Edhe në këtë 81-vjetor, të majtët e të djathtët mbeten të përçarë nëse Shqipëria u çlirua më 28 apo 29 nëntor. Për historianin Paskal Milo, debatet e përvitshme për datën e çlirimit janë të pavlera dhe të pambështetura shkencërisht. Në një prononcim për “Report TV”, ai thekson se polemika të tilla janë të kota dhe nuk i shërbejnë as historisë, as opinionit publik.
“Kam mbi 30 vite jetë aktive politike e shkencore. Ky debat nuk ka asnjë vlerë. Është për të qarë e për të qeshur që diskutojmë prej tri dekadash se kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria. Kjo nuk përcaktoi fatin e vendit. Ajo që ka rëndësi është lufta antifashiste dhe qëndrimi i shumicës së shqiptarëve në anën e duhur të historisë.”, thotë Milo.
Milo thekson se në tekstet shkencore nuk do t’i jepet aspak rëndësi kësaj çështjeje, pasi ajo nuk ka peshë historiografike.
“Shkenca nuk mund të merret me detaje të tilla për të kaluar kohën. Nuk do të harxhohet as letër e as bojë për këtë debat. Detyra jonë është të shkruajmë një histori që t’i qëndrojë kohës, jo debateve të ditës.”, thotë ai.
Sipas historianit, ajo që ka rëndësi është vetë lufta dhe rezistenca antifashiste e shumicës së shqiptarëve dhe duhet të krenohemi se Shqipëria në këtë betejë të madhe të përbotshme u ndodh në anën e duhur të historisë. Çdo debat tjetër, thekson Milo, është kalimtar e pa vlerë.
Komente









