TIRANË – Pr/ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimi i terrorizmit është sot objekt debati në 4 komisione parlamentare.  Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar është diskutuar në komisionin e Ligjeve, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, në Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Komisionin për Integrimin Europian.


PS NE KOMISIONIN E INTEGRIMIT: TE HETOHET DHE LIDHJA E BERISHES ME FAZLLIC
Gjatë diskutimit të pr/ligjit në komisionin e Integrimit, deputetët e Partia Socialiste kërkuan fillimin e hetimeve ndaj kryeministrit për akuzën e pastrimit të parave. Ata kërkuan hetim dhe për “Lidhjet e dyshimta mes Berishës e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç,  për interesa të fshehta” pasi ligji parashikon hetim për miqtë e afërt të kryeministrit.

PS TE KOMISIONI I LIGJEVE: QEVERIA KERKON TE HETOJE SHOQERINE TONE

Komisioni i ligjeve është përfshirë nga debatet gjatë diskutimit të projektligjit “Për hetimin e pastrimit të parave”. Në draftin e sjellë nga qeveria, mes të tjerash ligjërohej se nën hetim do të vihen edhe shokët dhe shoqët e politikanëve. Por, ky nocion ka sjellë reagimin e opozitës. Fjalia ka shkaktuar jo pak ilaritet mes deputetëvë të PS e PD.Sipas socialistëve është qesharake që për pastrimin e parave të hetohet rrethi shoqëror. “Është jo serioz që të kërcënohen njerëzit që njohim. Kështu nuk do na lejohet as të ulemi në kafe me shokë e shoqe”, i tha deputetja Vasilika Hysi, demokratit Eduard Paloka.
Sipas të majtëve ligji duhet të përcaktojë hetimin e bashkëpunëtorëve, sekretarëve dhe këshilltarët . Palët kanë rënë parimisht dakord për këtë ndryshim në draftin e qeverisë dhe do të pritet ndërhyrja për ta miratuar në komisionin e ligjeve.



(aq/shqiptarja.com)