Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për plotësimin e kërkesave të studentëve, të bërë fill pas vendimeve të marra në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. (Lexo këtu)

Basha tha në një konferencë për mediat se kryeministri Edi Rama po i mashtron studentët me “Paktin për Universitetin”, pasi sipas tij kreu i ekzekutivit nuk ka asnjë plan. “Cikërrimat dhe mashtrimet me të cilat doli sot janë riciklim i atyre që ka thënë gjatë këtyre ditëve, nuk zgjidhin asnjë nga problemet e thella me të cilat përballen studentët. Tha që do i bëjë konviktet brenda mandatit, por konviktet nuk janë 'Unaza' ”, tha kryetari i PD.

Kryedemokrati iu ofroi qytetarëve dy "rrugëdalje" nga kjo gjendje "coroditëse e zhvatëse", që i parashtroi edhe në seancën e fundit plenare; anulimin dhe hartimin e një ligji për arsimin e lartë si dhe dyfishimin e buxhetit.

Hapi i parë, anulimi i ligjit dhe hartimi i një ligji për arsimin e lartë në konsultime me pedagogë, ku të mëshirohen standardet e Europës. Demokratizim dhe jo centralizim, më shumë autonomi, rol më i madh për pedagogët e studentët. Një rikonceptim i mënyrës si do të rritet cilësia e mësimdhënies në universitete. Rritja financiare nuk con në përmirësim të cilësisë. Mbështetje për infrastrukturën akademike që sot është në ditën e saj më të zezë, rankimi i universtiteteve. Janë kolona për një ligj të arsmit të lartë.

Shtylla e dytë është dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Edi Rama ka folur sot 45 minuta dhe ka premtuar lloj-lloj gjërash, gënjeshtra. Por nuk iu thotë shqiptarëve një gjë të thjeshtë, që totali i buxhetit për arsimin e lartë, i miratuar me votat e tij dhe të qeverisë së tij është rritur vetëm me afërsisht 2 milionë dollarë. Çfarë do të zgjidhë ai me 2 milionë dollarë? Çfarë tarifash do të përgjysmojë ai me 2 milionë dollarë? Cilëve studentë do t’u vijë në ndihmë Shqipëria me 2 milionë dollarë?

Propozimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. Aktualisht kjo do të thotë një vlerë prej afërsisht 74 milionë dollarë më shumë se sa ato që janë planifikuar. 74 milionë dollarë më shumë të cilat do të shpenzohen në dy drejtime: Së pari, për të subvencionuar tarifat e studentëve dhe për të mbështetur përmes subvencionit social ata studentët, prindërit e të cilëve nuk kanë asnjë mundësi ekonomike që të paguajnë as shumën më të vogël për jetesën e tyre, qoftë kjo qira, ushqim, veshmbathje, libra, transport, telefon apo shpenzime të tjera të jetës së përditshme.

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike

Sipas Bashës, tarifa totale e këtij propozimi të Partisë Demokratike, që të mbulohen që të gjitha familjet nën 640 mijë lekë të vjetra të ardhura në muaj duke mos paguar asnjë tarifë, si dhe ato me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj të paguajnë vetëm gjysmën e tarifës, është 38 milionë dollarë.

Ai cilësoi se me planin e ndryshimit të buxhetit, Partia Demokratike do t'i vijë konkretisht në ndihmë studentëve të ardhur me vështirësi ekstreme ekonomike me një subvencion të drejtpërdrejtë prej afro 2200 dollarësh në vit, ku llogaritet sipas tij kostoja e konviktit, qiraja e shtëpisë,kostoja minimale prej 6 mijë lekësh të vjetra në ditë për ushqimin dhe kosto të tjera që kanë të bëjnë me koston e librave, abonenë, telefonin etj.

Basha vijoi së thënuri se pjesa tjetër e parave, 32 milionë dollarë, do të investohen në infrastrukturën konviktore dhe akademike të universiteteve publike shqiptare.

Kryetari i PD-së theksoi se buxheti 2019 i ka mundësitë për t'i plotësuar kërkesat studentëve, por sipas tij Rama nuk kërkon që këto para t'i shpenzojë për ta. 

Do t’i çojë, e përsëris: 18 milionë dollarë shpenzime luksi qeveritare. 21 milionë dollarë më shumë shpenzime operative - më shumë karburant, më shumë dhoma hoteli, më shumë udhëtime me avion. 21 milionë dollar më shumë sesa sivjet! 12 milionë dollarë vetëm për korrupsionin tek Unaza e re. 21 milionë dollar vetëm për Arben Ahmetajn dhe inceneratorët e tij në Tiranë, Elbasan dhe Fier. 33 milionë dollar për Vilma Nushin, Ilir Rrapaj dhe Jani Karathano. Këto janë prioritetet e Edi Ramës. Mbushja e xhepave të këtyre njerëzve.

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike

Në fund, Basha u shpreh se detyra kryesore e opozitës është jo vetëm t'u tregojë shqiptarëve sesi vidhen paratë që mund të ndihmojnë në arsimin e lartë, por edhe rrugën që këto para të mos vidhen më e të shkojnë realisht aty ku ka më shumë nevojë vendi.