Paskal Milo: Berisha
gabon për Historinë

Paskal Milo: Berisha <br />gabon për Historinë
Orientimet e Kryeministrit Sali Berisha sesi duhet ta gjykojmë Historinë e Shqipërisë, janë shoqëruar me reagime e kundërshtime të shumta në shtypin e ditës. Kryeministri ka shtruar çështjen e rishikimit të historisë së Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu ai ka hedhur disa teza që tashmë janë bërë publike për rishikimin e figurave që “diktatura i la në harresë ose i shpalli “të ndaluar”, siç u shpreh vet Kryeministri, si vëllezërit Kryeziu, Abaz Kupi, Mbreti Zog, Princ Vidi, Ndoc Çoba, Mitat Frashëri etj. Paskal Milo, historian, politikan dhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale ka reaguar për “Shqiptarja.com” ndaj orientimit të kryeministrit për rishikimin e Historisë.

Zoti Milo, mendoni se ka një mospërputhje të mendimit të historianëve me vizionin politik të Kryeministrit të Shqipërisë për rishikimin e historisë?
-Nga përvoja si historian kam vënë re se udhëheqës politik të veçantë, kur u kalon mosha, fillojnë e mendojnë se çfarë vendi do të zënë në histori. Bëhen paranojak. Kështu ndodhi me Enver Hoxhën, kështu po ndodh tani edhe me Sali Berishën. Kryeministri i këtij vendi e di që ka kufizimet e moshës, e di që ka dhe kufizimet e pushtetit që vinë nga një rrotacion politik i natyrshëm. Është kjo arsyeja që ai në kuadrin e 100-vjetorit kërkon gjoja në emër të rishkruarit të historisë, të masakrojë historinë. Një personalitet politik mund të jetë i aftë në fusha të ndryshme, në përputhje me profesionin, me kulturën, por gjithsesi nuk mund të zëvendësojë specialistët, profesionistët. Në këtë rast zoti Berisha është shumë larg pretendimit për të dhënë ligjërata sesi duhet shkruar dhe sesi duhet interpretuar historia.

Pse është shumë larg?
-Ai është i njëanshëm, thellësisht subjektiv, jo se shqetësohet sesi do shkruhet historia, jo se shqetësohet se ka figura të historisë të cilat janë lënë në hije ose janë ndriçuar më tepër sesa u ka takuar. Shqetësimi i tij është vetëm për të ardhmen e tij, ç’vend do zërë në tekstet e historisë, në monografitë e historisë. Dhe ka një tendencë shumë të rrezikshme që kërkon t’i kthejë gjërat përmbys dhe kërkon gjithashtu të rikthejë në jetën politike sociale dhe intelektuale shqiptare një debat shterp, antikombëtar, të vjetër, siç është ajo e kontributeve në historinë shqiptare të veriut apo të jugut të Shqipërisë. Kjo është arsyeja që ai kërkon me çdo kusht të ndriçojë disa figura, të cilat ose kanë qenë të përlyera me kolaboracionizëm, por që janë me prejardhje nga veriu, ose kërkon të nxjerrë nga anonimati, nga modestia e veprimtarisë së tyre njerëz të ndershëm patriotë, por që aq kanë pasur mundësi të japin, duke lënë në heshtje, në harresë, ose duke lënë në hije qëllimisht figurat e mëdha të historisë kombëtare.

A duhet të rishikohet Historia e Shqipërisë?
Për të qenë sa më shumë objektiv dhe për t’u dalë përpara edhe akuzave që jo rrallë adresohen ndaj historianëve që duan të mbrojnë thesaret e kulturës dhe traditës shqiptare, dua të them se historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve ka nevojë në momente të veçanta të historisë të riinterpretohet dhe ky proces është dinamik, është i vazhdueshëm dhe nuk bëhet me periudha të caktuara dhe as sesi i teket njërit apo tjetër kryeministër ose politikan në një etapë të caktuar të zhvillimit historik. Ky është zanat i historianëve dhe politika nuk mund të ndërhyjë dhe as i lejohet të ndërhyjë. Zoti Berisha bën të njëjtën politikë që bënte Enver Hoxha, që u jepet direktivë historianëve sesi duhet ta shkruajnë historinë dhe sesi duhet ta interpretojnë të njëjtën figurë historike. A nuk po bën Berisha të njëjtën gjë; t’u thotë historianëve sesi duhet ta vlerësojnë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe individët e shquar të saj. A nuk bën ai të njëjtin gabim kur u rekomandon historianëve sesi dhe sa duhet të ndriçohen figura të veçanta të historisë duke filluar nga Dom Nikollë Kaçori, Ahmet Zogu, Ndoc Çoba e deri tek vëllezërit kryezinjtë, apo tek Muharrem Bajraktari, apo tek Abaz Kupi, apo tek kontributi i shumë figurave të tjera historike që kanë pasur në jetën e tyre, edhe gabime të rënda, por edhe figura të shumta.


Është komentuar sot në media që kryeministri nuk e njeh mirë veprimtarinë e misioneve angleze në luftën e Dytë Botërore. Sa i saktë është konkluzioni i tij se anglezët kanë armatosur luftëtarët e lirisë?
-Unë e lexova atë që tha kryeministri për Luftën e Dytë Botërore. Në radhë të parë shprehu shumë qartë një të vërtetë të mohuar nga kalemxhinjtë që i qëndrojnë rrotull që Lufta Nacionalçlirimtare i bën nder kombit shqiptar. Ai tha që ka qenë e tillë e nuk ka qenë Luftë Civile. Për këtë ai meriton realisht të përgëzohet. E dyta, sigurisht që është ajo që as ai nuk e beson vetë, por që i duhet për qëllimet politike të ditës. I duhet që të shtrëngojë radhën e atyre antikomunistëve nëse ka të tillë akoma në Shqipëri pas 22 vitesh, atyre që ende i japin vota dhe që qëndrojnë besnikë të së djathtës shqiptare për shkak të vuajtjeve të tyre në burgjet e komunizmit, por nuk mund të shtrembërohet historia dhe kontributi i individëve të veçantë apo edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë të asaj kohe për qëllime politike të ditës. Po u marr dy tre shembuj që të rrëzoj poshtë të gjithë atë alibi që është duke ndërtuar zoti Berisha dhe pseudo-historianët që e furnizojnë atë me materiale gjysmake, të shtrembra. Në radhë të parë është çështja e karakterit të luftës Nacionalçlirimtare. Ajo nuk lindi në kancelaritë e Londrës apo edhe të Uashingtonit, por lindi edhe në malet e Shqipërisë, lindi në zemrën e shqiptarëve, e patriotëve të ndershëm, të cilët që në 7 prill 1939 nuk e pranuan pushtuesin e huaj. Të tradhtuar nga Mbreti i Tyre, i cili iku si frikacak dhe nuk shkrehu asnjë pushkë, ata qëndruan në malet e tyre, në fushat e tyre, rezistuan aq sa mundën dhe filluan të organizohen gradualisht, derisa arritën dhe krijuan formacione të mëdha që u njohën dhe u vlerësuan edhe nga anglezët, edhe nga amerikanët edhe nga aleatët e tjerë.

Është e vërtetë që misionarët anglezë ndihmuan duke synuar çlirimin e vendit?
-Është e vërtetë që anglezët përmes misioneve të tyre që ishin jo vetëm në shtabin e ushtrisë Nacionalçlirimtare, jo vetëm pranë Abaz Kupit, por edhe pranë forcave balliste i ndihmuan aq sa mundën të gjithë, por në funksion të rezistencës antifashiste, në funksion të luftës kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Pra kush luftoi, pranoi armë dhe flori nga misionet angleze. Armë dhe flori mori edhe Abaz Kupi, mori edhe Muharrem Bajraktari. Por kush e bëri luftën dhe kë njohën në fund anglezët si forcë e vetme që bëri luftën në Shqipëri, njohën ushtrinë Nacionalçlirimtare. Është gabim të mohohej kjo luftë. Por, zoti Berisha nuk duhet të shtrembërojë historinë në dy aspekte të tjera...

Cilat janë këto aspekte?
Anglezët nuk e mbështetën mbretin Zog kur vajti në Londër. Përkundrazi e izoluan: së pari se ata nuk kishin besim tek Ahmet Zogu, si figurë e diskretituar, si figurë që braktisi vendin në prag të luftës dhe nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të rezistuar. Sapo vajti në Londër ia bënë të qartë. E dyta ka një korrespodencë të dokumentuar diplomatike amerikane që Zogun ata nuk e deshën as që të përfaqësonte Shqipërinë, kur do të nënshkruante deklaratën e Kombeve të Bashkuara më 1 Janar 1922 në Uashington. Nuk e lejonte as të krijonte një qeveri të përkohshme në Londër, as një komitet të përkohshëm, sepse e para nuk kishin besim tek ai; e dyta, nuk dëshironin që Shqipëria të afirmohej si anëtare e koalicionit të kombeve të bashkuara antifashiste. E treta, ata kishin dërguar misionet e tyre Shqipëri dhe e shikonin vetë në terren se kush po luftonte për liri të Shqipërisë dhe kush po i ndihmonte realisht aleatët e mëdhenj.

Cili ishte qëndrimi konkret i Zogut në Londër për çështjen shqiptare?
-Do jua them, edhe për të zhveshur demagogjinë e Kryeministrit për raportet e Ahmet Zogut me anglezët. Dëgjova disa intervista të tij dhe në to ka gabime trashanike edhe në data dhe jo më në ngjarje. Por, dua t’i sugjeroj zotit Berisha se Entoni Iden, Ministri i Jashtëm britanik në Luftën e dytë Botërore ishte shumë armiqësor me Ahmet Zogun. W. Çurçilli ia kthen mbrapsht një letër plot fyerje që ky donte t’i dërgonte Mbretit shqiptar, i cili ishte njëkohësisht edhe njeriu që nxiste administratën britanike të kohës së luftës që të linte të hapur kapitullin e pretendimeve greke për Shqipërinë e Jugut. Këto janë fakte historike e shkruar e zeza mbi të bardhë. Prandaj le t’jua lërë historianëve ta shkruajnë historinë dhe jo ta shkruajë vetë.

A i bashkoheni mendimit të Kryeministrit për Qemal Stafën, kur thotë “nuk jam dakord që një stadium, një gjimnaz, një bulevard të ketë emrin e tij”?
-Kryeministri i një vendi nuk duhet të bëjë punën e një nënkryetari të Bashkisë, i cili merret emërtimet e objekteve social-kulturore në qytetin e Tiranës. Kryeministri ka shumë halle dhe shumë shqetësime në këtë vend të varfër. Atë duhet ta shqetësojnë mungesa e realizimit të standardeve europiane, mungesa e realizimit të reformave serioze dhe të kërkuara për të marrë statusin e vendit kandidat. Atë duhet ta shqetësojë fakti që nuk po realizohet reforma zgjedhore, reforma parlamentare, nuk duhet ta shqetësojë kriza e thellë ekonomike që po troket në dyert e Shqipërisë.

Po qëndrimi i Kryeministrit për çështjet e pavarësisë në këtë 100-vjetor, si ka qenë?
-Më bënë përshtypje një veprim që më duket i paramenduar dhe një atentat ndaj veprës së madhe dhe të paharrueshme të pavarësisë kombëtare. Bëhet shumë zhurmë për të festuar 100-vjetorin. Po shohim që aq sa jemi të informuar që ka një projekt për aktivitete dhe për botime dhe le të themi, mirë është që po bëhen. Por, dua të them se çdo përpjekje është djallëzore kur ka për objektiv që të ulë figurën e Ismail Qemalit, duke filluar nga vendi që i është caktuar në Tiranë për të vendosur monumentin e tij në raport me Ahmet Zogun. Ahmet Zogu ka qenë një çunak i vogël nga Burgajeti i Matit, kur Ismail Qemali i madh ngriti flamurin Kombëtar në Vlorë. Ismail Qemali është i pazëvendësueshëm në historinë shqiptare. Sali Berisha nuk duhet të ketë xhelozi për plakun e urtë të Vlorës se ishte nga Vlora, sepse nuk ka burrë në historinë shqiptare që të ketë të krahasuar përveç Skënderbeut në Historinë Shqiptare me Ismail Qemalin. Do të ishte cinike, që në emër të jubileut të pavarësisë të rindërtohej një konstrukt i ri i historisë së kombit në emër të gjoja rishikimit të Historisë. Kam frikë se në vend të syzeve, siç tha Kryeministri “të zonjës Nexhmije Hoxha”, kërkohet që Historia Shqiptare të shikohet me syzet e Sali Berishës. Meqë kam parë se ai nuk përdor syze, kam frikë se mos ka ndonjë katarakt që e pengon të shikojë historinë dhe të vërtetat e pamohueshme historike.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin