Mes debateve të forta mes mazhorancës e opozitës, Kuvendi ka miratuar me 84 vota pro projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili kërkonte shumicë të cilësuar prej 84 votash për të kaluar.
Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon mbrojtje të posaçme procedurale për Guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët, duke përcaktuar se ata nuk mund të arrestohen apo t’u kufizohet liria pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
Po ashtu parashikohet që Euro do të jetë monedha zyrtare në Shqipëri menjëherë pasi vendi të jetë pjesë e BE-së. Euro që përdoret masivisht në ekonomi, në secilën hallkë të saj, nga blerjet e shërbimeve apo produkteve, e deri tek kreditë e depozitat, do të jetë monedhë zyrtare e vendit.
Opozita bllokoi foltoren, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi prezantonte rendin e ditës. Me të marrë fjalën, kryedemokrati Sali Berisha bëri thirrje për dhunë ndaj deputetëve socialistë, për të cilët tha se meritojnë plumba gome, gaz lotsjellës e 'çarje kafkash'.
“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.
Menjëherë kryeparlamentari Niko Peleshi kritikoi kreun e PD-së dhe i hoqi atij të drejtën e fjalës për gjithë ditën, me argumentin se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.
“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim... T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.
Fill pas këtij episodi, seanca plenare u ndërpre për disa minuta, për të rinisur në një moment të dytë. Edhe pasi rinisi, vijimi i saj nuk zgjati as për disa minuta, pasi për shkak se deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren, u ndërpre për të dytën herë.
Deputetët demokratë Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati u përjashtuan nga seanca plenare, pas përplasjeve dhe flakadanëve të hedhur në Kuvend.
Sipas rendit të ditës, seanca parashikonte shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, krahas një interpelance me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Gjatë seancës së kaluar pati tensione dhe përplasje. Sekretariati i Etikës përjashtoi me 60 ditë 6 deputetë të Partisë Demokratike: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.
Lajm në përditësim…
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur pas përfundimit të seancës plenare, për paraqitjen në Kuvend të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, vetëm për votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Teksa u pyet nga gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj, se përse Balluku nuk merrte pjesë në seancat e tjera plenare, Balla tha se ajo gjendej aty në momentin e duhur.
Më tej Balla tha se Balluku është ndër deputetët më të mirë të Partisë Socialiste, përsa i përket prezencës në zonën e saj zgjedhore.
“Ç’vlerë ka për PS-së axhenda e vitit 2030 me një deputete që nuk paraqitet në asnjë seancë plenare, por vjen vetëm për të votuar, si për votimin e Territoriales apo sot?”, pyeti gazetari i Report Tv, Isa Myzyraj, kreun e Grupit të PS, Taulant Ballën.
“Grupi Parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe të gjithë janë gjithmonë aty për të votuar dhe për të mbështetur këto reforma, sepse kontrata e PS është kontratë me Shqipërinë. Në mes të ditës, në orën e përcaktuar, gjithmonë aty. Sa i përket prezencës në zonën zgjedhore është ndër deputetet më të mira të PS-së. Nesër ora 17:00 prania besnike në Fier, mund të shkosh aty e ta shikosh”, u përgjigj Balla.
Balla foli edhe për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2027. Ai tha se buxheti prej 10 miliardë eurosh për vitin 2027 do të jetë më i larti që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, siç sipas tij i ka ‘hije’ vendit tonë.
Duke folur për paketën fiskale, Balla tha se ulja në 6% e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet, është një lajm i mirë për qytetarët shqiptarë. Ai i kërkoi opozitës që të bëhet pjesë ne votimit të buxhetit dhe paketës fiskale 2027 në Kuvend.
“Sot janë miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Mesazhi është i qartë. Përtej bilbilave e dhunës, agjenda europiane e Shqipërisë nuk ndërpritet. Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë prej 10 miliardë eurosh si shtet. Një buxhet siç i ka hije vendit tonë. Edhe paketa fiskale, që lidhet me uljen e TVSH-së për ushqimet në 6%. Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet është një lajm i mirë. Edhe opozita duhet të marrë pjesë në Kuvend për të votuar për këto çështje. Duhet të votojë rritjen e pensioneve”, tha mes të tjerash Balla.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, është shprehur se opozita zgjodhi formën e protestës sot në seancën plenare në Kuvend, pasi sipas tij, në rendin e ditës duhet të ishte kriza politike dhe protesta disa-ditore në Tiranë.
Alizoti tha se përsa kohë që Qeveria përpiqet që të mohojë krizën politike, aq më shumë sipas tij shtohet revolta te qytetarët. Sipas Alizotit, lideri politik në një moment krize në Shqipëri duhet të japë dorëheqjen, për të krijuar paqe sociale në vend.
Një fjalë Alizoti e kishte edhe për Belinda Ballukun, teksa tha se 'ish-zv.kryeministrja miliardere s'mund të vijë e të votojë këtu kur populli vuan për bukë'.
“Qeveria kineze gjatë kohës që njerëzit vriteshin me tanke, miratonte një plan për bujqësinë. Shqipëria sot ka nevojë për mendje të arsyeshme e racionale. Këta përpiqen ta mohojnë krizën, por kriza ishte aty. Duhet të ishte në rend dite kriza dhe revolta e studentëve, prandaj ne protestonim. Ne po përpiqemi ta bëjmë revoltën në mënyrën tonë. Ju i keni provuar vetë plumbat e gomës. Përse? Që të rrijë një individ. Lideri në moment krize duhet të japë dorëheqjen dhe të krijojë një paqe sociale.
Sfida e opozitës shqiptare është të dëgjojë zemërimin e njerëzve. S’mund të vijë zv.kryeministrja miliardere dhe të votojë atje. Ju e keni provuar vetë dhunën e Policisë. Policia është për qytetarin dhe jo kundër qytetarit. Kur një pushtet përdor dhunën, ai është në fundin e tij. Studentët të vijojnë protestën. Ju jeni rritur pa mite”, tha mes të tjerash Alizoti.

Seanca e sotme plenare në Kuvend është mbyllur pas tensioneve dhe përplasjeve që shoqëruan punimet që në nisje. Deputetët e PD-së bllokuan foltoren, goditën tavolinat dhe gjatë seancës ndezën edhe tymuese e flakadanë. Në sallë ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Disa deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve Saimir Korreshi, Gjin Gjoni dhe Xhelal Mziu kanë shkuar në Kuvend me një sy të fashuar, në shenjë solidarizimi me 28-vjeçarin Erjon Vishkulli, i cili u dëmtua në sy gjatë protestës së dhunshme në Tiranë, disa ditë më parë.
Deputetët e Partisë Demokratike kanë hedhur sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. Rama është larguar nga salla e Kuvendit pas votimit për projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”.
Miratohet në parim me 84 vota pro (83 me votim elektronik dhe 1 me karton) projektligji i ri për ‘Bankën e Shqipërisë’.
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ndërsa pak pas tij është parë të hyjë edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Seanca e sotme është shoqëruar me tensione që në nisje, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren, kanë goditur tavolinat dhe kanë ngritur pankarta në mbështetje të studentëve që protestojnë prej ditësh
Deputetët demokratë Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati përjashtohen nga seanca plenare, pas përplasjeve dhe flakadanëve në Kuvend.
Pas bllokimit të foltores, deputetët e opozitës ndezën flakadanë.
Pas kësaj situate u kalua në votim të pr.ligjeve pa diskutim.
Tensionet në Kuvend vazhduan pa ndërprerje teksa deputetët e Partisë Demokratike u përplasën edhe me punonjësit e Gardës.
Deputetja demokrate Gerta Bardeli shihet në video teksa i afrohet zonës ku qëndrojnë ministrat e qeverisë, në përpjekje për t'iu afruar Niko Peleshit, por punonjëset e Gardës i pengojnë rrugwn dhe e orientojnë drejt shkallëve.
Demokratët kanë vijuar të bllokojnë foltoren, duke kundërshtuar drejtimin e seancës nga kryeparlamentari Niko Peleshi
Më herët, ky i fundit i hoqi të drejtën e fjalës për gjithë ditën Sali Berishës, pas deklaratave të tij nga foltorja e Kuvendit.

Kryedemokrati Sali Berisha, edhe pasi Niko Peleshi i ndërpreu fjalën pas thirrjeve për dhunë, e vijoi deklaratën e tij përmes video-lives në rrjetet sociale.
Teksa tha se kryeministri Edi Rama do të ketë fatin e ish-diktatorit rumun Nikola Çaushesku, Berisha paralajmëroi deputetët dhe ministrat socialistë se do të shkojnë pas ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, në burg.
Më tej Berisha tha se dy kongresmenë amerikanë i kanë kërkuar sekretarit Marco Rubio sanksionimin e kryeministrit Rama dhe Ballukut.
Pjesë nga fjala e Berishës përmes video-lives në rrjetet sociale:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste, injoron të gjitha zhvillimet në rrugë, revoltën studentore dhe bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këta mbrojnë krimet e tyre. Këta mbrojnë pasuritë e vjedhura. Këta mbrojnë vrasjet që kanë porositur. Këta janë më kriminelët në Shqipëri. Këta janë më kriminelë se ata që ndodhen në qeli. Ikni, ikni edhe ju. Ikni se do ikni. E keni parë ju se çfarë u bëjnë në debate? Se si ia nxijnë fytyrën si legeni? Se si ua nxjerrin fytyrën?
Si ka mundësi mor që ngriheni kundër studentëve, ngriheni kundër fëmijëve të shqiptarëve? Pasi u keni vrarë shpresën, doni t’i vrisni fizikisht. A e kuptoni ju pse luftojnë studentët? A e kuptoni betejën e tyre? Është betejë për çdo shqiptar, është betejë për këtë vend, për të ardhmen e tij, të cilën ia rrëmbyet, të cilën e shndërruat në pasuri përrallore, e shndërruat në konto bankare të pafundme, në vila e pallate. Në Evropë dhe në botë nuk ka një grup më kriminal se ju. Kaq është i Koresë së Veriut, por ai është për arsye ideologjike, jo për vjedhjen e qytetarëve.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, një mbështetje e madhe vjen Kongresi i SHBA. Dy kongresmenë ndër më të shquarit të atij vendi i dërgojnë një letër sekretarit Rubio. Kongresmeni Joe Ëilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin amerikan dhe kongresmeni Keith Self. Në këtë letër ata kërkojnë sanksionimin e Edi Ramës. Ata kërkojnë sanksionimin e Lubi Ballukut. E di si do shkoni ju pas Lubisë, njëri pas tjetrit. E keni parasysh legjendën që kur i prekte zana, shndërroheshin në gurë. Ju do shndërroheni në të burgosur. Ju u ka peng Lubia. Pra, ju u ka prekur Lubia, të gjithë do jeni në burg si Lubia. Mos e mbroni Padrinon, mos e mbroni një kriminel, një shpirt xhelat.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në ambientet e Kuvendit, teksa kjo seancë e së enjtes ka nisur me tensione për shkak të opozitës.
Seanca plenare në Kuvend nisi me debate të ashpra mes opozitës e mazhorancës, ku deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren.
Kryedemokrati Berisha mori fjalën dhe bëri thirrje për dhunë ndaj deputetëve të PS, teksa tha se janë ata që meritojnë plumba gome, gaz lotsjellës e 'çarje kafkash' dhe jo protestuesit.
“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.
Ndërkohë kryeparlamentari Niko Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës për gjithë ditën, duke argumentuar se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.
“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim... T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.
Seanca plenare ka nisur me tensione. Deputetët e PD kanë bllokuar foltoren, teksa më parë goditën me duar tavolinat.
Ata gjithashtu mbajnë në duar foto nga protesta.
Dhjetëra makina dhe efektivë Policie janë pozicionuar ditën e sotme para Kuvendit të Shqipërisë, teksa është paralajmëruar mbajtja e seancës plenare për shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, krahas një interpelance me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Ky grumbullim i forcave të Policisë vjen mes klimës së protestave të dhunshme që kanë ‘paralizuar’ gjatë këtyre ditëve kryeqytetin (ditët e fundit intensiteti i tyre ka rënë).





Komente
Komento