Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një armëpushim për Pashkët ortodokse. Vladimir Putin tha se ka urdhëruar trupat ruse të ndalin zjarrin “në të gjitha drejtimet” këtë fundjavë.

Deklarata nga Moska erdhi pasi Volodymyr Zelensky kishte bërë thirrje të përsëritura për armëpushim, të gjitha të injoruara nga Kremlini.

Tani Putin ka shpallur një armëpushim nga ora 16:00 lokale e së shtunës deri të dielën e Pashkëve, duke shtuar se pret që Ukraina të “ndjekë shembullin” e Rusisë. Ai urdhëroi forcat e tij të jenë të gatshme për të ndërhyrë ndaj “provokimeve të mundshme të armikut” dhe çdo “veprimi agresiv”.

Toni i Rusisë dhe përpjekja për të marrë iniciativën, ka gjasa të shkaktojë pakënaqësi te ukrainasit. Por Zelensky reagoi shpejt në X duke thënë se Ukraina ishte “e gatshme për hapa simetrikë”.

“Njerëzit kanë nevojë për Pashkë pa kërcënime dhe për lëvizje reale drejt paqes,” shkroi ai. “Rusia ka një shans që të mos rikthehet te sulmet edhe pas Pashkëve.”

Më herët këtë javë, Zelensky tha se u kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të përcillnin në Moskë një propozim për armëpushim gjatë fundjavës së festave, si një hap i parë.

Kjo do t’u jepte gjithashtu mundësi njerëzve në të gjithë vendin të qetësohen, në një kohë kur sirenat e alarmit ajror janë bërë pjesë e përditshmërisë dhe raketat e dronët rusë vazhdojnë të vrasin dhe plagosin civilë.

Së fundmi, disa persona u vranë kur një dron goditi autobusin e tyre në Nikopol, në juglindje. Në Zhytomyr, në perëndim të Kievit, një grua humbi jetën kur një raketë ra pranë shtëpisë së saj në mes të mëngjesit.

Sirenat u dëgjuan sërish në Kiev pak pasi u shpall armëpushimi i fundjavës.

Ukraina ka shtuar gjithashtu sulmet me dronë ndaj Rusisë, duke synuar veçanërisht eksportet e saj energjetike në një seri goditjesh intensive. Rusia thotë se janë goditur edhe godina banimi.

Më herët këtë vit, Rusia tha se kishte shpallur një “armëpushim energjetik” duke ndalur sulmet shkatërruese ndaj centraleve energjetike të Ukrainës në mes të dimrit, por kjo zgjati vetëm aq sa për të përgatitur raketat për sulmin e madh të radhës.

Majin e shkuar, Rusia shpalli një ndalim të njëanshëm të luftimeve për të shënuar 80-vjetorin e fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste. Atëherë, Ukraina renditi qindra shkelje të armëpushimit.

Ajo që Kievi kërkon realisht dhe e ka propozuar vazhdimisht, është një armëpushim i plotë dhe i qëndrueshëm si hap i parë drejt negociatave për t’i dhënë fund pushtimit rus.

Por Moska këmbëngul që së pari të arrihet marrëveshja e paqes, gjë që ka sjellë akuza nga Kievi se Rusia nuk është serioze për t’i dhënë fund luftimeve.

Ka pasur disa raunde bisedimesh me SHBA-të si ndërmjetëse, por procesi është pezulluar që kur Donald Trump e zhvendosi fokusin e tij drejt Lindjes së Mesme.