Pasuria e padeklaruar prej rreth 2 milionë euro në pronësi të gjyqtarit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi ka qenë pikënisja e kërkesës për shkarkim, nga ana e Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço.
 
Fillimisht ka shërbyer një kontroll i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit që të dalë në pah një pasuri me shifra astronomike dhe e fshehur nga Gjoni, nën emrin e bashkëshortes së tij.
 
Raporti i ILDKP-së flet për 18 pasuri të padeklaruara nga ana e çiftit të gjyqtarëve. Ky kontroll u shoqëruar edhe me një padi nga ana e kreut të inspektoratit të deklarimit të pasurive.
 
Por cilat janë këto pasuri që mundën t’i shpëtonin për një kohë të gjatë autoriteteve përkatëse në Shqipëri.
Më e madhja ndër to, është një supervilë që ndodhet jashtë Tiranës, në zonën e Farkës. Sipas raport kontrollit të ILDKP çifti i bashkëshortëve ka bërë deklarim të rremë në lidhje me kontratën e sipërmarrjes të vilës rezidenciale në Farkë, tip “Champagne”, në shumën 700.000 Euro.
 
Televizioni “A1 Report” ka publikuar pamjet e vilës që ndodhet në Farkë, ndërkohë banorë të zonës kanë deklaruar se objekti luksoz është në pronësi të gjyqtarit Gjin Gjoni.
 
Ky i fundit në një prononcim telefonik në “A1 Report”, deklaroi para disa kohësh se vila është në emër të gruas së tij Elona Çaushi. Ndërkohë ILDKP zbuloi edhe shpenzime te padeklaruara për 127 hyrje–daljet nga territori i Republikës së Shqipërisë të çiftit të gjyqtarëve, shpenzime të cilat kapin vlerën e rreth 250.000 Eurove.

Mes 18 rasteve të fshehjes së pasurisë së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe gruas së tij Elona Çaushi, janë zbuluar dhe katër raste të fshehjes së kompanive tregtare, që rezultonin në emër të bashkëshortes së Gjin Gjonit.