilat janë kthyer në status performues, pasi qytetarët po i shlyejnë ato, që do rikthehen përsëri në sektorin bankar në ato banka ku janë marrë.

Aktualisht Banka e Shqipërisë ka marrë në administrim të gjitha dosjet e kredive të klientëve që kishin Micro Credit Albania dhe Final, dhe pasi ti verifikojë se në cilat banka janë tërhequr ato, do të nisë diskutimet me bankat e nivelit të dytë, për tua rikthyer përsëri klientët që i kishin shitur si kredimarrës me probleme pranë MCA e Final. 

Po sipas informacioneve të gjitha kontratat e kredive që po paguhen do të verifikohen si nga Banka e Shqipërisë ashtu edhe nga bankat tregtare, për të parë nëse ka devijimi apo abuzime në to, me interesat, kamatëvonesat apo penalitetet.  Skema e mashtrimit të qytetarëve nga subjekti financiar MCA dhe Final, po konsiderohet e njëjti si në rastin e firmave piramidale. Dy kompanitë kishin në total 32,542 klientë, nga të cilët 90% e tyre ishin në sekuestro preventive.

Dokumenti i plotë

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi