Kardinali Ernest Simoni Troshani ndalesën e tij të fundit gjatë qëndrimit disa ditor në Kosovë dhe Shqipëri ia kushtoi takimit me besimtarët e krishterë në veri të vendit. Kardinali 98-vjeçar apeloi për respekt ndaj grave dhe familjes, si dhe për ndihmë ndaj të varfërve.

***

Kardinali shqiptar, Ernest Simoni Troshani, në përmbyllje të qëndrimit të tij në Kosovë dhe Shqipëri, ndaloi në Dioqezën e Sapës, ku u prit nga qindra besimtarë nga mbarë veriu i vendit në Katedralen “Nënë Tereza” të Vaut të Dejës.

Kardinali 98-vjeçar, i konsideruar si martir i gjallë i Kishës në Shqipëri, në fjalën e tij u ndal tek rëndësia e ruajtjes së familjes në mesin e krizës sociale të divorceve, e cila gjithnjë e më shumë po ndihet edhe në vendin tonë, teksa apeloi për më shumë respekt ndaj grave, prindërve dhe familjes.

“Familja duhet të jetë e shenjtë. Ka hyrë një fantazi shumë e keqe, bashkëjetesa. Janë të gjithë të mallkuar. Me ardh vdekja rrezikojnë fundin e ferrit. Mjerisht ndodhin shumë ngjarje të rënda për nënat e gratë e shkreta. Sa shumë rrihen, ndahen, vriten. Kjo është forca e djallit. Duani gratë tuaja, o burra, siç e ka dashur Krishti Kishën. Gruaja është pasqyrë e jetës, dhënë nga i madhi Zot. Është gëzimi i të gjithë njerëzimit. Është e vështirë me ia ditë e me ia shpërbly nënës vuajtjet dhe dashurinë që ka për foshnjën e vet",- tha kleriku i lartë katolik.

Eminenca e tij, Kardinali Ernest Simoni Troshani, nga Katedralja e “Nënë Terezës” në Vau të Dejës, ka apeluar për më shumë ndihmë ndaj të varfërve dhe të pamundurve.

“Jepjani dorën njëri-tjetrit, përqafohuni, ndihmoni të varfrit. Mbretëria e qiejve është mbretëria e bujarëve që kanë ndihmuar të varfrit. A don me ruajt në arkën e kursimit? Jepja të varfërve, do të shndrisë për amshim në shpirtin tënd, në familjen tënde, në shtetin tënd",- thotë Troshani.

Kardinal Troshani u lut për paqe në mbarë botën, e cila po kërcënohet nga luftërat, siç tha ai, teksa vuri theksin tek rëndësia e harmonisë dhe dashurisë.

Emocionues ishte edhe takimi i tij i veçantë, pas disa vitesh, me murgeshën gjermane Gratias Ruf, e cila ishte kujdesur shumë për priftin e atëhershëm, sot kardinal, i cili sfidonte vitet e moshës duke shërbyer bashkë me murgeshën katolike mes varfërisë në zonën malore të Fushë-Arrëzit.