Një kamera sigurie ka regjistruar momentin kur një pasagjer është sulmuar ndërsa po merrej me celularin e tij pasi një burrë iu afrua nga pas duke u përpjekur ta shtynte në shinat e trenit që po afrohej.

Peter Michael Walbrun, u sulmua më 19 mars në stacionin e trenit Northgate në Seattle, Washington nga 26-vjeçari Elisio Melendez që është arrestuar për tentativë vrasjeje të shkallës së dytë.

Walbrun u tha policëve se po lexonte artikuj në telefonin e tij kur Melendez e shtyu. Ky i fundit ishte i veshur me një bluzë me kapuç të zi mbi kokë dhe pantallona të zeza.

Sipas prokurorisë, ddërsa treni po afrohej, Melendez u hodh drejt Walbrun dhe e shtyu atë drejt shinave. Fatmirësisht, Walbrun arriti të mbahej dhe e shtyu mbrapsht. Pas një përleshjeje të shkurtër fizike, 26-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes, por u identifikua më vonë nga kamerat e sigurisë.

Gjatë marrjes në pyetje Melendez tha se personi në pamjet e kamerave të sigurisë ishte dikush që “ndoshta i ngjante atij” ose “binjaku im që nuk e kam.”

Prokurorët thanë se Melendez nuk ka qenë i dënuar më parë, por është akuzuar për sulm të shkallës së sytë dhe dhunë në familje në vitin 2019 pasi kishte goditur motrën me thikë në bark.

Çështja u rrëzua në vitin 2021 pasi ai u shpall i paaftë për t’u gjykuar për shkak të diagnozës së skizofrenisë.

Melendez ishte gjithashtu akuzuar për sulm të shkallës së katërt në vitin 2017, por nuk u dënua kurrë./Daily Mail