Kuvendi shkarkon me 104 vota Ilir Metën, Presidenti i parë në histori që ndëshkohet nga ligjvënësit! 'Fati' i tij në dorë të Kushtetueses! Rama: Largimin e tij e duan 90% e shqiptarëve

TIRANË- Nga sot Ilir Meta, përveçse një karrierë politike si askush tjetër pasi ka qenë në krye të tre institucioneve kryesore të shtetit si Kryeministër, Kryeparlamentar apo President Republike, do të hyjë në historinë e vendit si Kreu i Shtetit i parë që shkarkohet nga institucioni që përfaqëson sovranitetin e popullit si 'shkelës i Kushtetutës'.

Ilir Meta bëhet kështu Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Kuvendi gjithashtu miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit hetimor Parlamentar, i cili ka propozuar vendimin ekstrem edhe pse Presidenti Ilir Meta nuk e ka njohur këtë nismë të mazhorancës, madje e e ka cilësuar nul dhe anti kushtetuese. Në seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë ku 7 prej tyre mungonin, pjesë e të cilëve ishte Olta Xhaçka, Rudina Hajdari, Fidel Ylli apo edhe Ambra Borova. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.

Kryeministri Rama ka zgjedhur të flasë shumë shkurt, duke përmendur vetëm pikat kryesore të cilat sipas tij përbëjnë arsye të forta që Ilir Meta të mos jetë më Presidenti i Shqipërisë. Rama tha se Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar, ka dhunuar ndarjen e pushteteve, ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhëniet me SHBA.

Pas shkarkimit nga Kuvendi, vëmendja tashmë zhvendoset tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për shkarkimin ose jo të Ilir Metës si President. 

Shkarkimin e presidentit Meta, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të "çliruar Presidencën nga një pengmarrje". Kjo kërkesë sipas mazhorancës nuk ka ardhur me qëllim që kjo e fundit të caktojë në krye të presidencës një emër nga radhës e saj. Madje ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që ka thënë se emri i ri i Presidentit do të bëhet në bashkëpunim me Kushtetutën.

Kujtojmë se kjo është nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor. Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.

Si nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta? Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”. Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi  i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendi. Kuvendi diskuton sot disa akte të rëndësishme normative për çështjen e vaksinave, dekrete të Presidentit Meta etj.

Fjala e kryeministrit Rama

Votimi në seancen plenare

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:21
Shkarkimi i Metës, Balla: Dhuratë e bukur në prag të 30-vjetorit të PS

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka publikuar foton, ku shfaqet duke votuar Pro shkarkimit nga detyra të Presidentit Ilir Meta.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, numri dy i PS, Balla e ka cilësuar këtë vendim si “një dhuratë” në prag të 30-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste.

'Kuvendi shkarkoi presidentin Ilir Meta. Dhuratë e bukur Shqipërisë në prag të ditëlindjes së 30 të Partisë Socialiste.'- shkruan Balla.

Ora 16:03
104 deputetë i dhanë 'Ok' shkarkimit të presidentit, Maliqi voton kundër, i jep prova 'besnikërie' Metës duke shkelur ligjin, fotografon fletën e votimit

Kanë qenë 104 deputetë që kanë votuar pro raportit të Komisionit hetimor Parlamentar, për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Deputeti Lefter Maliqi ka votuar kundër shkarkimit të Metës. Madje ai ka fotografuar edhe fletën e votimit duke bërë një gjest në kundërshtim me ligjin. Këtë si duket e ka bërë për t’i dëshmuar Ilir Metës se është ende besniku i tij.

Ora 15:40
Taulant Balla: I shkarkuari tashmë duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese! Puna jonë me Ilir Metën mbaroi

 

I shkarkuari tashmë duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky ishte mesazhi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas vendimit të Kuvendit për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.

"Thirrja ime është që të gjithë politikanët duhet të bashkohen në heshtjen ndaj çdo lloj adresimi ndaj Gjykatës Kushtetues. Është institucion i pavarur dhe duhet të flasë. Puna jonë me Ilir Metën mbaroi", tha Balla.

 

 

 

Ora 15:24
FOTO-GALERI/ Si u prit në Kuvend shkarkimi i Metës, Balla përqafime me deputetët! Valteri më i gëzuari

Sot Kuvendi shkarkoi Ilir Metën nga posti i presidentit. Kjo gjë është pritur me përqafime dhe puthje, teksa duket se Halit Valteri ishte më i gëzuari. 

 

Ora 15:17
Kuvendi shkarkoi Metën, reagon Presidenca: Asnjë surprizë, zero shqetësim nga vendimi antikushtetues!

Presidenca ka reaguar pasi Kuvendi shkarkoi Presidentin Ilir Meta.  Zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi me një postimi në Facebook,  e ka cilësuar si vendim antikushtetues dhe qesharak votimin e sotëm në Kuvend.

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se ka 'ka blerë' deputetët në Parlament, për të siguruar numrin e votave të mjaftueshme për shkarkimin e Metës, duke shkruar se "veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl".

Blushi shton se "Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhtarëve".

"Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër!

Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit.

Të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl!

Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti!

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar.

Një ftesë e sinqertë edhe për kolegët gazetarë: Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore!", shkruan Tedi Blushi.

Me 104 vota pro Kuvendi miratoi sot raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta për shkelje të rënda kushtetuese. Në seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë ku 7 prej tyre mungonin. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.

Ora 15:03
Me 104 vota pro, shkarkohet presidenti Ilir Meta! Gjykata Kushtetuese do thotë fjalën e fundit

 

 

Shkarkohet presidenti Ilir Meta! 114 deputetë morën pjesë në votim, nga ku 104 votuan pro, kundër 7 dhe 3 abstenim. Tashmë topi është në fushën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta.

1623243855_votimi.jpg

Ora 14:55
Deklaron votën pro shkarkimit të Metës, gafa e Jenishehrit në Kuvend: Do i dalim zot nipërve dhe mbesave tonë pensionistë

Deputeti i opozitës Selami Jenishehri, gjatë fjalimit të sotëm në Kuvend deklaroi se do të votojë pro propozimit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.

Ndërkohë fjala e tij është shoqëruar edhe me një gafë, ku teksa po fliste për vjedhjen e zgjedhjeve, deputeti tha se koalicioni i tij do t'u dalë zot, nipërve dhe mbesave tona pensionist, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit.

“Koalicion ynë, i drejtuar nga deputeti Kujtim Gjyzi, i është drejtuar Komisionit të Zgjedhjeve për mos të pasyr pasoja të tilla për vjedhjet dhe është anashkaluar. Nuk është dhënë përgjigje. Ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese. Do iu dalim zot, nipërve dhe mbesave tona pensionist, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit. Emigrantët nuk mund t’i blihet votat.”, tha Jenishehri.

Ora 14:27
Rama ‘shkel rregullat’, nuk voton në dhomën e fshehtë për shkarkimin e Metës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të mos votojë në dhomën e fshehtë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, por në foltoren e Kuvendit. Vota e tij tashmë dihet pasi është pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta, për të cilat ka dhënë dhe një sërë argumentesh.

Ora 14:22
Sot seanca për shkarkimin e Metës/ Deputeti publikon votën, nxjerr fletën e votimit

Deputeti Gjetan Gjetani ka publikuar fletën e votimit, për raportin e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

“Shpreh votën time kundra raportit përfundimtare për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë! Në raportin përfundimtare, nuk shprehet gjë tjetër, veçse dëshira e Edi Ramës, për të uzurpuar edhe Institutocionin e fundit të pauzurpuar. Po ashtu shpreh edhe votën time, kundra shkarkimin të Presidentit”, shkruan Gjetani, i cili iu largua Partisë Socialiste për t’iu bashkuar LSI-së

 

Ora 14:05
Balla: Meta nuk përfaqëson më as unitetin e opozitës jo më të kombit! Luli ka frikën e vetme se po i shkon në opozitë! Ish-freshistin tonë e mbrojtën dy ballistë (VIDEO)

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij në seancën e sotme plenare tha se Meta nuk mund të jetë më kreu i shtetit shqiptar.

"Nuk do të hyja në replikë për shumë nga ato që tha. Të jeni i sigurt z. Murrizi se deputetët e PS e kanë mbështetur këtë grup parlamentar, është iniciativë e këtij grupi.  Unë shpreh keqardhjen që z. Meta nuk u soll dot si Presidenti Republike, edhe pse unë isha nga ata që e zgjodhën.

Le të më thotë ndonjëri prej jush sot që Ilir Meta përfaqëson unitetin e kombit. Ai prej 25 prillit nuk përfaqëson dot më as unitetin e opozitës. Luli ka hallin e vetëm që të mos shkarkohet Meta që të i shkojë në opozitë.

Është hera e paorë në 30 vite që Kuvendi i Republikës çon deri në fund procesin e shkarkimit të Presidentit të republikës. Unë besoj se legjislatura pasardhëse ta ç'tensionojë klimën politike në Shqipëri dhe të punojmë të gjithë së bashku për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Evropa", tha Balla.

Ora 14:00
Kuvendi miraton raportin e Komisionit Hetimor me 104 vota pro dhe 7 kundër! Pritet votimi përfundimtar për shkarkimin e Metës (VIDEO)

Votohet me 104 pro 7 kundër 2 abstenim dhe 1 e pavlefshme, raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Pritet votimi përfundimtar i deputetëve për shkarkimin e Metës. 

Ora 13:57
Myslim Murrizi: Presidenti ka dalë nga binarët, s'është më garant i unitetit të kombit! Uroj që edhe BE të marrë një vendim si Biden (VIDEO)

Edhe deputeti Myslim Murrizi duket se është pro shkarkimit të Metës nga posti i Presidentit, ndërsa tha sot nga foltorja e Kuvendit se ai nuk është më garant i unitetit të kombit. Murrizi komentoi edhe urdhrin e Presidentit amerikan, Joe Biden që përfshin edhe Shqipërinë, për bllokim pasurie për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e korruptuar, ndërsa uroi që një vendim i tillë të vijë shumë shpejt edhe nga BE.

"Gjykata Kushtetuese do të ndajë kilogramët e shkeljes, sa e rëndë është. Akti i parlamentit është akt politik dhe moral, jemi një parlament formalisht demokratik, nuk di pse kanë frikë të thonë që moralisht Presidenti ka dalë nga binarët, nuk është më ai garant i unitetit të kombit. Këta që sot e nxjerri si shpëtimtarë, e akuzuan si vrasës, si njeri që dha urdhër për arrestimin e Sali Berishës, hajdut për humbjen e floririt, e shumë e shumë të tjera. Unë e kam patur kundërshtar politik për 30 vite, nuk më bashkon asgjë me të. Jam kënaq mbrëmë me urdhrin e Biden edhe pse nuk kam qenë tifoz me të. Nëse I plas nja dy urdhra të tjerë kanë për të më bërë tifoz me zor. Akti i Kuvendit do jetë limonadë para ngjarjes së ndodhur në këtë vend. Kur t’i shohësh në hotele dhe motele që kanë në New York. Dashtë zoti t’i shohim me kosë bari në dorë. Nuk jam për burg se kanë kosto të madhe. Biden andej, drejtësia e re këtij, Mllefi dhe inati., Zoti jua shtoftë inati mes njëri tjetrit. Meta nuk besoj se do jetë I fundit I shpallur tradhtar. Halli i madh se ngelka një rob pa punë. Akti i Kuvendit do të jetë limonadë me ngjarjet që do të ndodhin në këtë vend, kur ti shikojmë të gjithë te Arben Kraja. Unë nuk jam dakord për burg se është kosto e madhe. Besoj se shpejt edhe BE do bëjë një doganë të tillë si Presidenti Biden dhe të gjejnë vrimë e të futen", tha Murrizi.

Ora 13:22
Deputeti Jakimi deklaron votën pro shkarkimit: Gjuha e Metës e papranueshme (VIDEO)

Në fjalën e mbajtur në sot në parlament në seancën për miratimin e raportit përfundimtar të komisionit Hetimor të Kuvendit për shkarkimin e Metës, deputeti Halil Jakimi, shprehu votën e tij pro shkarkimit. Meta sipas tij nuk mund të jetë më unitet i kombit.

"Presidenti i Republikës ka mbajtur anësi politike. Kur bën deklarata të tilla të njëanshme ai e ka humbur rolin sipas atributit që i jep Kushtetuta.  Në shumë dalje publike Presidenti i Republikës ka zgjedhur një gjuhë përshkallëzuese deri në deklaratën 'do t'u pritet dora' apo edhe rasti kur përmendi sfurqet, kosoret etj", thotë Jakimi.

Ora 12:59
Majko: Në fillim refuzova të firmosja për shkarkimin e Metës, sot do të votoj pro! Është bërë simbol i joseriozitetit (VIDEO)

Deputeti socialist, ministri për Diasporën, Pandeli Majko ka deklaruar votën e tij pro shkarkimit të Ilir Metës, edhe pse nënvizoi se në fillim ishte kundër.

"Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur betimin e tij. Në fillim refuzova ta nënshkruaja propozimin për shkarkim por Meta është bërë simbol i jo seriozitetit në detyrë. Unë do të votoj pro shkarkimit, një votë që më rëndon shumë por është votë për të vërtetën.

Ora 12:54
Vasilika Hysi thirrje në Kuvend për shkarkimin e Metës: Dëmtoi rëndë demokracinë (VIDEO)

 

Ish-anëtarja e Komisionit Hetimor Vasilika Hysi, i bëri thirrje deputetëve në Kuevnd që të votojnë për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit. Sipas Hysit, Meta ka dëmtuar rëndë demokracinë, duke ndërmarrë veprime që binin ndesh me parimet e funksionimit të një demokracie parlamentare.

"Presidenti nuk mund të mbajë pozicion politik, por vetëm neutral në pozicionin e tij. Presidenti duhet ët sillet me asnjanësi dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm dhe merr një rëndësi të veçantë gjatë fushatës zgjedhore sepse ndërhy dhe shtrembëron bindjen e pavarur të publikut. Kushtetuta kërkon që Presidenti të qëndrojë neutral, por të gjithë jemi dëshmitar se gjatë fushatës zgjedhore, Presidenti nuk e respektoi detyrën e tij dhe u pozicionua pro forcave në opozitë dhe i bëri thirrje qytetarëve të rrëzojnë qeverinë. Presidenti, nëpërmjet deklaratave të tij, ka kërcënuar punonjës të policisë së shtetit, gjyqtarë e prokurorë. Kërcënimet dhe urrejtja tregojnë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në çështje të Prokurorisë dhe bien ndesh me parimin e balancimit të pushteteve. Presidenti, në vend të nxisë bashkëpunimin institucional, e dëmtoi rëndë demokracinë duke ndërmarrë veprime që binin ndesh me parimet e funksionimit të një demokracie parlamentare", tha ajo.

Ora 12:32
Rama: Meta ka humbur të gjitha shanset për t’u kthyer në binarë! Keqardhje për mikun e vjetër, por sot s’meriton të jetë president (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka listuar argumentet sipas tij pse duhet shkarkuar presidenti Ilir Meta.

"Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht, në mënyrë të përsëritur, për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore.

Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, duke u bërë gazi i botës në sytë e miqve të saj dhe të vetë qytetarëve të saj. Prandaj ky parlament sot duhet të ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir,  por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që i ka dhënë Parlamenti. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga Parlamenti dhe fjalën për të si president kanë mbaruar. Tani të flasë parlamenti me votë", tha Rama. ​

Ora 12:24
Ralf Gjoni apel Ramës e maxhorancës: Koha të prodhojmë lajme pozitive për shqiptarët, mjaft me sherr e gjuhë urrejtje! (VIDEO)

Ndërsa e ka shprehur hapur qëndrimin që do të mbajë për votimin në Kuvend të shkarkimit të Presidentit Ilir Meta, deputeti Ralf Gjoni në seancën e sotme parlamentare, përfitoi vetëm për t'i drejtuar një apel "të sinqertë" maxhorancëse kryeministrit Edi Rama. Ai tha se ka ardhur koha që parlamenti të prodhojë lajme pozitive  dhe të largohet nga gjuha e konfliktit politik, që nxit urrejtje.

"Dua të bëj një apel të sinqertë ndaj naxhorancës, të gjithë deputetëve dhe kryeministrit Rama. Të nderuar kolegë, mendoj se ka ardhur koha të prodhojmë lajme pozitive për shqiptarët, jo konfliktualitet, sherr, e gjuhë urrejtje. Na takon të prodhojmë lajme pozitive për klimën e biznesit dhe çdo akt që duhet të dalë nga ky parlament apo ai i ardhshëm, duhet t'i shërbejë klimës së biznesit, paqëtimit të shoqërisë shqiptare dhe largimit nga gjuha e konfliktit politik që po nxit shumë urrejtje, ndasi të panevojshme. Ky është apeli i një qytetari, jo i një deputeti, i një prindi mbi të gjitha", tha Gjoni.

Më herët, Ralf Gjoni ka deklaruar se ai do të abstenojë në votimin për shkarkimin e Presidentit Meta.

Ora 12:08
Halit Valteri: Sot shqiptarët presin nga ne t'i japim fund karrierës politike të Ilir Metës (VIDEO)

Deputeti Halit Valteri në seancë ka thënë se sot duhet t'i jepet fund karrierës së Metës.

"Ilir Meta është personazhi politik i ka marrë gjithçka vendit tonë. Gjithçka i ka dhënë Shqipëria Ilir Metës. Dhe shqiptarët presin sot që rrugëtimit të Ilir Metës t'i jepet fund. Unë e imagjinoj të nesërmen pa një President që na turpëron. Ky na shndërron në një 'imbesil' në sytë e botë.  Shqiptarët presin sot që t'i shërbejmë atyre", tha Valteri.  

Ora 11:52
Edmond Stojku thirrje deputetëve: Të votojmë për shkarkimin e Metës, ka shkelur Kushtetutën! U përpoq të krijojë krizë dhe incident diplomatik me SHBA (VIDEO)

Edond Stojku, ish-anëtar i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, i bëri sot thirrje deputetëve në Kuvend që të votojnë raportin e hartuar prej tyre dhe kërkesën për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.

Sipas tij, Meta  ka shkelur në mënyrë të përsëritur Kushtetutën me qëndrimin dhe deklaratat e tij gjatë fushatës zgjedhore, duke humbur funksionin ekuilibrues në jetën politike të vendit.

Po ashtu, Stojku tha se Meta është përpjekur të krijojë krizë dhe incidente diplomatike me SHBA dhe ka dëmtuar prestigjin e institucionit të Presidentit me jashtë.

"Shkaqet pse deputetët kërkuan shkarkimin e Presidentit janë shkeljet e tij në mënyrë flagrante dhe të përsëritur të Kushtetutës dhe funksioneve që të Presidentit që përcakton Kushtetua. Ai ka kryer në mënyrë të përsëritur akt edhe sjellje që përbëjnë akte të rënda të Kushtetutës. Aktet e Presidentit konsistojnë në mesazhe publike që nuk përkojnë me rolin e tij ekuilibrues. Komisioni ka patur si detyrë të hetojë dhe analizojë nëse veprimet e Presidentit janë apo jo në shkelje të Kushtetutës. Presidenti ka shkelur nene të Kushtetutës në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë fushatës elektorale. Kreu një shkelje të detyrimit të tij Kushtetues për rolin e Presidentit si faktor neutral që qëndron mbi palët. Me këto qëndrime, Presidenti humbi edhe funksionin e të qenit faktor ekuilibrues në jetën politike të vendit. Rezulton nga qëndrimet se Presidenti ka ndërmarrë sulme kundër Ambasadës së SHBA dhe vetë ambasadores Yuri Kim, duke përhapur akuza të rreme për ndërhyrje në punët e brendshme, njëanshmëri dhe ka insistuar se autoritete përfaqësuese të SHBA,kanë kryer ose janë të aftë të kryejnë krime kundër tij. Presidenti, i cili ka detyrën të shprehë qëndrimin e shtetit Shqiptarë kundrejt aleatit tonë strategjik, është përpjekur të krijojë krizë dhe incidente diplomatike me SHBA presidenti nuk i dëmtoi dot këto marrëdhënie, por dëmtoi prestigjin e institucionit të Presidentit me jashtë. Ky prestigj nuk mund të rikuperohet më prej tij, por vetëm nga Kuvendi  Shqipërisë. Kolegë ju ftoj të miratoni raportin e Komisionit Hetimor dhe propozimin për shkarkimi e Presidentit për shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë", tha ai.

