Situata e krijuar nga përmbytjet në Zadrimë të Lezhës është përmirësuar dhe uji është tërhequr por ka lënë pasoja në bujqësi dhe blegtori.

Fermeri nga Gjadri i Lezhës, Preng Nikolli se thotë se dëmet e shkaktuara nga përmbytja e javës së shkuar janë të shumta në kulturat bujqësore.

"4-5 herë përmbytemi në vit, kanalet kulluese janë të mbyllura. Dëme sa të duash, 4 ditë gruri brenda në ujë", shprehet ai.

Sipas fermerëve shkaku kryesor është mospastrimi i kanaleve kulluese.

"Kanalet kanë nevojë për t'u zgjeruar, është hera e trete që më ndodh", thotë  banor i kësaj zone.

"Dëme na ka bërë se ka zënë të mbjellat në ujë. Edhe në blegtori kemi dëme, por uji ka ikur më shpejt se here të tjera", shprehet një tjetër fermer.

Uji është tërhequr nga fushat e Zadrimës, ndërsa prefektura dhe bashkia nuk kanë ende një bilanc të dëmeve.

Aksi i vjetër rrugor, Milot-Rubik ka dalë jashtë funksioni për shkak të rrëshqitje të tokës, ndërsa rrjedha e lumit Mat ka gërryer trasenë.

Në hyrje të këtij segmenti është vendosur një tabele që njofton nisjen e rikonstruksionit që më 15-dhjetor të vitit 2020, por nga vëzhgimi i Report tv rezulton se në kantier nuk ka asnjë mjet apo punëtor.