Pasi mori një vendim të papritur duke anuluar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve vendore, vendim i bëri publik teksa protesta e opozitës kishte nisur, kreu i shtetit ka bërë një reagim të dytë duke i bërë thirrje opozitës joparlamentare të ndalojnë protestën.

Kjo është hera e parë që Presidenti kërkon që protesta të ndalet, pasi më herët ai ka bërë vetëm thirrje për qetësi dhe distancim nga dhuna. Këtë radhë, Meta, pasi anuloi zgjedhjet që nga vetë lideri demokrat Basha u konsiderua si rezultat i ardhur falë protestave dhe vendosmërisë së protestuesve, kërkon që qytetarët të shpërndahen.

"Presidenti i Republikës, Ilir Meta i bën thirrje udhëheqësve të opozitës të ndalojnë protestën para Parlamentit dhe qytetarët të shpërndahen paqësisht", thuhet në një reagim të kreut të shtetit shpërndarë për mediat teksa protestuesit kishin shkuar tek Parlamenti ku nisën të hedhin fishekzjarrë dhe kapsolla.