Ora 10:26
Seanca për shkarkimin e Metës, Alket Hyseni prezanton raportin: Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën (VIDEO)

Në nisje të seancës së sotme plenare, kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit ka prezantuar nga foltorja e Kuvendit raportin e hartuar.

"Komisioni u bazua në faktet dhe rrethanat që u vlerësuan gjatë shqyrtimit të procesit të hetimor. Referuar doktrinës kushtetues, jurisprudencësh se Gjykatës Kushtetuese, vendimeve të Komisionit të Venecias etj ka rezultuar se Presidenti i Republikës ka bërë një sërë shkeljesh.  Ai ka cenuar të drejtat e njeriut dhe funksionimin e shtetit.  Raporti shtjellohet në 98 faqe dhe 3 anekse. Për shkak të volumit të madh të raportit, iu është shpërndarë deputetëve, është publikuar dhe në faqen e kuvendit, është bërë dhe një përmbledhje", ka thënë ndër tjera Hyseni.

Ora 10:13
Sot pritet shkarkimi i Metës/ Maliqi: Seancë turpi, fjalën e fundit e thotë ‘Kushtetuesja’! Shtatori do vijë me protesta (VIDEO)

Seancën e sotme ku pritet që të shkarkohet presidenti Ilir Meta, deputeti Lefter Maliqi e ka quajtur seancë turpi. Ai shtoi se do jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do thotë fjalën e fundit për Metën, teksa shtoi se shtatori do të vijë me protesta.

“Sot është seancë e turpit e këtij parlamenti të kapur, kjo është një seancë qesharake, aktrim, estradë, është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos, që shpresoj mos ta  ketë kapur Rama, se nuk ka asnjë alibi për të shkarkuar presidentit, Rama ka ngritur alibinë që një pjesë e ndërkombëtarëve dhe një pjesë e sulmon duke i vënë kushte për hapjen e negociatave. Shtatori do jetë me protesta, me mosnjohje të zgjedhjeve, por vendi është zhytur në varfëri ekstreme, vjeshta do jetë vjeshta e shqiptarëve”, tha Maliqi.  

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • sheraton: 10/06/2021 11:59

    GOOD BLESS AMERICA

    Përgjigju
  • rrofte USa: 10/06/2021 11:41

    shqiperia dhe shqiptaret po lirohen nga llumi shekullor qe i ka zene nga kriminelet dhe hajdutet qe mbollen keta zuzare qe 30 vite me pare .Rrofte usa rrofte spak rrofshin shqipetaret

    Përgjigju
  • Trnakop Kacija: 10/06/2021 00:34

    Me ne fund nje troh shprese per Shqiperine dhe Shqiptaret - se ka shtet e ka drejtesi ne Shqiperi - falemnderit deputeteve qe e shkarkuan kete Harbut “president”.

    Përgjigju
  • Jani: 09/06/2021 19:01

    Eshte shume tragji-komike skena shqiptare e politikes. Nese mund te quhet politike kjo lloj kaste e denje per organizate kriminale e tipit Cosa Nostra. I ashtuquajturi "Kuvend" i perbere nga njerezit me te degraduar dhe imorale qe vendi ka pare deri tani, votoi dhe shkarkoi presidentin. Ky i fundit, per ilustrim, nje "derr" i vjeter i majmur ne kartelin shqiptar te politikes. Gjykata e ashtuquajtur Kushtetuese duhet ose eshte e detyruar ta shkarkoje Presidentin. Ajo nuk mund ti kundervihet nje maxhorance si kjo aktuale por edhe pse ka marre nje mandat te ri. Nje maxhorance tipike e organizuar krimin-hale qe ushtron presionin ndaj gjykqtes. Presidenti duhet shkarkuar pasi ne te kundert do jemi para nje krize te madhe! Nese nuk konfirmon vendimin e kuvendit, atehere kuvendi haptazi eshte ne shkelje te rende. Kesisoj maxhoranca do te gjendet qe ka kryer nje atentat kushtetues. Gje qe asnje nuk e do, vecanerisht shoqja Kim e rruges ss Elbasanit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Me telefon dhe pa rrip sigurie, katër shoferë të arrestuar në 24 orët e fundit në Tiranë

Me telefon dhe pa rrip sigurie, katër shoferë të arrestuar në 24 orët e fundit në Tiranë