Moti i keq/ Në Lezhë, lundrimi detar vijon të jetë i pezulluar! Në Shkodër priten reshje të dendura! Disa fshatra ende pa energji

Reshjet me intensitet të lartë pritet të rikthehen gjatë mbrëmjes në vend. Kryesisht më të rrezikuar do të jenë qarqet Shkodër dhe Kukës.

Ndërkohë situata e krijuar një ditë më parë nga moti i keq në Lezhë ka nisur të përmirësohet. Sakaq lundrimi detar në Shëngjin vijon të jetë i pezulluar, për shkak të detit të trazuar me dallgëzim deri në 7 ballë. Po ashtu probleme vijon të ketë edhe me furnizimin me energji elektrike, pasi stuhia me ere të fortë ka dëmtuar linjat kryesisht në fshatra.

Sipas meteorologes Anira Gjoni, në qarkun e Lezhës priten reshje me intensitet mesatar, ndërsa në qarqet e tjera situata do të stabilizohet dhe priten reshje shiu të dobëta edhe në dy ditët në vijim. Megjithatë, sipas parashikimeve, e mërkura pritet të rikthej sërish reshje shiu me intensitet të lartë.

Temperaturat minimale sot do të luhaten nga 7 deri në 14 gradë, ndërsa temperatura maksimale parashikohen nga 14 deri në 16°C në veri, ndërsa nga 19 deri në 23°C në zonat e ulëta dhe pranë bregdetit. Era do të jetë me drejtim perëndim me shpejtësi 12-25 m/sek dhe dallgëzim te forcës 6-7 balle në det të hapur .

Prej ditës së premte vendi ynë u godit nga stuhia ‘Ciaran’ duke lënë pas dëme të konsiderueshme në Tiranë dhe disa qarqe të tjera të vendit. Shiu dhe breshëri i dendur vijuan edhe përgjatë të shtunës, ndërsa disa fshatra vijojnë të jenë pa energji elektrike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:55
VIDEOLAJM/ Era e fortë lë pa energji disa fshatra, punonjësi i OSHEE në Vaun Dejës sfidon motin e keq, në mes të furtunës mbi shtyllë elektrike

 

Disa fshatra në vend po përballen me mungesë të furnizimit me energji elektrike si pasojë e këputjeve të telave nga stuhia "Ciaran" dhe era e fortë, Në disa fshatra janë këputur linjat e tensionit të ulët dhe për shkak të erës së fortë dhe shiut, është bërë i pamundur riparimi i tyre. Në disa të tjera punonjësit e OSHEE janë duke punuar pa pushim për rikthimin e energjisë.

Në një video që disponon Report TV shihet një punonjës i OSHEE në bashkinë Vau i Dejës, ku në mes të stuhisë është ngjitur mbi shtyllën elektrike duke sfiduar dhe kushtet e vështira të krijuara nga moti.

Ora 19:16
Rinis furnizimi me ujë i Tiranës nga burimi i Shën Mërisë, Veliaj: Faleminderit kolegëve që punuan 48 orë pa rreshtur 

 

Prej ditës së premte vendi ynë u godit nga stuhia ‘Ciaran’ duke lënë pas dëme të konsiderueshme në Tiranë dhe disa qarqe të tjera të vendit. Shiu dhe breshëri i dendur shkaktuan probleme me furnizimin me ujë.

Përmes një postimi në facebook, kryebashkiaku Erion Veliaj ka njoftuar për zgjidhjen e problemit.

 “Një lajm i mirë për qytetarët e Tiranës. Pas 48 orëve intensive, ekipet e Ujësjellës Kanalizimeve kanë mundur të zëvendësojnë tubacionin qëndror të Shën Mërisë, që ishte dëmtuar nga inertet që solli rrebeshi. “Pas shumë mundi, edhe pasoja e fundit e stuhisë u zgjidh! Falemnderit kolegëve të @UjësjellësiTR që punuan 48h pa rreshtur për të zëvendësuar tubacionin qendror të Shën Mërisë, dëmtuar nga inertet që solli rrebeshi! Furnizimi rinis normalisht sonte për Njësinë 1. 2, Dajt dhe Farkë! Mirënjohje qytetarëve për durimin dhe bashkëpunimin!Bashkë!”, shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ora 11:40
Edhe Kukësi i kthehet normalitetit, pas motit të keq vijon qarkullimi në rrugët nacionale

Situata e krijuar një ditë më parë nga moti i keq në Kukës, ka nisur të përmirësohet. Mëngjesin e sotëm, (5 nëntor) rrugët nacionale janë të qarkullueshme dhe lëvizja e mjeteve ka nisur si normalisht.

Ndonëse ka patur rënie gurësh në disa segmente rruge, subjektet kontraktore kanë punuar për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.

Furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç Nj.Ad Malzi e Arrën bashkia Kukës dhe Nj.Ad Tropojë e vjetër bashkia Tropojë.

Furnizimi me ujë të pijshëm është normal.

 

Ora 10:50
Moti i keq/ Përmirësohet situata në Lezhë, ulet intensiteti i reshjeve! Lundrimi detar vijon të jetë i pezulluar

Situata e krijuar një ditë më parë nga moti i keq në Lezhë ka nisur të përmirësohet. Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, përgjatë 24 orëve kanë rënë 74 mm shi, por që prej mbrëmjes të së shtunës intensiteti i reshjeve është ulur duke ndikuar pozitivisht më tërheqjen e ujerave në zonën e Shëngjinit, ku kishte probleme një ditë më parë.

Ndërkohë lundrimi detar në Shëngjin vijon të jetë i pezulluar, për shkak të detit të trazuar me dallgëzim deri në 7 ballë.

Mjetet lundruese do të qëndrojnë të ankoruara në port deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Po ashtu probleme vijon të ketë edhe me furnizimin me energji elektrike, pasi stuhia me ere të fortë ka dëmtuar linjat kryesisht në fshatra.

Grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në gatishmëri, duke ndërhyre në kohë në riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat ku janë krijuar problematika.

Referuar parashikimeve moti i keq me reshje shiut do ta shoqërojë Lezhën edhe gjatë ditës së dielë, ndërsa Autoritetet Vendore vijojnë të jenë në gadishmeri për t’ju përgjigjur situatave që mund të krijohen.

M.Q./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 05/11/2023 22:58

    Mire o Erion qe falenderon punonjesit qe bene riparimin dhe qytetaret per durimin e mirekuptimin,por nuk mund te shtoje gjithashtu ne mesazhin tend qe uji duhet valuar per 24-48 ore?!

    Përgjigju
  • %€&*: 05/11/2023 20:46

    Kta te UKT u kputen ne by... tu punu ka 3 muj qe asht ça tubi nen trotuar te rruga 5 maji e nuk e çan kush kryt me ardh e me riparu vec me ju pru fiks fare manej turren me vrap.

    Përgjigju
  • Alb: 05/11/2023 10:32

    Po nermal jena ne dimer tash. Shqipnija ashte ne meshiren e zotite se per shtetin ashte e falimentume.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja