Pasuria e krimit të organizuar/ Prokurori i antimafias italiane: Të përdoret për shërbime sociale, të bëhet simbol kundër bandave

Në kuadër të konferencës 'Administrimimenaxhimi dhe përdorimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara' të thirrur nga ministria e Drejtësisë Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit në Itali Federico Cafiero De Raho, me të cilin Ministria e Drejtësisë ka implementuar një sërë bashkëpunimesh institucionale me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Në një deklaratë të përbashkët De Raho është shprehur se pasuria e krimit që është sekuestruar duhet që të ripërdoret. Ai ka sjelle edhe shembuj nga Italia duke thënë se fare mirë një objekt i sekuestruar mund të shërbejë si rajon policor, kështu sipas tij do të forcohej edhe simboli i luftës kundër krimit të organizuar.

Sipas De Rehos përdorimi i pasurive të sekuestruara nuk duhet që të sjellë përkeqësim të ekonomisë. Sipas tij nëse sekuestrohen ndërmarrje të mëdha nuk duhet që punonjësit të mbeten pa punë por ata të vazhdojnë normalisht.

"Ka një rëndësi të jashtëzakonshme legjislacioni për regjistrimin dhe konfiskimin si dhe çfarë destinacioni kanë këto pasuri. Po ashtu edhe mbajtja e tyre në aktivitetin e ndërmarrjeve. Pasuritë e konfiskuara të jetë impenjim maksimal që të kemi një punësim të lartë, edhe pse janë sekuestruar. Kështu do të ketë rritje ekonomike pasi pasuria rifutet në qarkullim. Thjeshtë u hiqet kriminelëve dhe u jepet popullit, e rinisë. E ardhmja shoqërore, aty ku ishte krimi i organizuar, mund të jetë një burg ose një rajon policie. Kështu është e rëndësishme simboli kundër krimit të organizuar. Edhe nëse krimi pasurohet, kjo do t'i merret një ditë. Falenderoj ministren e drejtësisë për luftën kundër kriminalitetit. Prioriteti është  lufta kundër mafieve." ka thënë De Raho në fjalën hapëse të konferencë"

Ndërkohë në lidhje me menaxhimin e pasurisë së sekuestruar nga krimi, ka folur edhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, që është shprehur se edhe shoqëria civile duhet t;i bashkohet luftës së qeverisë me krimin e organizuar.

"Konferenca e sotme do të vijojë për të njohur problemin. Sipas meje në Shqipëri është i veçantë përdorimi i konfiskuar i pasurive kriminal. Shoqëria civile duhet të dijë si ti bashkohet kësaj lufte. Kështu edhe në  Itali arritëm që të bënim legjislacion për këtë çështje dhe në bashkëpunim me qytetarët." ka thënë Cutillo.

 Të pranishëm në këtë konferencë ishin dhe Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, Ambasadori i Italisë në Tiranës, z. Alberto Cutillo, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
Ministrja Denaj: Vetëm 40% e pasurisë të sekuestruara konfiskohen


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, teksa mori pjesë në konferencën mbi administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara është shprehur se sot vetëm rreth 40% e pasurive të sekuestruara konfiskohen dhe përdoren për përfitime sociale.

 “Vetë proceset e gjata vendimmarrëse cënojnë dhe vështirësojnë shpeshherë përdorimin, shitjen dhe maksimizimin e këtyre pasurive. Mjaft e rëndësishme është ecuria e mëtejshme e Reformës në drejtësi dhe angazhimi ynë për miratimin e legjislacionit dytësor për përmirësimin e shitjes dhe përdorimit të këtyre pasurive”, tha znj. Denaj.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj tha se, përmes masave ligjore të ndërmarra, Shqipëria është pozicionuar sot në hartën e vendeve të angazhuara fort në luftën kundër Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe në Luftën kundër Financimit të Terrorizmit.

Një ndër këto masa është miratimi në parlament i ligjit “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara” i cili, ndër të tjera, mundësoi krijimin e mekanizmave ligjorë për të menaxhuar në mënyrë efektive pasuritë e ngrira dhe të konfiskuara, si dhe lejoi ushtrimin e kompetencës për shitjen e pasurive të luajtshme të cilat amortizohen prishen apo në rënie të vlerës.

Ministrja Denaj ftoi të gjithë aktorët të angazhohen për një bashkëpunim institucional më të gjerë për të bërë të mundur avancimin e kuadrit ligjvënës dhe atij zbatues për Sekuestrimin, Konfiskimin dhe Administrimin e Pasurive të fituara përmes krimit dhe në tërësi për Zbatimin e Plotë të Reformës në Drejtësi.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin dhe Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca, Ambasadori i Italisë në Tiranës, z. Alberto Cutillo, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, si dhe Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizëm në Republikën e Italisë, z. Federico Cafiero De Raho.

Fjala e Ministres Denaj:

E nderuar Znj. Gjonaj, Ministre e Drejtësisë, I nderuar Z Cafiero De Raho, Prokuror Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizëm në Republikën e Italisë,

I nderuar Z. Soreca, Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri, I nderuar Z. Cutillo, Ambasador i Republikës së Italisë në Shqipëri, Të nderuar pjesëmarrës, Është kënaqësi të ndaj me ju fjalën përshëndetëse në këtë aktivitet të sotëm mbi administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara.

Lufta kundër krimit të organizuar është detyrë e përbashkët e të gjitha strukturave politikbërëse dhe ligjzbatuese. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në rolin e saj si politikbërëse dhe përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, është angazhuar në vazhdimësi në përmirësimin e procesit tërësor të administrimit të pasurive me themele ligjore të mirëpërcaktuara përmes ligjit të ri të miratuar këtë Qershor në Parlamentin e Shqipërisë.

Përfshirja në fushën e veprimit të AAPSK-së e procesit të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive në procesin penal ashtu edhe në atë parandalues, ka synuar administrimin e plotë të të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme në një institucion të vetëm.

Krijimi i një zyre të vetme kombëtare për të realizuar detyrat në këtë kontekst ka qënë imperative edhe në raport me plotësimin e detyrimeve tona në kuadër të Moneyval, si një proces i cili na afron me praktikat më të mira të vendeve të tjera në botë dhe mbi të gjitha në Evropë.

Më tej, kjo e pozicionon Shqipërinë në hartën e vendeve të angazhuara fort në Luftën kundër Parandalimit dhe Pastrimit të Parave dhe në Luftën kundër Financimit të Terrorizmit.

Më lejoni të ndaj në vijim, disa të dhëna mbi ecurinë e AAPSK-së në këto vite të aktivitetit të saj: Në momentin aktual pranë AAPSK-së administrohen rreth : - 227 pasuri nga të cilat 167 pasuri të sekuestruara me vlerë të përafërt 2,546,054,257 lekë, - 57 pasuri të konfiskuara me vlerë të përafërt 468,214,083 lekë dhe 3 pasuri te revokuara por të pa kthyera.

Për periudhën 2011 - 9 mujor 2019 AAPSK-ja, ka pasur në administrim: - 594 pasuri të sekuestruara me një vlerë rreth 4,385,159,241 lekë dhe - 326 pasuri të konfiskuara me vlerë rreth 2,850,504,405 lekë (Antimafia dhe Terrorizem). Ligji i miratuar në Parlament “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara” mundësoi ndër të tjera krijimin e mekanizmave ligjore për të menaxhuar në mënyrë efektive pasuritë e ngrira dhe të konfiskuara dhe lejoi ushtrimin e kompetencës për shitjen a pasurive të luajtshme të cilat amortizohen prishen apo në rënie të vlerës.

Në rast të një vendimi përfundimtar konfiskimi dhe së bashku edhe me sasitë monetare të konfiskuara, fondet alokohen përmes buxhetit të shtetit edhe në një fond të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor.

Përdorimi i këtij fondi synon përmirësimin e hetimeve paraprake penale të krimit të organizuar dhe zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë; dhënien e ndihmës viktimave të krimit të organizuar dhe të dhunës, si dhe nxitjen e programeve sociale për këto kategori; kompensimin e viktimave te trafikimit dhe përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale.

Të gjitha sa më sipër bëhen të mundura përmes alokimeve të buxhetit për institucionet e drejtësisë, institucionet qendrore që mbulojnë rendin publik dhe çështjet sociale, njësitë e qeverisjes vendore, apo OJF që ndihmojnë dhe lehtësojnë një proces rehabilitimi për njerëzit e prekur apo rrezikuar nga krimi dhe në nevojë.

Mbështetur në rekomandimin e Komitetit Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Qeveria Shqiptare ka krijuar 3 fonde të veçanta prej vitit 2013.

Në rolin e Ministres së Financave pohoj me kënaqësi se ky fond është dyfishuar prej vitit 2013, duke shkuar nga 42 milion lekë në 2013, në 93 milion lekë në 2019.

- Janë financuar 12 projekte për Institucionet ligjzbatuese Policinë, Prokurorinë, Qendrën pritëse të viktimave të trafikimit dhe OJF, që kanë për synim rritjen e kapaciteteve, përmirësim hetimi dhe trajtimin dhe integrimin e viktimave të krimit.

- Një sërë artikujsh i kanë kaluar në përdorim Policisë së Shtetit dhe Qendrës së Pritjes së Viktimave të Trafikimit.

- Një sërë pronash i janë kthyer komunitetit për përdorim për shkolla, aktivitetete turistike etj., duke mundësuar jo vetëm përdorim efektiv të këtyre pasurive por edhe shdnërrimin në bzinese sociale, bazuar edhe në eksperiencën e sjellë nga Italia.

- Në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian përmes projektit më të rëndësishëm në këtë kuadër, po përpiqemi të sjellim punësim, integrim dhe zhvillim të kurseve profesionale përmes shndërrimit të këtyre pasurive.

Për sfidat që vijnë në paralel me këto suksese do të diskutoni në vijim edhe gjatë paneleve edhe me vetë Institucionin e AAPSK-së.

Por nuk mund të lë pa përmendur se konfiskimi dhe vendosja në dispozicion për përfitime sociale e pasurive nga burime jo të ligjshme mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për sistemin në tërësi.

Ende sot vetëm rreth 40% e pasurive të sekuestruara konfiskohen.Vetë proceset e gjata vendimmarrëse cënojnë dhe vështirësojnë shpeshherë përdorimin, shitjen dhe maksimizimin e këtyre pasurive.

Ecuria e mëtejshme e Reformës në drejtësi dhe angazhimi ynë për miratimin e legjislacionit dytësor për përmirësimin e shitjes dhe përdorimit të këtyre pasurive.

Dhe pikërisht kjo është ftesa ime në mbyllje të kësaj fjale përshëndetëse: një ftesë për një bashkëpunim institucional më të gjerë për të bërë të mundur avancimin e kuadrit ligjvënës dhe atij zbatues, për Sekuestrimin, Konfiskimin dhe Administrimin e Pasurive të fituara përmes krimit dhe në tërësi për Zbatimin e Plotë të Reformës në Drejtësi.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • brum i perpunuar...: 16/11/2019 07:59

    kshu ka qene gjithmone: atij qe i eshte vjedhur duhet edhe ti kthehet-, nkete rast popullit shqiptar!!!-apo eshte e besueshme per ne vetem kur e thot nje italian, kaq injorante jemi?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare