POGRADEC- Dy ditë pas ngjarjes së rëndë në plazhin Potam të Himarës, Report Tv ka kryer disa vëzhgime në bregdetin e vendit, ku nuk u vërejt asnjë jet ki duke lëvizur me shpejtësi pranë bregut. Por, ajo ç’ka u konstatua lehtë ishte prania e një stacioni ku jepen jet ski me qira në mes të plazhit të Ksamilit ku notuan pushuesit.

Fenomeni i mjeteve lundruese pranë stacionit të plazheve është prezent dhe në qytetin e Pogradecit.

Pushteti vendor në këtë qytet ka përcaktuar vendin e ankorimit të motorëve të ujit dhe mini skafeve shumë pranë zonave ku ka prani të pushuesve të grup moshave të ndryshme. Pas incidentit të ndodhur në plazhin e Potamit, sërish duket se nuk ka reflektim nga autoritetet e Pogradecit për të larguar këto mjete ujore nga zona ku momentalisht qëndrojnë.

Report Tv kreu vëzhgim dhe ne vijën bregdetare Vlorë-Orikum, ku ndodhen 4 stacione të licencuara nga bashkia e Vlorës për qëndrimin e mjeteve lundruese. Janë përcaktuar 10 korridore për hyrje-daljet në breg, por pjesa më e madhe e operatorëve turistike si dhe individë funksionojnë jashtë këtyre korridoreve. U vu re qartë mungesa e kufizimeve me bova dhe litarë në disa plazhe private.

Ngjarja tragjike vuri në lëvizje policinë kufitare. Gjatë xhirimeve të Report TV, në Shëngjin dhe Radhimë u konstatua bllokimi i disa motorëve të ujit.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua më 2 gusht në plazhin e Potamit në Himarë, ku Arjan Tase duke drejtuar gomonen ka goditur për vdekje një 7-vjeçare. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00. Drejtuesi i gomones ishte shefi i policimit në komunitet në Elbasan, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.