Pas vendosjes së tarifës 100 % për mallrat e importuara nga Serbia, autoritetet e Kosovës kanë hartuar një listë me persona të padëshiruar, që mund të shpallen “non grata” për të hyrë në Kosovë shkruajnë mediat serbe .
Mediat kosovare bëjnë të ditur duke cituar gazetën serbe “Novosti” , se qeveria e Kosovës po e ndërmerr një hap të tillë në shenjë hakmarrje, pasi Serbia ka ndikuar përmes presionit të administratës së Vuçiç për votë kundër në Interpol, ç’ka frenoi anëtarësimin e saj në organizatën e Interpol.
Kjo gazetë shkruan se “edhe para aplikimit të taksës doganore për hyrjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës, autoritetet e Prishtinës më 1 nëntor kanë marrë vendim që zyrtarëve më të lartë të Beogradit t’u ndalohet kalimin nëpër vendkalimet kufitare në mënyrë që të mos hyjnë në Kosovë”, citon Ekspress median serbe.
Gjithashtu në dokumentin e publikuar nga media serbe, janë funksionarë serbë, duke nisur nga kryeministrja Ana Bërnabiq, ministrat e Qeverisë serbe, e deri tek gjykatësit.
Dokumenti i publikuar nga media serbe "Novosti"
Në ‘Listën e zezë’ nga kabineti i kryeministres serbe Brnabiq janë: Ivica Daçiq, Nebojsha Stefanoviq, Rasim Lajiq, Zoran Mihajloviq dhe Aleksandar Vulin. Përfaqësuesit e padëshiruar nga Kuvendi i Serbisë janë: Presidentja Maja Gojkoviq dhe zëvendësit Verolub Arsiq, Vladimir Marinkoviq, Gjorgje Miliçeviq, Verica Radeta dhe Gordana Çomiq si dhe 14 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të kryesuar nga presidentja Vesna Iliq Preliq, katër gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kasacionit dhe presidentit të saj Dragomir Milojeviq, disa sekretarë shtetërorë, dhe disa ndihmës ministra, sipas gazetës serbe "Novosti".
Sipas mediave serbe lista me emrat e këtyre zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë, që mund t’u ndalojë hyrjen në Kosovë është e shpërndarë në pikat e kontrollit të policisë dhe në vendkalime.
Vendimi i Kosovës për të rritur taksat me 100% përkundrejt mallrave serbe u miratua më 21 nëntor në mbledhjen e qeverisë së Kosovës , ndërsa ka ngjallur reagime të forta në Serbi, te cilat e kanë komentuar si një kundërpërgjigje ndaj dështimit për anëtarësim në Interpol, ku Beogradi akuzohet se ka lobuar kundra anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.