Kuvendi sot miratoi raportin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, për shkelje të rënda ligjore, por Meta është treguar sërish indiferent në lidhje me këtë votim..

Në një postim në Facebook, teksa uron një natë të qetë, Meta thotë se nuk mund të mos e ndajë me ndjekësit kënaqësinë që ka përjetuar sot me prezantimin e “Himnit të Djelmnisë Dibrane”, në ambientet e Institucionit të Presidentit gjatë aktivitetit kulturor me artistë dibranë.

Teksa ka shpërndarë videon Meta shkruan se në “çdo hymn, këngë, elegji dhe rapsodi, në vallet, në lojrat e larmishme dhe në kostumet popullore të Dibrës gjendet një thesar unik dhe i jashtëzakonshëm kulturor, ngjyrat e jetës dhe bukuritë natyrore të kësaj treve, me shpirt atdhetar dhe artistik të fuqishëm”.

'Duke ju uruar një natë të qetë ju ftoj ta shijoni këtë këngë kaq të bukur! Në çdo hymn, këngë, elegji dhe rapsodi, në vallet, në lojrat e larmishme dhe në kostumet popullore të Dibrës gjendet një thesar unik dhe i jashtëzakonshëm kulturor, ngjyrat e jetës dhe bukuritë natyrore të kësaj treve, me shpirt atdhetar dhe artistik të fuqishëm.

Nuk mund të mos ndaj me të gjithë ju, kënaqësinë që përjetova sot, prezantimin për herë të parë dhe pikërisht në Institucionin e Presidentit të Republikës, të një krijimi artistik tepër të arrirë, “Hymni i Djelmnis Dibrane”, të interpretuar mjeshtërisht nga dy prej korifejve të këngës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi, që prezanton denjësisht gjithçka Dibra simbolizon për kombin shqiptar. Duke ju uruar një natë të qetë ju ftoj ta shijoni këtë këngë kaq të bukur!'- shkruan Meta.

Me 104 vota pro Kuvendi miratoi sot raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta për shkelje të rënda kushtetuese.

Në seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë ku 7 prej tyre mungonin. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.