Pasojat në treg/ Grabitja e Rinasit 'zhyt' vlerat e të gjitha valutave dhe arit

Pasojat në treg/ Grabitja e Rinasit 'zhyt' vlerat e të gjitha valutave dhe arit

Grabitja spektakolare e një sasie prej 10 milionë eurosh në aeroportin e Rinasit ka sjellë pasoja në tregun e këmbimit valutor. Ndërkohë që bankat e nivelit të dytë e kishin siguruar nga vjedhjet shumën e parave që po transferonin jashtë dhe shoqëritë e sigurimeve deklaruan menjëherë se do të paguajnë për dëmin sipas kontratave përkatëse, në fushën e këmbimit po vihet re një fenomen tjetër. I cili i shtohet shqetësimit të vazhdueshëm për uljen e vlerës së euros apo dollarit në këmbimet me lekun, çka ka bërë që edhe Banka e Shqipërisë të përcaktojë një strategji për të ndërhyrë në treg në favor të stabilizimit të këmbimeve, duke gjykuar se kjo rënie është artificiale.

Deri tani, ulja e vlerës ka ndodhur zakonisht në këmbimin e euros apo të dollarit me lekun. Por ditën e djeshme, sikurseduket edhe në raportimin ditor të Bankës së Shqipërisë, leku është forcuar në vlerë ndaj të gjitha valutave pa përjashtim. Madje edhe ndaj atyre valutave që përdoren shumë rrallë dhe të cilat i thyen ose grumbullon vetëm banka qendrore, pasi agjencitë e këmbimit valutor nuk i pranojnë dhë as i njohin.

Kjo ka ndodhur, madje, jo vetëm me valutat. Edhe ari e argjendi kanë humbur vlerën brenda ditës.

Sipas buletinit të këmbimeve valutore të BSH, një euro ka humbur në vlerë 0.50 lekë, ndërkohë që dollari amerikan këmbehej me 0.50 lekë më pak dje se sa ditën e mërkurë. Poundi britanik humbi 0.60 lekë në vlerë, ndërkohë që franga zvicerane u zhvlerësua me 0.69 lekë.

Një onc ar (njësia matëse e metaleve të çmuara, e barabartë me 28.35 gram) ka humbur brenda një dite 7.100 lekë të vjetra, ndërkohë që e njejta sasi argjendi është zhvlerësuar me 17.81 lekë.

Sa u përket valutave të tjera, më pak të përdorura, humbjet e tyre në vlerë i kanë përfshirë të gjitha njëherësh, por ulja ka qenë shumë më e vogël. Jeni japonez ka humbur dje 0.46 lekë, dollari australian -0.35 lekë, ai kanadez -82 lekë, ndërkohë që koronat suedeze, norvegjeze, daneze janë zhvlerësuar vetëm me 0.05-0.08 lekë.

Në këtë nivel ka qenë edhe zhvlerësimi i juanit kinez, ndërkohë që lira turke është këmbyer me 0.22 lekë më pak për një lirë.

Monedha e përbashkët europiane ka humbur dy ditët e fundit pas grabitjes 0.7 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Një euro u këmbye dje me 124.2 lekë, duke arritur nivelin më të ulët të dy muajve.

Bankat
Nuk është hera e parë që konstatohet zhvlerësim i disa valutave njëkohësisht. Arsyet, sipas specialistëve të këmbimit valutor, kanë qenë të ndryshme. Por ata bashkohen në mendimin që, këtë herë, fjala është për një tërheqje të bankave të nivelit të dytë nga blerja masive e valutës në tregun e këmbimit. Kjo ka ardhur si pasojë e vendimit të tyre për të bllokuar përkohësisht transferimin e parave “cash” pas grabitjes që ndodhi në aeroportin e Rinasit. 

Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e kanë zgjidhur gjithnjë me shoqëritë private të sigurisë fizike. Krahas dërgimit të tepricës së eurove apo dollarëve (kur nuk kanë mundësi kreditimi apo angazhimi në investime të tjera në Shqipëri për atë monedhë), bankat grumbullojnë edhe cash të një monedhe në treg. Zakonisht në Shqipëri grumbullojnë cash Paund ose Franga Zvicerane. Këto monedha i tregtojnë në Bankat Rajonale, zakonisht në Vjenë, por edhe Credit Suisse Zurich, duke i konvertuar në Euro ose Dollarë, të cilat, ose i sjellin mbrapsht fizikisht në Shqipëri, ose i kreditojnë në llogaritë me bankat korrespondente në Austri apo Zvicër, në vartësi të bankës që bën marrëveshjen.

Gjithshka po vazhdonte në këtë mënyrë, derisa zëdhënësja e kompanisë ajrore “Austrian Airlines” njoftoi se, si një masë sigurie, pas dy vjedhjeve të mëdha në tre vitet e fundit, kjo kompani nuk do të ofrojë më shërbimin e transfertave “cash” nga Tirana në Vjenë.

Duke qenë se bankat janë blerësit më të mëdhenj të valutës në treg, mosparaqitja e agjentëve të tyre në treg për të blerë si pasojë e bllokimit të tranfertave ka sjellë edhe kërkesë shumë më të vogël se ditët e tjera për valutë. Kjo automatikisht rezulton në zhvlerësimin e valutave, që janë më pak të kërkuara.

Deri në zgjidhjen e problemit se si do të vazhdojë të funksionojë transferta fizike e parave nga Shqipëria jashtë shtetit dhe anasjelltas, mendohet që ky faktor do të ketë ndikim kryesor në vlerën e këmbimit të valutave. Sipas specialistëve të bankave, zgjidhja mund të jetë sërish përdorimi i kompanive të tjera të rregullta ajrore, por mund të gjendet edhe një zgjidhje tjetër me përdorimin e avionëve “charter” nga disa banka njëherësh, në kushte të një sigurie më të lartë, që ndoshta do të kërkonte një përforcim edhe nga Policia e Shtetit.


Raporti ditor i këmbimit mesatar zyrtar të valutave në tregun shqiptar nga Banka e Shqipërisë

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen