Kandidati i primareve të Partisë Demokratike në Kamëz, Shemsi Prençi ka denoncuar sërish procesin e Primareve që po zhvillohet nga Sali Berisha. Prençi thotë se nuk e njeh procesin e primareve për shkak të parregullsive në listat e votimit.
Prençi e denoncoi procesin e primareve dhe më pas e fshiu postimin në Facebook. Por, ai ka vijuar sërish denoncimet duke shkruar se në listat e zgjedhje ka më shumë anëtarë të Partisë Socialiste sesa demokratë. Ai shkruan se rreth 50% e anëtarësisë së Partisë Demokratike nuk e ka emrin në listat e votimit, madje emrat e disa prej votuesve përsëriten disa herë.
“Të nderuar demokrat të bashkisë Kamez-Paskuqan! Me keqardhje ju njoftoj se po konstatojmë se në listat zgjedhore të Primareve ka më shumë anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Socialiste se anëtar dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike.
Mbi 50% e anëtarësisë së Partisë Demokratike nuk kanë emrin në listat e votimit. Madje rezulton se nuk kanë emrin në listat e votimit as Kryetari i Forumit Rinor te PD, Z. Françesko Muça dhe N/ Kryetari e anëtarët e Kryesisë dhe drejtuesit e Grupseksioneve e seksioneve të PD. Gjithashtu në listat e votuesve përsëriten emrat e votuesve nga 2,3, 4 herë një person që nuk ka lidhje fare me Partinë Demokratike. Një situatë të tillë e kemi konstatuar në grup duke mbikëqyrur procesin së bashku me dy kandidatet e tjerë Zotërinjt: Arjan Hoxha dhe Asllan Dogjani, si dhe Kryetari i PD Kamez Arben Muja e Sekretari Gjovalin Pali”, shkruan Prençi.
Teksa thekson edhe njëherë se nuk e njeh këtë proces, Prençi bën thirrje për përsëritjen e zgjedhjeve në përputhje me statutin e partisë. Ai thotë se lista e votuesve ka mbërritur në degën e PD-së ditën e sotme në mëngjes, para se të niste votimi.
"Në këto kushte anarkie dhe për të mos u bërë pjesë e kësaj katrahure zgjedhore, vendos dhe bëj publike: Mos njohjen e këtij procesi zgjedhor! Gjithashtu i kërkoj Partisë Demokratike të Shqipërisë , përsëritjen e Procesit të Primareve, duke respektuar Statutin e PD dhe udhëzimet e saj në lidhje me Prmaret i bindur se vetëm kështu do realizojmë një proces të Primareve në Partinë Demokratike, duke konsoliduar anëtarësinë dhe duke shpallura listat 5 ditë para votimit. Lista e votuesve me Demokratet jashtë liste ka mbërritur në PD Kamëz vetëm sot me dt. 04 Dhjetor 2022 në ora 07:00.
Duke dëgjuar protestën e anëtarëve dhe drejtuesve te strukturave në 19 Grupseksionet e Partisë Demokratike Dega Kamëz jam i bindur në mos njohjen e këtij procesi denigrues për Demokratët e bashkisë Kamëz. Kauza e Demokratëve bashkia Kamëz, nuk është nxjerrja e një kandidati, por forcimi dhe bashkimi për tu përballur denjësisht me regjimin Rama-Rilindja me dt. 14 Maj 2023 dhe për ti kthyer bastionin Demokratëve e Bashkinë Kamëz qytetarëve”, shkruan ai.
Prençi nuk është i vetmi që denoncon problemet me lista, pasi këto denoncime janë adresuar edhe nga degë të tjera. Rithemelimi nuk ka dhënë asnjë informacion se sa anëtarë ka gjithsej PD-ja që kanë të drejtë vote dhe sa simpatizantë kanë vendosur të bëhen pjesë e procesit të primareve. Referuar të dhënave që kanë ardhur nga vetë ‘Rithemelimi’, deri në orën 13:00 kanë votuar në total 30 mijë votues në 51 bashki.
Për shkak të këtyre problematikave 8 kandidatë kanë dhënë dorëheqjen në një kohë kur po vijohet me votimin. Më konkretisht në Tropojë, Lushnje, Belsh, Gramsh, Devoll, Krujë dhe Kuçovë. Këto dorëheqje Berisha i ka cilësuar si shprehje e lirisë.
Kryetarja e KOKOE Albana Vokshi foli para mediave për procesin e primareve duke thënë se nuk kanë marrë asnjë shqetësim nga Shemsi Prençi, i cili bëri postim në Facebook për problematikat por më pas e fshiu.
“Deri më sot, të paktën dhe kur e kemi takuar ka qenë i kënaqur nuk ka ngritur asnjë shqetësim. Kemi pasur problematika me listat se nga Kamza dhe Paskuqani ka pasur pjesën më të madhe të votuesve. Ka një listë të madhe të anëtarëve. Ndihem e keqardhur por do kishim dashur që edhe pjesa emocionale të ishte përballuar nga të gjithë kandidatët dhe të kishin pritur deri në fund të garës për ta referuar.
Ka pasur një proces verifikimi nga dega. I bëj thirrje çdo anëtari dhe simpatizanti të shfrytëzojë dhe këtë orë që ka mbetur për të votuar”, tha Vokshi.
Shemsi Prençi, kandidati për bashkinë Kamëz në primaret e Sali Berishës duket se ka marrë vërejtje për shqetësimin që shprehu për parregullsitë në proces. Pak minuta pas postimit që bëri në Facebook ku shkroi se ka probleme me listat, e ka fshirë.
Statusi i fshire
Statusi
Shemsi Prençi, i cili kandidon në procesin e primareve për bashkinë Kamëz thotë se do kërkojë proces të dytë për shkak të problemeve me listat.
“Modeli i votimit ne Primaret e PD Kamez!
Socialistat kanë emrin në listën e miratuar nga Kryesia e PD Kamëz, ndërsa Demokratëve ju shkruhet me dorë emri.
Në këto kushte jam i detyruar të mos e njoh procesin dhe ti kërkoj PDSH një proces të dytë, duke i dhënë kohë konsolidimit të infrastruktures zgjedhore në Primaret e Partisë Demokratike”, shkroi në Faebook.