Katolikët kremtojnë Ngjalljen e Krishtit, mbahet Mesha e Shenjtë në Tiranë! Shqiptarja.com dhe Report Tv urojnë besimtarët: Pashkë të bardha

Katolikët kremtojnë Ngjalljen e Krishtit, mbahet Mesha e Shenjtë në Tiranë! Shqiptarja.com dhe Report Tv urojnë besimtarët: Pashkë të bardha

Mesha e shenjtë e Pashkës në nderim të ringjalljes së Jezu Krishtit është mbajtur në katedralen “Shën Pali” në Tiranë nën drejtimin e imzot Arjan Dodaj. Të shumtë kanqe qenë besimtarët katolikë, të cilët kanë marrë pjesë në meshë dhe po kremtojnë ringjalljen e Jezusit. 

Kjo konsiderohet e shtuna e madhe për katoliket të cilët nesër festojnë Pashkët. Shumë prej tyre që në orët e para të ditës së shtunë u janë drejtuar katedraleve dhe kishave në Shkodër, Lezhe e Krujë për të bekuar ushqimin që do të jetë në tryezën e të Dielës së Pashkës.

Në mesazhin e tij Imzot Arjan Dodaj e vuri theksin te inteligjenca artificiale. Ai tha se teknologjia duhet vënë në shërbim të njerëzve dhe jop ta zëvëndësojë atë duke krijuar tekno-njeriun. Kurse kardinali Ernest Troshani dhe Monsinjor Angelo shpërndanë mesazhe paqeje e harmonie. Ndërsa Dom Frano ne Lezhe dhe At Davidi ne Kruje përcollën mesazhet për harmoni ne familje.

Arqipeshkevi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, teksa foli për luftërat në Ukrainë e Rripin e Gazës, tha se në ditët e sotme priremi që gjithçka ta shohim zi, ndërsa në mesazhin per besimtaret theksoi se duhet ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë.

Kardinali 96-vjeçar Ernest Troshani Simoni uroi besimtaret katolike, me një mesazh nga Vatikani.

“Jetojmë në një kohë kur njerëzimi është mbushur me të papritura. Sot është festa për Krishtin. Kjo është festë e madhe. Urojmë që në çdo festë të kenë në mendje Krishtin. Të bashkoheni!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:39
Rama ndan pamje nga procesioni i 'Udhës së Kryqit' në sheshin 'Nënë Tereza'

Në vigjilje të Pashkëve Katolike, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë u organizua mbrëmjen e djeshme procesioni i ‘Udhës së Kryqit’, njësoj si në Vatikan. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo ceremoni ku u mblodhën besimtarë të shumtë katolikë.

 

Ora 17:49
Nesër Pashkët Katolike/ Arqipeshkvi Dodaj: Të vihemi në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë

1711817473_ttrkutrku.JPG

Arqipeshkvi Arjan Dodaj

Arqipeshkvi Arjan Dodaj ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkës, që janë nesër (31mars 2024) ndërsa bëri thirrje ndaj institucioneve përkatëse të pushtetit qendror dhe atij lokal, forcave politike dhe organizmave të shumta të jetës civile, kulturore, akademike dhe mediatike që në kuadër të rolit të tyre, të përpiqen për ndërtimin e një shprese ndaj rinisë shqiptarë, të cilët synojnë vazhdimisht ikjen nga ky vend.

“Qoftë për secilin prej jush të dashur vëllezër e motra ky moment qoftë një moment hiri e gëzimi për çdo person, për çdo familje, për çdo situatë e veçanërisht një moment bekimi për të rinjtë tanë që jo rrallë herë përballë sfidave për të ardhmen, të cilat iu shpalosen në jetën e përditshme, shohin vdekjen e realizimit të ëndrrave të tyre këtu. Por Krishti e ka mundur vdekjen, ai e ripërtërin shpresën. Shqipëria nuk është vetëm vendi i të ardhmes por para së gjithash vendi i të sotmes. Ne sot jemi thirrur që të jetojmë të lumtur sot, e kështu të mbjellim lumturinë, atë për të cilën të gjithë kemi etje. Kështu de ne si Kishë, por edhe mbarë institucionet përkatëse të pushtetit qendror dhe atij lokal, të gjitha forcat e ndryshme politike dhe organizma të shumta të jetës civile, kulturore, akademike dhe mediatike, jemi të thirrur të vihemi në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë që së bashku të dimë të gjejmë udhë dhe metodologji të reja që të mbjellim në ta entuziasmin për t’u bërë bashkëndërtues të së ardhmes që i përket vendit tonë”,- tha Dodaj.

Dodaj nuk la pa prekur as avancimin e paparashikueshëm të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. AI bëri thirrje që njeriu të mos bjerë pre e saj por ta përdorë atë në shërbim të tij.

“Sa e domosdoshme është të ruamë këtë entuziasëm tek të rinjtë pa lejuar që të jenë pre e çdo forme vartësi që krijojnë drogat, që fatkeqësisht po i marrin në konsumim marramendës në brezat e rinj. Por edhe drogat virtuale mediatike të cilat po bëhen gjithmonë edhe më shumë ndikuese dhe gjeneruese të dhunës. Duke filluar nga ato ambiente ku përvoja edukuese duhet të jetë e para. Sot, ku në nivel global teknologjia ka një hapësirë të jashtëzakonshme dhe në jetën e përditshme të shoqërisë të mos lejojmë që ajo të vendosë për njeriun duke rrezikuar të krijojmë për të rinjtë tanë “tekno-njeriun”, por le ta bëjmë më humane teknologjinë, kështu që inteligjenca artificiale të jetë në shërbim të njeriut për të mos rrezikuar që të shprehë, të prekë, të pezmatojë ndjenjat, emocionet, aromat, sensibilitetin dhe shpirtin e njeriut, e kështu t’i lehtësojë secilit nga ne të qenit në shërbim të shoqërisë, duke marrë me më shumë kurajo vendime që parandalojnë ato efekte negative dhe fatkeqësisht konfliktuale që kemi vënë re edhe në harkun e këtij viti. Sa e domosdoshme është të vigjilojmë që inteligjenca artificiale, rrjetet sociale, portalet e ndryshme të mos bëhen instrumente që baltosin dinjitetin dhe mirësinë e njerëzve duke krijuar përçarje e kështu institucionet përkatëse të krijojë rregulla të përshtatshme që i vënë ato në shërbim të së mirës së përbashkët:,-theksoi ai.

Ora 13:14
Bekimi i ushqimit të Pashkës në Lezhë dhe Krujë, besimtarët iu drejtohen kishave paraditen e sotme

 

Prej orëve të para besimtarët katolik të Lezhës i janë drejtuar kishave, për bekimin e ushqimeve traditë e festës së Pashkës. Përgatitjet e festës i kanë nisur prej ditësh dhe me gëzim presin shpalljen e lajmit Krishti u ringjall.

Teksa flasin për simbolikën e festës së Pashkës besimtarët e krishterë, adresojnë lutjet e tyre për shëndet, paqe e begati në familje.

Pashka është festa më e rëndësishme në kalendarin kristjan, thotë famillitari i katedrales së Lezhës, Dom Frano.

Bekimi i ushqimeve është një traditë e hershme ndër Katolikët pasi kërkohet bekimi i gjithë familjes, përmes ushqimit. Pashkët, kremtohen tek besimtarët katolik si ringjallja e Krishtit, ku përgatitja nis me 7 javëshin e Kreshmeve ose agjërimit.

Për besimtarët katolik kjo e shtunë është e shtuna e madhe dhe është një dite e shënuar ku bekohet buka, dhe prodhimet e shtëpisë si vezët, bylmeti perimet etj...

Qindra besimtarë të rrethit të Krujës i janë drejtuar sot kishave të këtij rrethi duke bekuar prodhimet e tyre dhe duke uruar njëri-tjetrin për festën e Pashkëve, e cila është nesër ku Krishti ringjallet.

Ora 13:04
‘Priremi ta shohim gjithçka zi’, Massafra mesazh shprese në vigjilje të Pashkës: Ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë, na largon frikën për të ardhmen

Arqipeshkevi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra ka ndarë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët katolikë në vigjilje të Pashkës Katolike.

Massafra përcjell një mesazh shprese dhe paqeje, ndërsa flet edhe për luftërat në Ukrainë e Rripin e Gazës. Ai thotë se në ditët e sotme priremi që gjithçka ta shohim zi, ndërsa në mesazh theksohet se duhet ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen.

Mesazhi i Imzot Angelo Massafra

Shumë të dashur vëllezër dhe motra, ju mbërrittë tek ju mesazhin tim i përzemërt me rastin e Pashkës së këtij viti 2024.

Është një mesazh paqeje dhe shprese, që dëshiroj t’ju mbërrijë të gjithëve ju, familjeve tuaja, si edhe personave tuaj të shtrenjtë që keni larg, që gjenden në situata të dhimbshme dhe të trishta: të sëmurë, të burgosur, të varfër dhe nevojtarë.

Mesazh paqeje në një botë të copëtuar nga lufta dhe të pushtuar nga fantazma e një konflikti të mundshëm në shkallë të gjerë. Një mesazh shprese që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen.

Po përjetojmë, sot si asnjëherë më parë, se sa e vërtetë është që, pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, nga mendimet tona dhe nga zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë në sferën personale, politike dhe shoqërore, gjithçka priremi që ta shohim zi. Sa të këqija na tregojnë lajmet çdo ditë! Për ta është burim fitimi (sepse e keqja përbën lajm dhe shitet shumë), por për ata që ushqehen me këtë të keqe është helm vdekjeje. Megjithatë e keqja është aty, ajo është e vërtetë; kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk kemi pse të habitemi.

Feja na ndihmon që të kemi përpara syve tanë përvojën e Pashkës së Krishtit; një përvojë e cila, si e jona, përbëhet nga e Premtja e Madhe dhe nga e Diela e Ngjalljes. Feja nuk na bën që t’i mbyllim sytë përpara të keqes, por na bën që ta kuptojmë më mirë atë dhe të orientohemi kah e mira.

Krishti u përball me të keqen; por siç na mëson Shën Pjetri: “Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin” (1 Pjt 2, 21-24). Çfarë shembulli? Është gjithmonë Shën Pjetri ai që na e shpjegon: “Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim; Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënonte, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi”.

Duhet të pranojmë me përulësi se bota jonë është aq larg nga një shembull i tillë përsosmërie dhe shkaku i çdo të keqeje të madhe qëndron pikërisht në mosimitimin e Mësuesit dhe të Zotit tonë. Me përvujtërinë e tij Krishti mundi arrogancën e të fortëve: ai nuk e mallkoi Judën tradhtar, por i dha atë copë bukë për të cilën kishte thënë “ky është korpi/trupi im...” dhe ajo kafshatë “eukaristike” u bë helm për të keqen që e kishte pushtuar.

Jezusi vdiq në kryq për të na ngjallur në një jetë të re. Ai që e mirëpret Jezusin në jetën e tij është një person i ri, i aftë për të bërë atë që është e mirë dhe atë që është e drejtë. A nuk është kjo ajo çfarë i duhet botës sonë: çfarë është e mirë dhe çfarë është e drejtë?

Ne, vëllezër e motra, siç përfundon Shën Pjetri, “me varrët e tij jemi shëruar”. Domethënë, Ai e mori të keqen tonë për ta shndërruar në të mirë, për të na shpëtuar dhe shëruar. Kështu, Krishti i Ngjallur ndriçon interpretimin tonë të realitetit në të cilin jetojmë dhe na nxit ta kuptojmë të mirën edhe atje ku ka të keqe.

Dhe pastaj hapi tjetër: të jemi “të shëruar” që i shikojnë me butësi dhe shpresë plagët e kësaj bote apo plagët tona për t’i lyer ato me vajin e ngushëllimit dhe me verën e shpresës (Meshari Romak); pa shkurajim dhe mosbesim, por me guximin e fesë që përshkon “të premten dhe të shtunën” (dmth. vuajtjet e ditës!) për të arritur më në fund në mëngjesin e ngjalljes.

Ju uroj të gjithëve që ta përjetoni dritën shkëlqyese e Pashkës të Krishtit, gëzimim e Tij dhe aftësinë për të qenë “pasqyra”, që e reflektoni atë në botën ku jetoni, në familjen tuaj, në personat tuaj më të shtrenjtë, në miqësitë tuaja, në vendet tuaja të punës dhe në ato në të cilat përjetohet vuajtja dhe dhimbja fizike ose morale.

Gëzuar Pashkën, vëllezër dhe motra katolikë dhe krishterë. Ju bekoj me gjithë zemër. Krishti u Ngjall, Aleluja, Vertet u Ngjall Aleluja! Gëzuar!

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb