Zgjerohet koalicioni në luftë kundër shtetit islamik të Irakut dhe Levantit. Kabineti australian ka dhënë miratimin që avionet e saj luftarake të bashkohen me veprimet ushtarake të udhëhequra nga SHBA, në luftë kundër shtetit islamik.

Kryeministri australian Tony Abbott tha se ekstremistët islamikë kishin hapur luftë në të gjithë botën dhe duhet të ndaleshin. Në një deklaratë të pritur, Abbott tha se miratimi i forcës ushtarake nuk ishte një vendim që e ka marrë lehtë, por Iraku nuk duhej lënë vetëm në luftën e saj kundër tyre. “Po, jemi të vendosur të luftojmë, por ky është edhe një misison humanitar në thelb për të mbrojtur popullin e Irakut, dhe në fund të fundit, australianët nga kulti i vdekjes së ISIS”.

Vendimi për të ndërmarrë veprime ushtarake, të cilat nuk kanë nevojë për miratimin e parlamentit, vjen pas rritjes së shqetësimeve për numrin e australianëve xhihadistë që luftojnë përkrah ISIS. Muajin e kaluar, policia kreu disa bastisje në disa shtëpi në Sydney pas raporteve të inteligjencës se ekstremistët islamikë kishin planifikuar të ekzekutonin persona në publik. Ndërkaq, një i dyshuar 18-vjeçar me origjinë nga Afganistani, i dyshuar për terrorizëm dhe i thirrur në stacionin policor për të dëshmuar, u qëllua për vdekje pasi plagosi me thikë 2 policë.

Ndërkaq, vetëm një ditë më parë, parlamenti turk mbështeti një mocion që lejonte ushtrinë turke të veprojë në Irak dhe Siri. ISIS ka përparuar kohët e fundit drejt kufirit turk duke bërë që mijëra refugjatë sirianë të kalojnë kufirin.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)