Pasojat e genocidit, 2755 çamë
vdiqën pas mbërritjes në Shqipëri 

Pasojat e genocidit, 2755 çamë<br />vdiqën pas mbërritjes në Shqipëri <br>
Një vit pas masakrave të fundit në Çamëri, pothuajse 20 000 camë endeshin fshatrave e qyteteve shqiptare në gjendje të mjeruar. Të pastrehë, të uritur, e të sëmurë, rreth 80% e familjeve çame rrezikonin çdo ditë jetën e tyre. Një dokument i 3 qershorit 1946, dërguar në zyrat e qeverisë shqiptare nënvizon se prej kohës që çamët nisën zhvendosjen masive në Shqipëri, shënoheshin 2755 të vdekur, shumica të sëmurë, me pasoja nga dhuna e tmerrshme që përjetuan gjatë spastrimeve zerviste, të uritur e të pastrehë. 

Dokumenti i 3 qershorit bën një qasqyrim të plotë të gjendjes së çamëve në Shqipëri, duke zbuluar pasojat fatale të genocidit të ushtruar mbi ta nga forcat e Zervës nga qershori i 1944 e deri në mars 1945.

Raporti zbulon detaje të rëndësishme mbi gjendjen e kësaj popullsie të dhunuar në tokat e tyre. Në cilat qytete ishin vendosur emigrandët çamë pas mbërritjes së tyre në Shqipëri? Me çfarë jetonin? Çfarë pasojash kishte shkaktuar mungesa e ndihmave ushqimore e shëndetsore, instalimi i tyre nëpër çadra ku kushtet jetësore ishin të tmerrshme?  Cila ishte gjendja e qindra fëmijësh jetim që endeshin rrugëve pa asnjë kujdes por edhe e shumë të tjerëve me prindër të traumatizuar, të sëmurë e të plagosur?

Raporti i nënshkruar nga Kasëm Demi në emër të Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë  jep në fund disa propozime se si mund tu vihej në ndihmë mijëra familjeve çame, duke ju ofruar atyre toka bujqësore ku të mund të punonin apo ti integronin në sektorë të tjerë.

Dokumenti i plotë

RAPORT RRETH GJENDJES ÇAME

Sikundër është në dijeni ajo Kryeministri Emigrantët Çamër janë instaluar në formë provizore si vijon:

PREFEKTURA E GJIROKASTRËS:     

Konispol................................. 1490

Delvinë................................... 940

Sarandë...................................      1050

PREFEKTURA E VLORËS:      

Vlorë.......................................    4700

Fier..........................................  1980

PREFEKTURA E BERATIT:     

Berat........................................   1070

Lushnjë................................... 1500

PREFEKTURA E DURRËSIT:         

Durrës.....................................     1420

Kavajë.....................................     1450

Shijak......................................      640

Krujë.......................................      770

PREFEKTURA E ELBASANIT:        

Elbasan....................................       500

Peqin.......................................      450

Dumre-Gostimë.......................   820

PREFEKTURA E TIRANËS:

Tiranë......................................      900

PREFEKTURA E SHKODRËS:         

Shkodër...................................     75

85% të familjeve janë në gjendje të vajtushme dhe s’mund të jetë e sigurtë jeta e tyre në konditat ekonomike dhe higjenike që kanë kaluar deri më sot.

Sistemi i ndihmës Asistenciale, i cili ka qënë faktori kryesor ekonomik dhe që sot kufizohet vetëm në ata të pa asnjë mbrojtje që s’kalon të 15%, nuk ka qënë dhe as mund të jetë i mjaftushëm për përballimin e jetesës. Kriteri i ndarjes nuk ka dhënë rezultate të mira, pse janë ndihmuar familjet pa ndihmës, kurse ato familje që mund të kishin nga një mashkull nuk përfitonin, dhe kjo pjesë ishte në vuajtje nga papunsija. Kështu që ndihma dhe aktivizimi në punë nga Asistenca Sociale nuk mund të bëjnë një garanci jete.

Shterimi i burimit Asistencial, papunsija, instalimi në çadra jo adapte, gjëndja e keqe shëndetsore të gjitha këto kanë sjellë si konsekuencë që situata e Çamërve të keqsohet çdo ditë. Fakti që qysh me ardhjen e Çamërve në Shqipëri e deri sot kanë gjetur vdekjen 2755 veta dhe me gjithë masat e supozuara të mara edhe këto kohët e fundit vdekjet kanë qënë dhe janë të vazhduarshme nga shkaku i urisë dhe i sëmundjeve, tregon se ndihma dhe masat e mara deri tani nuk kanë patur efektin e duhur.

Komitetet Ekzekutive të Prefekturave e N/Prefekturave e kanë lënë po thuajse në haresë këtë problem duke mos u interesuar si duket dhe të mendojnë e të mundohen më konkretisht për shërimin e plagëve që u-ka hapur emigracioni i rëndë i Çamërve në Shqipëri. Një fakt është që në raportet e përmuajshme që i vinë asaj Kryeministrije gjëndja e tyre nuk është prekur asnjë herë aqë sa që të lë përshtypjen sikur në Shqipëri nuk ekzistojnë Çamër dhe s’ka problem Çam për Qeverinë. Kjo tregon se ata nuk i japin asnjë rëndësi çështjes së tyre dhe se nuk e jetojnë vazhdimisht nga afër gjendjen e tyre të vështirë.

Nga kontrolli dhe konstatimet e antarëve të Komitetit Antifashist t’Emigrantëve Çamër dhe raportet e doktorëve të ndryshëm, rezulton se humbjet do të bëhen dhe më të ndieshme, po të vazhdojë gjëndja në këto kondita, qoftë edhe për një kohë fare të shkurtër.

Për të vënë në dukje edhe më konkretisht gjendjen aktuale të emigrantëve çamër, po japim disa hollsira rreth konstatimeve të këtij Komiteti me sugjerimet e veta si më poshtë vijon:

1) – Gjëndja ekonomike. – Fakti që në shumicën e zonave ku janë instaluar familjet Çame, nuk ka kantiere pune, shkakton që 70% të jenë të papunë d.m.th. ndodhet para rezikut t’urisë. Gjer më sot puna e tyre mvarej nga aktivizimi Asistencial dhe kjo jo e vazhdueshme. Por me gjith’ atë nga sa shihet nuk është kurrë e mundur që një person të rrojë vetëm me 250 gr. bukë në ditë, kurse i mungojnë të gjitha elementet e tjera të kalorisë. P.sh. në Vlorë ku janë afër 5000 emigrantë Çamër 60% janë papunë dhe humbjet janë të dukshme, në Fier 85%, në Lushnjë 80%, në Kavajë 65%, në Durrës 45%, n’Elbasan 60% dhe në krahinat e tjera kalojnë të 50% ose për intervale kohe mjaft të shkurtëra merren me punra krejt provizore të çastit.

2) Instalimi. – Sigurimi i banesës ka qënë vazhdimisht problemi më i vështirë. Dhe me ardhjen e çadrave ky problem me sa konstatojmë né nuk po gjen zgjidhje të kënaqshme. Kriteri i ndjekur deri tash i vendosjes së çadrave dhe çadrat vetë nuk kanë përmirësuar aspak banesën e tyre. Në shumicën e krahinave ato janë ngrehur në vënde jo të përshtatshme për banim në vënde të hapta ku i reh dielli gjithë ditën, pa ujë e dru afër. Çadrat vetë, sikundër i kemi përshkruar edhe më lartë nuk janë të përshtatëshme për familje pse shumë të vogla e të unjta sa mezi rrijnë dy veta brënda dhe në shumë krahina ky inztalim ka qënë për Çamërit më keq nga ç’ishin më përpara sa që shumë prej tyre, pse të detyruar nga pushteti të lënë banesat e para, kanë preferuar më mirë të vendosen nëpër ahure ose bodrume dhe të mos pranojnë të venë në çadrat.

Ky instalim i keq ka shkaktuar që shumica e tyre të sëmuret dhe të ndodhin dhe vdekje. Kjo ka ndodhur sidomos në Durrës, Elbasan e Fier ku vëndet dhe instalimi ka qënë mjaft i keq. Një e metë tjetër n’instalimin e çadrave është dhe që ato janë vendosur mjaft afër njera tjetrës sa që njeri të preket nga një sëmundje, përhapet shpejt në të gjithë të tjerët. Kjo gjëndje është tani; le të mendohet se sa keq do të hetë me shtrëngimin e vapës ku simbas mendimit t’onë në qoftë se nuk merren masa të shpejta do të gjejnë vdekjen një shumicë e madhe prej tyre për hiç gjë punë.

3) Gjendja Shëndetësore. – Mungesat e ushqimeve, vesh-mbathjeve, ilaçeve, doktorëve, strehimi i papërshtatshëm, sjellin si konsekuencë gjendjen e keqe shëndetsore, të cilët e favorizojnë akoma më shumë çadrat ushtarake jo higjenike për instalimin e familjeve. Shëmbëll, në një inspektim që u-bë këto ditë nga antarë të Komitetit në Razhbull të Durrësit, u-konstatua se: në një tokë të thatë malarike, me ujë të papishëm, në mes të diellit, me çadra 1/2 m. distancë larg njera tjetrës, pa dru, ku gratë e veja dhe të gjithë ata që tërheqin nga Asistenca duhet t’udhtojnë gati 2 orë për të marë 250 gr. bukë në Shkozet (Durrës), - janë instaluar 80 familje, kurse 80 familje të tjera që nuk kanë dëgjuar për vajtje në Razhbull janë sanksionuar nga Komiteti Ekzekutiv i Durrësit për mis përfitim nga Asistenca dhe mos dhënie punë.

4) Gjendja e fëmijve. – Një nga problemet me rëndësi për emigrantët Çamër, është dhe çështja e fëmijvet, të cilët janë në mes të katër rrugëve në pasiguri dhe pa asnjë kujdesim për t’i mbrojtur nga gjendja e vështirë që kalojnë prindërit e tyre dhe për t’u dhënë një edukatë fillestare. 40% prej tyre mund të themi bëjnë jetën e vagabondazhit kurse 30% janë pa tytor.

5) Gjendja politike. – Gjendja e keqe ekonomike dhe shëndetsore, mungesa e punës nga ana e Organizatave të Frontit, kanë shkaktuar që emigrantët çamër të mos jenë t’orientuar mirë politikisht dhe të gëlltitin mjaft nga parullat reaksionare. Nga qëndrimi i keq i disa elementave me përgjegjësi në pushtet dhe n’organizata të tjera dhe veçanërisht kur këta lëshojnë në masa parulla diskretituese dhe përbuzëse shkakton shpesh dëshpërimin ndër ‘ta dhe mos besimin ndaj Pushtetit Popullor. Gadi 98% janë analfabetë dhe nuk është marrë asnjë masë për pjesmarrjen e tyre në kurse analfabetike.

Duke marë parasysh gjitçka u-tha më lart e gjejmë të nevojshme dhe tepër urgjente që t’i sugjerojmë asaj Kryeministrije sa më poshtë vijon:

a) Për të evituar imediatisht gjëndjen e vështirë ekonomike, dhe në mbështetje të cilësive bujqësore, propozojmë që familjet Çame që janë t’afta për bujqësi dhe që i qëndrojnë për barë pushtetit pse pa asnjë bazë ekonomike të grumbullohen në vënde të posaçme dhe t’u jepet tokë për të punuar dhe siguruar jetën. Kështu do të zhduket parazitizmi dhe reziku i urisë.

Ne nuk besojmë në këtë kategori të jenë më tepër se 2000 familje dhe vështirësitë në një kriter të tillë instalimi nuk mendojmë të jenë të mbëdha.

b) Për instalimin e tyre ne mendojmë se duhet gjetur çadra më të përshtatshme (më të mbëdha) dhe të vendosen në vënde më të mira afër bazës së punës, ku për ato familje pa asnjë mbështetje t’organizohet një shërbim i rregullshëm Asistencial.

c) Nga pikpamja shëndetsore propozojmë që n’ato vënde ku ka grumbullime Çamërish të ngrihen infermierira për zhdukjen e sëmundjeve të ndryshme, sidomos të malarjes dhe lëkurës. Nga ana tjetër doktorët të bëjnë vizita më të shpeshta.

c) Rreth problemit të fëmijvet, propozojmë që të paktën 400 veta të strehohen dhe t’edukohen n’Institutet përkatëse.

d) Propozojmë gjithashtu për një shqyrtim më të mirë të problemit Çam, të formohet një komision qeveritar dhe në mbështetje të këtij raporti, të vizitojnë qendrat Çame për të studjuar mundësitë praktike për sistemimin e Çamërve n’emigracion në gjëndje më definitive.

P. KOMITETI ANTIFASHIST I EMIGRANTËVE ÇAMËR (Kasëm Demi) (firma, vula) Tiranë, më 3 Qershor 1946.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë