Pas sulmeve në Stamboll, duam një
botë ku t'mos kemi frikë të fluturojmë

Pas sulmeve në Stamboll, duam një<br />botë ku t'mos kemi frikë të fluturojmë
Pothuajse i kisha harruar këto shënime. Koha gjithsesi rrodhi, me të tjera plane, të tjera përjetime. Pas ngjarjes së fundit në aeroportin e Stambollit, mu kujtuan këto përsiatje, që mezi i gjeta nëpër dosje kaluar nga një kompjuter në tjetrin. Për të rigjetur të njëjtin ankth…
 
Pushime 2006

 
Lindja është e gjakosur, bota në ankth, pushimet s’janë më të tilla
Hera e parë në një resort bregdetar, në një qendër turistike të mrekullueshme, në Egjipt – djep qytetërimesh e vend aq joshës ndër libra e filma. Eksperienca edhe më mahnitëse në realitet. Si vargu i një kënge në sfond: “ëonderful, ëonderful life”. E prapë s’mjaftokan për të qenë pushime të qeta. Aspak.
 
Janë orët e fundit para armëpushimit Izrael-Liban dhe me dëshpërim ushtarët izraelitë mundohen t’i shfrytëzojnë – dëgjohet BBC. Prej tyre janë lëshuar 7 raketa thellë drejt Bejrutit jugor
Thellë, mbi rrugë e ura, mbi ndërtesat ngjitur e ngjitur, mbi trupa njerëzish të pafajshëm, vrarë në orët e fundit para “ceasefire”[armëpushim], kur shpresa lulëzon…(Në orët e fundit, si tek “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” i Remarkut, që qëlloi të jetë përkthyer si profetikisht dhe nga im gjysh, vite para pushkatimit më 3 korrik 1946).

Kohë terrori shtetëror...
Ndërsa ne shijojmë mrekullinë e Detit të Kuq në Taba, jo larg kufirit me Izraelin.
(Po sikur…ndonjë raketë, gabimisht ose gjysëm gabimisht…) Aq i palogjikshëm, mendimi ndërpritet, edhe pse krijoi e la pas ankthin.  
Padashur më shkon mendja tek vogëlushet binjake, që baresnin nëpër aeroportin “Ataturk” të Stambollit, duke pritur tranzitin për Liban. Sikur të jenë plagosur? Në mos ato, të tjerë, moshatarët e tyre.
Imazhet e ushtarëve me helmeta nën diellin përvëlues më hedhin diku tjetër…
Po djali i Irmës, fqinjës sonë që për hir të të shoqit izraelit u vendos në Jeruzalem?
Ai fëmijë bjond e bukurosh, që më fanitet si dje duke luajtur nëpër shkallë, tani do ketë  tamam moshën për në ushtri.

Bota është kaq e trazuar…
Në Londër vazhdon gjendja e tensionuar ndër aeroporte, një e-mail nga një nënë amerikane në “Have Your Say” shkruan se sulmet e Izraelit i përgjigjen terrorit të planifikuar në avionet UK-USA (gjë që më duket vetëm pjesërisht e vërtetë, në fakt). Gjithsesi bashkohem krejtësisht me rreshtat e saj të mëposhtëm: “Unë dua t’i lë fëmijët e mi në një botë ku të mos kenë frikë të fluturojnë, të vishen si të duan dhe të besojnë në fenë që dëshirojnë”.
 
Në shek. XXI kjo botë ende është utopi. Ne, për të ardhur këtu, nga frika e ekstremistëve, moderuam veshjen, fshehëm simbolet fetare, udhëtuam me ankth…
Nga përsiatjet më zgjojnë ulërimat që vijnë nga dhoma ngjitur e hotelit. Di që një çift (nga veshja, ndoshta arabë) banon aty. Dëgjohen bërtitje të forta burri dhe ulërima gruaje, që herë-herë shpërthejnë në klithma, për t’u fashitur në një vaj qyqeje, deri në klithmën tjetër të rradhës.
Rrënqethem, një herë përgjoj, pastaj mendoj t’i bie derës. Keqtrajtimi nga një burrë abuziv është situata e parë që përfytyroj. Po ndoshta vetëm stereotip... Përsëri më therin shpirtin  ulërimat.  Di vetëm që diçka tepër e dhunshme fizike a psikologjike mund t’a detyrojë një njeri të nxjerrë ato ulërima të çjerra. Lajmëroj recepsionin:” Ju lutem nxitoni, diçka po ndodh në dhomën ngjitur (nga ankthi s’kujtoj dot as numrin e dhomës) dëgjohen ulërima”
Papritur ndiej frikë për veten, po sikur Ai t’a kuptojë dhe të më shqyejë derën apo të më gjejë në ashensor?!? (Prapë klishe filmash.) Mendimi më i mbrapshtë u vuri kapak të gjithave, po sikur Ajo të jetë kamikaze, dërguar me ndonjë brez-bombë, e të jetë penduar më pas… (janë aq të reja, nuk u ndodh ndonjëherë të kenë dyzime?) E Ai gjithsesi ta detyrojë ta përfundojë misionin, në një hotel plot me të huaj?
Minuta e minuta gjithë ankth për tu hedhur përpjetë nga telefonata e recepsionit: “Zonjë e verifikuam, s’ka asnjë keqtrajtim, ishte një diskutim familjar.”
Por kush mund të flerë më? Gjendja e frikës dhe ankthit
, e përftuar nga realiteti,  e përndezur nga paragjykimet e imagjinata ime do kohë të kalojë... 
O Zot, mendoj, kaq shumë pasiguri! Udhëtimet, Lindja, deri dhe hoteli, ky oaz relaksi e freskie pas shkretëtirës, përtej maleve të thatë e të zhveshur, literalisht “prapa diellit”, të mos mundë të na falë pak ditë pushimi të qeta!
A thua vërtet qytetërimet zbuluan njeri-tjerin vetëm për t’u konfrontuar, Da Vinçi e Zhyl Verni ideuan fluturimin për të sajuar ankthe të rinj, çlirimi përmes arratisjes në qiej s’i shpërtheka dot vargonjtë e krijuar nga Njeriu brenda Njeriut?
 
Jo, kjo s’është bota e ëndërruar për fëmijët e mi dhe dyshoj se do të bëhet ndonjëherë…
Ndoshta u mbetet vetëm të bashkëjetojnë me ankthin, të bëjnë ç’të munden për të frymëzuar paqen dhe tolerancën dhe …”në dorë të Zotit”.   
 
Egjipt, 13 gusht 2006”
 
Tani, 10 vjet më vonë asgjë s’ka ndryshuar. Mediat ndoshta, dhe portalet, por jo përmbajtjet, alarmi dhe ankthi që ato përcjellin. Atentatet, shpërthimet, pengmarrjet na janë kthyer në normalitet, madje dhe në referenca kohore si: “pas bombave në Bruksel” apo “para shpërthimit të fundit të Stambollit”. Ndonëse stinë udhëtimesh, pushimesh, shkujdesjeje, e ndoshta pikërisht për këtë, autorët e tyre duan të shkaktojnë ankth, pasiguri, paralizë.
E pra unë udhëtova para disa ditësh në Francë dhe në Bruksel, edhe pse mund të kishte atentate apo incidente. Si mijëra të tjerë… Sepse s’mund të lija pa kryer angazhimet apo pa ndier emocionet e papërsëritshme. Sepse s’mund të lija jetën pa jetuar.
Dje më inspiroi një status kurajoz në rrjetet sociale, që po e perifrazoj disi: “Isha para 2 javësh në  Stamboll dhe më pëlqeu shumë. E di që s’ka siguri, por mendoj se tani ajo s’gjendet më askund. Do të rikthehem!”
 
Sepse ata që duan të pengojne njerëzit të lëvizin, popujt të zhvillohen, kulturat të ndërveprojnë, s’mund ta mbajnë mbajnë botën on hold[në pritje]. 
Sepse ata që marrin jetën e njerëzve të pafajshëm, madje dhe jeten e tyre, të drejtë që e ka vetëm Zoti,  nuk mund të kushtëzojnë jetët tona.

Tiranë, 3 korrik 2016


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PS abstenon e s'e çon mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Katër futbollistët e Kombëtares që janë ende pa kontratë

Katër futbollistët e Kombëtares që janë ende pa kontratë